Matarella në prurimin  e struturës së jezuitëve për emigrantët e refugjatët Matarella në prurimin e struturës së jezuitëve për emigrantët e refugjatët 

Mattarella: Civiltà Cattolica: prej 170 vjetësh jeni pikëmbështetjeje

Më 9 korrikun e kaluar Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Matarella, priti, në Pallatin e Qurinale-s, Kolegjin e shkrimtarëve të revistës “La Civiltà Cattolica”-“Qytetërimi Katolik”, kryesuar nga drejtori, atë Antonio Spadaro, me rastin e 170-vjetorit të botimit të saj. I pranishëm edhe Eprori i përgjithshëm jezuitëve, atë Arturo Sosa. Revistë me ndikim të madh edhe mbi kulturën e krishterë e atë të përgjithshme ndër shqiptarë.

R. SH. - Vatikan

Ishte një takim prej 50 minutash, ai i 9 korrikut të kaluar. Kreu i Shtetit Italian, Sergio Mattarella takohej, në Quirinale, me etërit jezuitë të “Qytetërimit katolik”. Revista e Shoqërisë së Jezusit shkruan gjatë për këtë takim, duke kujtuar edhe vizitën e Presidentit Mattarella në selinë e periodikut, më 21 maj 2015, si dhe vizitën e etërve shkrimtarë të saj në Pallatin presidencial, më 16 shkurt 2017, me rastin e botimit të numrit 4.000 të Revistës.

Revista më e vjetër italiane, që vijon të botohet

“La Civiltà Cattolica”, e themeluar në vitin 1850, është më e vjetra e gjuhës italiane, që vijon t’i dëgjohet zëri. Ndërmjet revistave të ndryshme katolike, është e vetmja që shqyrtohet, në fazën e bocës, nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit, për të pasur miratimin përfundimtar. Sepse zëri i saj i kalon shumë kufijtë e Italisë. Papa Françesku, edhe ai jezuit, në audiencën me etërit shkrimtarë, më 9 shkurt 2017, kur shihte dritën e shtypit numri 4000, e quajti: “Revistë e pashoqe në llojin e vet”.

Civiltà Cattolica,  pikëmbështetje edhe për historinë e Shqipërisë e të Kishës së saj

Kush e ka shfletuar këtë Revistë, e di se është si të shfletosh një enciklopedi ku, thënë simbolikisht, gjen “thesaret e njëmijë e një netëve të kulturës njerëzore”. Koleksioni i saj mbush një raft të tërë në bibliotekë. E, po ta shfletosh, do të ndeshesh shpesh me emrin e Shqipërisë e të shqiptarëve. Nuk është për t’u çuditur. Para se Kisha shqiptare të lahej në gjak, jezuitët i jepnin Shqipërisë një ndihmë të jashtëzakonshme në fushën e fesë e të kulturës. Mjafton të kujtojmë se hapën dhe drejtuan Kolegjin e  famshëm saverian (1841–1946) dhe botuan revistën e parë në gjuhën shqipe.

Për t’u kujtuar, revista e parë

Revista e parë fetare në gjuhën shqipe së pari titullohej “Elçija e Zêmers sê Jezu Krisctit”, më pas, duke nisur nga viti 1914, “Lajmëtari i Zêmers së Jezu Krishtit” – lajmëtari i parë i Zemrës Hyjnore ndër shqiptarë. Kjo revistë fetare kulturore, që nisi të botohej që më 1891, deri më 1909 u shkrua në dialektin gegë, me alfabetin e shkrimtarëve të vjetër të Shqipërisë veriore dhe atë italian. Pastaj vazhdoi me alfabetin e Manastirit.

Pati edhe një 'Shtojcë' kulturore që vijoi të botohej nga viti 1909 deri më 1913. Më 1914-1916 shtojca u botua më vete me titull “Përparimi” - titull ky që shpreh simbolikisht qëllimin themelor të veprimtarisë së Kishës Katolike në Shqipëri. Drejtori i parë i revistës ka qenë Atë Jak Jungu (1891-1896). Penat më të forta të “Lajmëtarit”: Imzot Lazër Mjeda, Imzot Luigj Bumçi, Don Ndue Bytyqi, Filip Shiroka, Dom Pashk Babi dhe pothuajse të gjithë etërit jezuitë, ndër të cilët shquhet pena e themeluesit të shkollës letrare jezuite, Atë Anton Xanonit.

Në një shkrim të vjetër, botuar në faqet e saj, gjejmë ftesën  e Zotit:

“M’a çil zèrmen o njerì: Dishroj me ndejë me ty!”.

Kësaj ftese i shërbyen gjithnjë revistat e jezuitëve,  të cilave u prin “Civiltà Cattolica”- revista që nuk di ç’është pleqëria! Sepse, siç na tregon historia e kulturës njerëzore, edhe revistat plaken. Madje edhe vdesin!

Revista e jezuitëve dhe historia e Shqipërisë

Civiltà Cattolica e ndoqi këmbë për këmbë historinë e Shqipërisë, posaçërisht atë të Kishës shqiptare. Në faqet e saj, ku botojnë vetëm Jezuitët, shumë shpejt nisën të duken emrat e etërve misionarë në Shqipëri: Giuseppe Guagliata (c. 1814), Vincenzo Basile (1812–1888) Salvator Bartolli. Për të vijuar me pendat e forta të Atë Faustit, atë Rosa-s e, sidomos, atë  Zef Valentinit. I Lumi Atë Fausti botonte në revistë studimin e tij, titulluar “Islami e krishterimi”, që doli, më pas si libër më vete, me parathënie të kryeredaktorit të sotëm, atë Antonio Spadaro. E ndoqi Kishën shqiptare sidomos kur martirizohej - e kur lumnohej. E sidomos kur Papa jezuit shkelte në trojet shqiptare e u fliste shqiptarëve për sfidat e sotme, që presin përgjigje. Në një botë, që priret drejt globalizimit ekonomik e kulturor, pati kujtuar, duhet bërë çdo përpjekje që rritja dhe zhvillimi të jenë në shërbim të të gjithëve e jo vetëm të një pjese të popullsisë:

“Gjithashtu, ky zhvillim nuk do të jetë i vërtetë, nëse nuk do të jetë i përballueshëm dhe i barabartë, domethënë, nëse nuk do t’i ketë mirë parasysh të drejtat e të varfërve dhe nëse nuk do të respektojë mjedisin. Globalizimit të tregut duhet t’i përgjigjet globalizimi i solidaritetit; rritja ekonomike duhet shoqëruar me më shumë respekt për botën e krijuar; bashkë me të drejtat individuale duhen mbrojtur edhe ato të realiteteve të ndërmjetme mes individit e Shtetit, me në krye familjen. Shqipëria sot mund të përballet me këto sfida në kornizën e lirisë dhe të stabilitetit, që duhen përforcuar dhe që japin shumë shpresa për të ardhmen”.

Këto fjalë i lexojmë edhe në Revistën  e jezuitëve, ku drejtori i saj Atë Spadaro, përshkruan çastet e paharrueshme që jetoi, kur  shkeli në Sheshin e madh të Tiranës, vend ku Papa kremtoi Meshën përballë shumë katolikëve, por edhe myslimanëve. E sidomos “në praninë” e martirëve, që dhanë jetën për fenë, të cilët dukej sikur dilnin nga portret e tyre, varur përgjatë rrugës, për të marrë pjesë në këtë takim të paharrueshëm. Papa Françeku e vizitonte Shqipërinë gati 80-vjet pas botimit të artikujve të Pater Faustit në Qytetërimin e Dashurisë, me dëshirën e Papës Piu XI, për t’i kujtuar edhe një herë njerëzimit:

“Askush të mos mendojë se mund ta përdorë Hyjin si shqyt, kur sheston e kryen akte dhune e mbrapshtie! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për veprimet që bien në kundërshtim me dinjitetin e njeriut e me të drejtat e tij themelore, në radhë të parë me të drejtën e jetës dhe të lirisë fetare të të gjithëve!”.

22 korrik 2020, 11:50