Kërko

Shëmbëlltyra e mbjellësit Shëmbëlltyra e mbjellësit 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 15-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Ungjilli nga Mateu, ёshtё në një farë mënyre një faqe autobiografike, që pasqyron përvojën e Jezusit, eksperiencën e predikimit të tij. Jezusi identifikohet me mbjellësin e shёmbёlltyrёs ungjillore, që e hedhë farën e mirë të Fjalës së Hyji, dhe vë re efektet e ndryshme që burojnë nga fara e hedhur, sipas mënyrës së pritjes që i rezervohet kumtimit të Fjalës nga çdo njeri.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 15-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 15-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Ungjilli i kësaj së diele të 15-të gjatë vitit kishtar, përmes shëmbëlltyrës ungjillore të mbjellësit që mbjellë farën, metaforë e Mbretërisë së Zotit, e cila herë bie në gurë a zallinë, herë bie pranë udhës, herë bie në ferra dhe herë tjetër bie në tokë të mirë, në njërën anë, na ndihmon ta kuptojmë forcën e Fjalës së Zotit dhe, në anën tjetër, kushtet e domosdoshme që duhet t’i plotësojmë për ta pranuar e mishëruar Fjalën e Hyjit në jetën e përditshme. Frytet që vijnë nga fara e mbjellë e Fjalës Hyjnore, garantohen nga Zoti, nuk varen nga fara apo nga mbjellësi që e mbjellë farën, por nga cilësia e terrenit, do të thotë nga ne. Jezusi na fton të kemi besim në Fjalën e Hyjit, që sjell gjithmonë frytet e veta, si shiu që nuk kthehet në qiell pa pas lagur më parë tokën.

Në shëmbëlltyrën ungjillore të mbjellësit Krishti krahasohet me farëhedhësin dhe shpjegon se fara është Fjala e Zotit: ata që e dëgjojnë e që e pranojnë, sjellin fryte, bëjnë pjesë në mbretërinë e Hyjit, mbeten në botë, por nuk janë më të botës. Kanë në vetvete një farë amshimi, një fillesë shndërrimi, i cili shfaqet që tani në një jetë të mirë, të frymëzuar nga dashuria e krishterë, e cila në fund do të prodhojë ringjalljen e trupit. E ky është pushteti i Fjalës së Krishtit. Zoti nuk na detyron t’i besojmë, por na tërheq me vërtetësinë e me dashurinë e Tij, na bën për vete me dashurinë e Tij, sepse dashuria e respekton gjithnjë lirinë. Pra, kjo shëmbëlltyrë i flet edhe sot secilit nga ne, ashtu si u fliste Jezusi njerëzve dymijë vjet më parë. Na kujton se jemi toka, ku Zoti hedh pa u lodhur kurrë farën e Fjalës së Tij e të dashurisë së Tij.

Jezusi njëjtësohet me mbjellësin, i cili hedh farën e mirë të Fjalës së Zotit dhe vëren me vëmendje frytet që mbledh, sipas truallit a tokёs, domethënë zemrës, e cila e pranon ose jo, farën e mirë, Fjalën e Zotit. Ka nga ata, që e dëgjojnë kalimthi Fjalën, por nuk e pranojnë; të tjerë, e pranojnë në çastin e dëgjimit, por pa forcë shpirtërore, e gjithçka humbet; të tjerë akoma, mposhten nga shqetësimet e joshjet e tё botës; por ka edhe nga ata, që e pranojnë, si toka e mirë, këtu fara jep frytet më të begata.

Pjesa e Ungjillit e liturgjisë sё kёsaj sё diele nёnvizon edhe metodën e predikimit të Jezusit, pra, përdorimin e shëmbëlltyrave, një zgjedhje e motivuar nga vet Jezusi para ithtarëve të vet me dallimin ndërmjet tyre e turmës: nxënësve, do të thotë atyre që janë përcaktuar për Të, Jezusi mund t’u flas haptazi për Mbretërinë e Hyjit, ndërsa për të tjerët duhet ta kumtoi në shëmbëlltyra, për të nxitur pikërisht përcaktimin e tyre, kthimin e zemrës. Në të vërtet shëmbëlltyrat, për natyrën e tyre që kanë, kërkojnë një përpjekje për t’u interpretuar, interpelojnë inteligjencën por edhe lirinë. Së fundi, ‘Shëmbëlltyra e vërtetë e Hyjit’ është vet Jezusi, Qenia e tij që, në shenjë të njerëzimit, fsheh e njëkohësisht dëfton hyjninë.

Shën Gjon Krizostomi shpjegon se Jezusi i tha këto fjalë me qëllim që t’ua tërhiqte vëmendjen dëgjuesve e t’i nxiste, duke i siguruar se po t’i drejtoheshin për ndihmë, Ai do t’i shëronte.  Fjala e Zotit është farë, që duhet pranuar e duhet jetuar, kёtё,pra, na porosit shëmbëlltyra e bujkut, duke na kujtuar sa rëndësi ka ta pranosh e ta jetosh mesazhin e Krishtit, i cili flet me një gjuhë të kuptueshme për të gjithë, me figura të marra nga natyra e nga ndodhitë e jetës së përditshme.

                                                 Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë   Is 55, 10-11

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti: “Sikurse zbret shiu e bora nga qielli e atje nuk kthehet, por e ujit tokën, e zbrun dhe i jep fuqi të blerojë, i jep bujkut farën dhe bukën për ushqim, kështu edhe fjala ime që del prej gojës sime, s’do të kthehet tek unë pa fryt, pa pasë kryer gjithçka më pëlqen dhe pa pasë zbatuar atë për çka e drejtova.” Fjala e Zotit.

Psalmi  65

Ref: Vizitoje tokën tënde, o Zot, dhe bekoji të mbjellat në të

———————————————–

Ti kujdesesh për tokën dhe e ujit,

e ngarkon me prodhime të begatshme.

Lumi i Hyjit është plot me ujë:

ti bën të rriten drithëra për njerëz!

———————————————–

Tokën ti kështu e përgatit:

hullitë ia lag, bucat ia imtëson,

me shi e zbrun, të mbjellat ia bekon.

———————————————–

E kurorëzon vitin me mirësinë tënde,

gjurmëve të tua rrjedh begatia,

kullotat e shkretëtirës rrijnë njomësi,

mballesat bregoreve ngjeshen me hare.

———————————————–

Livadhet janë të veshura me dhen,

luginat mbulohen me drithëra:

gjithkah këngë e brohoritje me hare!

———————————————–

 

Leximi i dytë    Rom 8, 18-23

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, në të vërtetë, unë mendoj se të gjitha vuajtjet e tanishme nuk janë të denja të krahasohen me lumturinë e ardhshme që do të zbulohet në ne. E njëmend, edhe vetë krijesa me afsh e pret zbulimin e bijve të Hyjit: krijesa, në të vërtetë, është e nënshtruar kotësisë – jo pse do, por për arsye të atij që e nënshtroi – porse njëmend në shpresë. Sepse edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit. Sepse e dimë: mbarë krijesa gjëmon dhe vuan në dhimbjet e lindjes deri tani. Dhe jo vetëm ajo! Por, gjithashtu edhe ne, që kemi frytet e para të Shpirtit Shenjt, gjëmojmë në vetvete, duke pritur adoptimin – shpërblimin e trupit tonë.  Fjala e Zotit.

Aleluja.

Fara është fjala e Zotit, mbjellësi është Krishti: kushdo e gjenë atë e ka jetën e pasosur.

Aleluja

Ungjilli   Mt 13, 1-23

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Atë ditë Jezusi doli prej shtëpisë dhe u ul të rrijë buzë detit. Një turmë e madhe populli ngarendi tek ai kështu që hypi në barkë dhe u ul ndenjur, kurse mbarë populli zuri vend në breg. U foli për shumë gjëra në shëmbëlltyra. Kështu u tha: “Doli mbjellësi për të mbjellë. Ndërsa po mbillte, disa kokrra ranë pranë udhës, erdhën shpendët dhe i hëngrën. Disa ranë në zallinë, ku kishte pak dhe. Mbinë shpejt, sepse nuk e kishin tokën e thellë. Porse, kur doli dielli, u vyshkën prej vapës dhe u thanë, pse nuk kishin rrënjë. Disa tjera ranë në ferra. Ferrat u rritën e ua zunë frymën. Kurse disa tjera ranë në tokë të mirë e ato dhanë fryt: njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish e tjetra tridhjetëfish. Kush ka veshë, le të dëgjojë!”. 

Nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Pse po u flet me shëmbëlltyra?” Ai u përgjigji: “Sepse ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit, ndërsa ata nuk e morën. Për të vërtetë, atij që ka do t’i jepet edhe më dhe do të ketë me shumicë, kurse atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka. Për këtë arsye atyre u flas në shëmbëlltyra, sepse shikojnë e nuk shohin, dëgjojnë e nuk ndiejnë as nuk kuptojnë. Mbi ta plotësohet profecia e Isaisë që thotë: ‘Mirë do të dëgjoni, por s’do të kuptoni; mirë do të shikoni, por nuk do të shihni. Vërtet zemra e këtij populli s’ka më ndjenja, u bë i rëndë ndër veshë, sytë i janë mbyllur, që të mos shohë me sy, të mos dëgjojë me veshë, që të mos kuptojë shpirti i tyre e të mos kthehen. E unë i kisha shëruar!’ Lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë! Përnjëmend po ju them: shumë profetë e të drejtë dëshiruan të shohin çka ju po shihni, por nuk e panë, të dëgjojnë çka ju po dëgjoni e nuk e dëgjuan. 

Tani dëgjoni ç’do të thotë shëmbëlltyra e mbjellësit: Secilit që e dëgjon Fjalën e Mbretërisë e nuk e kupton, i vjen i keqi dhe ia rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër. Ky është ai që u mboll pranë udhës. E i mbolli në zallinë, është ai që e dëgjon Fjalën dhe me gëzim e pranon, porse, për arsye se s’ka rrënjë në vetvete, pse është i paqëndrueshëm, posa të vijë ndonjë ngushticë ose salvim për shkak të Fjalës, përnjëherë e bjerr besimin. E i mbolli në ferra, është ai që e dëgjon Fjalën, por kujdesi i tepruar i kësaj bote dhe gënjimi i pasurisë, ia marrin frymën Fjalës e ajo mbet pa fryt. E i mbolli në tokë të mirë është ai që e dëgjon Fjalën, e kupton, dhe bie fryt: njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri tridhjetëfish”. Fjala e Zotit.

11 korrik 2020, 07:31