Kërko

Santa Maria Goretti, Nettuno Santa Maria Goretti, Nettuno 

Maria Goretti, vasha që ktheu në fe vrasësin e saj

Bazilika e Shën Pjetrit në Romë është përplot me njerëz, ardhur nga të katër anët e Italisë. Papa Piu XII do të shpallë një shenjtore të re. Është data 26 qershor 1950 e Maria Goretti po bëhet model për gjithë të krishterët. Në radhët e para, një zotëri i moshuar, rreth gjashtëdhjetë e shtatë vjetëve, gjunjëzohet e qan në heshtje, i zhytur në kujtime.

R.SH. - Vatikan

Shën Maria Goretti (1890-1902), e re italiane, e cila për të mbrojtur pastërtinë nga kërcënimet e një të riu, mik i familjes, pranoi më mirë të mbytej, sesa të njollosej prej tij. I kthyer, falë ndërmjetësimit të vashës, vrasësi do të ishte e pranishëm në kremtimin e lumnimit të Marisë.

Bazilika e Shën Pjetrit në Romë është përplot me njerëz, ardhur nga të katër anët e Italisë. Papa Piu XII do të shpallë një shenjtore të re. Është data 26 qershor 1950 e Maria Goretti po bëhet model për gjithë të krishterët.

Në radhët e para, një zotëri i moshuar, rreth gjashtëdhjetë e shtatë vjetëve, gjunjëzohet e qan në heshtje, i zhytur në kujtime. Kanë kaluar pothuajse pesëdhjetë vjet që atëherë. Ishte 5 korriku i vitit 1902…

Në një qytezë, në jug të Romës, Aleksandri, një djalosh nëntëmbëdhjetë vjeç, për të shpëtuar nga vapa e korrikut, mbështetet tek muri i shtëpisë së fqinjëve, familjes Goretti. Ndërsa përfiton nga hija freskuese, vëren përmes perdeve, Marinë, njërën nga vajzat e familjes Goretti, që është vetëm në shtëpi. Ka ca kohë që Aleksandri ia ngul sytë fqinjës së re e të bukur. Është përpjekur disa herë t’i afrohet, por ajo është shmangur gjithnjë urtisht. E sikur të pranonte pikërisht tani?

Aleksandri hyn fshehurazi në shtëpi. Vasha kërcen përpjetë, kur kujtohet për praninë e djaloshit, që mend e ha me sy: qëllimi i tij duke qartë. E kap për dore e mundohet me të gjitha forcat ta pushtojë. Situata bëhet e padurueshme…

I tërbuar nga qëndresa e Marisë, Aleksandri nxjerr thikën. E ther një herë, dy, tri... katërmbëdhjetë herë. Maria rrëzohet e mbytur në gjak.I tmerruar, djaloshi ia mbath këmbëve duke uluritur. Njerëzit vrapojnë, pyesin ç’ka ndodhur, i afrohen shtëpisë, hyjnë brënda e gjejnë trupin e Marisë, që po jep shpirt në një pellg gjaku.

Vasha çohet menjëherë në spital, por kot. E ndjen se vdekja është afër, e megjithatë nuk trembet. Përkundrazi, ndjen një paqe të madhe në shpirt: e di se po shkon tek Jezusi. Kështu vasha e ngushëllon nënën e mbytur në lot dhe e fal vrasësin: “Për dashuri të Jezusit, e fal Aleksandrin… e dua që edhe ai të vijë me mua në Parajsë”.

Janë fjalët e fundit që shqiptojnë buzët e ngrira. Maria vdes. Është vetëm dymbëdhjetë vjeçe.
Në burg, Aleksandri nuk ndjen kurrfarë brerjeje në ndërgjegje, derisa një ditë shkon ta takojë ipeshkvi, i cili i tregon se Maria e ka falur. Aleksandri papritmas shpërthen në dënesë. Zbulon se është i denjë për dashuri e falje. I tronditur në thellësi të shpirtit nga kjo siguri, preket nga dashuria e Zotit, kthehet e kërkon publikisht falje. Sapo del nga burgu, shkon të takojë nënën e Marisë, e cila e pret me krahë hapur. Në Bazilikën e Shën Pjetrit, lotët rrjedhin në faqet e Aleksandrit, tashmë plak. Maria e nëna e saj e kanë falur për krimin e shëmtuar. Aleksandri ndjen në shpirt ëmbëlsinë e mëshirës e lotët e tij janë lot gëzimi…

(nga rubrika radiofonik e Radio Vatikanit 365 ditë, 2008)

06 korrik 2020, 09:00