Kërko

 Zoja Lourdë Zoja Lourdë 

“Lourdes United”, më 16 korrikun e kaluar, shtegtimi i parë botëror

Sot, në vijim të rubrikës “Në shtegtim, drejt shenjtëroreve”, shtegtojmë drejt Lurdës, në kujtim të përvjetorit të dukjes së 18-të e të fundit të Zojës Bernardetës, në vitin 1858. E, kujtojmë se Shenjtërorja priti sivjet një shtegtim të jashtëzakonshëm. “Shtegtimin” on line, për gjithë botën.

R. SH. - Vatikan

Në përvjetorin e dukjes së 18-të e të fundit të Zojës - Bernardetës, në vitin 1858, Shenjtërorja e Zojës në Lurdë priti sivjet një shtegtim të jashtëzakonshëm. “Shtegtimin” on line,  për gjithë botën, që u zhvillua më 16 korrik drejtpërdrejt nga Shpella  e Dukjeve. Një maratonë prej 15 orësh, në 10 gjuhë, me lutje e dëshmi, transmetuar on line, që u ndoqën nga www.lourdes-united.org. Ishte njëri nga shtegtimet më të jashtëzakonshme, që kur Zoja iu duk bareshës së vogël, Marie-Bernarde Soubirous (Lourdes, 7 janar 1844-Nevers, 16 prill 1879), shpallur shenjte nga Papa Piu XI në vitin 1933.

Shenjtërorja në ditët e pandemisë

Shejtërorja mariane, për herë të parë në histori, u mbyll plotësisht në javët më të vështira të pandemisë e, më pas, u rihap gradualisht në gjysmën e majit, me hyrje të kufizuara besimtarësh, që duhet të ndiqnin të gjitha rregullat e protokollit shëndetësor. Ishin çaste të jashtëzakonshme, sepse  Shenjtërorja e Zojës Lurdë, është shenjtërorja e të gjithë popujve, e të gjitha gjuhëve, racave, kombeve. Na kujton se Zoti është i pranishëm në historinë e njeriut. Zemra e shtegtarit mbushet me gëzim kur, pas një vaji çlirues, thotë: “Zoti më dha shumë hire, e ndjeva me forcë urdhërimin: Shko e mos mëkatno më!”. Kështu, kuptohet, udha drejt Eukaristisë është e  hapur. Kujtojmë edhe se kremtimi i festës së Zojës Lurdë, më 11 shkurt, përkon edhe me Ditën Botërore e të Sëmurëve, dëshmitarë të mrekullive të dashurisë, që vijojnë në këtë vend të bekuar.   

Po, ç’u kujton besimtarëve kjo ngjarje?

Shenjtërorja ngrihet në vendin ku, ndërmjet 11 shkurtit dhe 16 korrikut të vitit 1858, Zoja e Bekuar iu duk 14 vjeçares Bernadette Soubirous. E vijoi t’i dukej 18 herë. Vajza, bijë e një familjeje të thjeshtë fshatare, pohoi se e kishte parë Zojëm e Bekuar në një shpellë, pak larg nga Masabielle. Dukjet e Zojës në Lourdë janë më të pranuarat nga Kisha Katolike, e cila ka njohur zyrtarisht edhe 67 shërime të mrekullueshme të shtegtarëve të sëmurë, që shtegtuan në Lourdë me devocion dhe lutje. Bernadeta, pas takimit të parë, e përshkroi kështu dukjen e Marisë: “Takova një Zonjë, veshur me të bardha. Me petka të ndritshme. Kokën ia mbulonte një vel i hollë, i bardhë e belin ia shtrëngonte brezi blu. Nën këmbë kishte një trëndafil të verdhë”.

Zoja e të sëmurët

 Zoja Lurdë lidhet në mënyrë të posaçme me të sëmurët... E, të parët që përfituan nga prania e Zojës në Lurdë, qenë pikërisht të sëmurët në trup - e për këtë mjafton të lexojmë kronikat e të sëmurëve - e në shpirt - e për këtë flet kthimi i doktor Estrade-s. Në se mëkati duket se ka një farë lidhjeje me sëmundjen, e prej këndej, edhe me vuajtjen, me dhimbjen e me vdekjen, kjo ngjet sepse shpirti e trupi bashkëjetojnë në një simbiozë sa të çuditshme, aq madhështore. Çka nuk duhet ta harrojmë kurrë, është se Zoja na do! E na ngushëllon, në  sëmundje e në shëndet!

31 korrik 2020, 08:20