Vangelo dalla 17 domenica A  Vangelo dalla 17 domenica A  

Liturgjia e Fjalёs sё Zotit e dielës sё 17-tё gjatë vitit kishtar "A"

Ungjilli i kёsaj sё diele na kujton se thesari, margaritari e tregtari janë simbole të mbretërisë së Krishtit. Duhet, prandaj të vlerësojmë mbi çdo të mirë e çdo pasuri, bashkimin tonë me Zotin.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të Dielës së 17-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.

Liturgjia e Fjalёs sё Zotit e dielës sё 17-tё gjatë vitit kishtar "A"

Tema kryesore e leximeve biblike të kësaj së diele është Mbretëria e Zotit, të cilën, kësaj here, Ungjilli i së dielës na e paraqet si thesarin më të çmueshëm,  per të cilin thesar njëherë që gjendet, flijohet gjithçka për ta pasur.  E zbulimi themelor, që mund të shkaktojë një kthesë vendimtare në jetën tonë njerzёore, duke e mbushur plot me kuptim ёshtë Jezusi.  Është Ai, “thesari i fshehur”, ёshtё Ai, “margaritari me vlerë të pallogaritshme”, për të cilin flet Ungjilli, i kësaj së diele të fundme të korrikut, nga Mateu. Pёrmes shёmbёlltyrave ungjillore, nga kapitulli 13-tё i Ungjillit të Mateut, Jezusi, kёsaj radhe, na kujton se “kërkimi” e “flijimi”  janë dy karakteristikat, që krijojnë kushtet për të arritur në Mbretërinë e Zotit, e cila bëhet e pranishme pikërisht në Vetjen e Jezusit.

Shëmbëlltyrat e pjesёs sё Ungjillit tё kёsaj sё diele, që kapitulli XIII i Ungjillit të Mateut ia kushton edhe një herë Mbretërisë së Qiejve, kanë si protagonistë “një katundar i cili, rastësisht, gjen një thesar të fshehur në arën ku punon” dhe “një tregtar margaritarësh të çmuar” që, si njohës i mirë thesaresh, është në kërkim perlash të kushtueshme; e edhe e gjen një, me vlerë të pallogaritshme. Të dy janë gati të bëjnë çmos për t’i shtënë në dorë këto thesare, të gjetura krejt rastësisht.

Pra, së pari, duhet të kërkojmë, në se duam të gjejmë. Mbretëria e Zotit u ofrohet të gjithëve, është dhuratë, është hir, por nuk të vihet para në pjatë argjendi, kërkon dinamizëm: duhet ta kërkosh, të ecësh, të luash nga vendi. Duhet, pra, që zemra të përvëlohet nga dëshira për ta pasur këtë thesar të çmuar, domethënë, Jezusin! Por kjo nuk mjafton: duhet edhe flijimi.

Na e tregon vetë shëmbëlltyra ungjillore e kёsaj sё diele: para një rasti kaq të papërsëritshëm, si fshatari, ashtu edhe tregtari “shesin gjithçka kanë”.  Prej këndej, vlera e jashtëzakonshme e thesarit kërkon edhe flijim, shkëputje nga shumë sende, vetëmohim. E kjo na kujton se kur e kemi gjetur Zotin, nuk duhet lënë shterpë kjo gjetje, por duhet të flijohemi për Të.

Njëkohësisht Fjala e Zotit nënvizoi edhe se ta vësh Jezusin në vendin e parë, ta vësh Hirin e Tёnzot në vendin e parë, nuk do të thotë të heqësh dorë nga gjithçka  e as t’i përbuzësh të gjitha sendet e tjera. Do të thotë të gjesh gëzimin e vërtetë, që vetëm Zoti mund ta japë. Është gëzimi ungjillor i të sëmurëve të shëruar, i mëkatarëve të falur, gëzimi i hajdutit, që shikon t’i hapet para porta e Parrizit. Është gëzimi i secilit prej nesh, kur zbulon afërsinë dhe praninë ngushëlluese të Jezusit në jetë, prani që ta shndërron shpirtin e ta hap zemrën për mikpritjen e vëllezërve, posaçërisht më të ligshtëve, nevojtarëve e edhe për një buzagaz të çiltër.

Ungjilli i kёsaj sё diele, pra, na fton ta dëshmojnë me fjalë e me gjeste të përditshme gëzimin e gjetjes së thesarit të Mbretërisë së Hyjit, domethënë,të dashurisë që na dhuroi Ati, përmes Jezusit.

                                                    Liturgjia e Fjalёs sё Zotit

Leximi i parë (1 Mbr 3, 5. 7-12)
Mbreti Salomon që kur ishte në moshë të re kishte zbuluar se asgjë s’ishte më e rëndësishme se dituria. Njeriu mund të realizojë shumë plane njerëzore, por në momentin në të cilin gjendet përballë vetvetes zbulon varfërinë e tij shpirtërore. Zbulon kufijtë dhe mangësitë e tija. Atëherë Hyji bëhet i pranishëm në njeriun dhe i dhuron dituri secilit që pranon përvujtërisht se ka nevojë për të.

Lexim prej Librit të Parë të Mbretërve

Në ato ditë, në Gabaon, Zoti iu shfaq Salomonit natën në ëndërr e i tha: “Kërko çka do që të jap unë!” Salomoni tha: “E tani, o Zot, Hyji im, ti e bëre mbret shërbëtorin tënd në vend të babait tim, Davidit. Mirëpo, unë jam djalosh i ri dhe nuk di si duhet mbretëruar. Shërbëtori yt është në mes të popullit që ti e ke zgjedhur për vete, të popullit e panumërt që nuk mund të njehet as nuk mund të numërohet për shkak të madhësisë. Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër që di të mësojë, që të dijë ta gjykojë popullin tënd e të dijë ta dallojë të mirën prej së keqes. Sepse, kush është ai që do të mund ta gjykojë popullin tënd të madh?”
Zotit i pëlqeu kërkesa e tillë që Salomoni i bëri dhe Hyji i tha Salomonit: “Pasi ti kërkove këtë gjë dhe nuk kërkove për vete as jetë të gjatë, as pasuri, as vdekjen e armiqve të tu, por kërkove urtësinë për të bërë drejtësi, ja, po bëj ashtu siç kërkove ti: po të jap mendje të kthjellët e plot kuptim kaq sa të tillë nuk e ka pasur askush para teje dhe s’do ta ketë askush pas teje si ti.” Fjala e Zotit!

Psalmi 119 (118)
Ref: Ligji yt, o Zot, është gëzimi im
____________________

Para se sprovova vuajtjen u enda larg teje,
por tani unë e mbaj fjalën tënde.
Më i mirë është për mua ligji yt
se me monedha ari e argjendi.
____________________

Le të më ngushëllojë, pra, përdëllimi yt
sipas premtimit që i dhe shërbëtorit tënd.
Ardhtë mbi mua mëshira jote e do të jetoj,
sepse ligji yt është kënaqja ime.
____________________

Oh, sa i dua urdhërimet e tua:
më tepër se arin, se gurin e çmueshëm.
Nergur i mbaj urdhërimet e tua të gjitha,
e urrej çdo udhë gënjeshtre.
____________________

Të mrekullueshme janë dëshmitë e tua,
prandaj i mban shpirti im.
Zbulesa e fjalëve të tua ndriçon:
të miturit i bën të urtë.
____________________


Leximi i dytë (Rom 8, 28-30)

Shën Pali na flet për planin e Hyjit ndaj nesh. Hyji ka plane të mira ndaj njerëzimit dhe përdor mjetet e nevojshme për t’i realizuar. Ne i njohim këto mjete: pagëzimi, thirrja drejt fesë, lutja e Shpirti në ne, shenjtërimi i vazhdueshëm i qënies sonë.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan, me ata që, me vendimin e tij, janë të thirrur. Sepse ata që ka njohur që më parë, ata edhe i paracaktoi të jenë të ngjashëm me Birin e vet, kështu që Biri i tij të jetë vëllai i parë në mes të shumë vëllezërve. Ata që i paracaktoi, ata edhe i grishi; ata që i grishi, ata edhe i shfajësoi, ata që i shfajësoi, ata edhe i lavdëroi. Fjala e Zotit!

Aleluja, Aleluja.
Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut,
që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.
Aleluja.

Ungjilli (Mt 13, 44-52)
Jezusi me shëmbëlltyrat e thesarit, të perlës dhe të rrjetës na bën të kuptojmë se lumturia e vërtetë është shpesh e fshehur dhe ai që e kërkon duhet të sforcohet dhe të heqë dorë nga shumë gjëra. Njeriu që zgjedh thesarin e Hyjit pranon të humbasë gjërat që nuk kanë rëndësi përballë zgjedhjes së tij. Edhe Kisha që shpall të vërtetën e Ungjillit nuk ka frikë se disa mund të largohen nga ajo.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me visarin e fshehur në arë: njeriu që e gjen, e fsheh prapë, dhe, plot gëzim, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë arë. Mandej Mbretëria e qiellit i përngjan tregtarit që kërkon perla të çmueshme. Kur e gjen një perlë me vlefte të madhe, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë perlë.”
Përsëri Mbretëria e qiellit i ngjan rrjetës që hidhet në det dhe mbledh çdo lloj peshku. Kur mbushet, peshkatarët e qesin në breg, ulen dhe i mbledhin peshqit e mirë në enë e të këqijtë i tresin. Kështu do të ndodhë edhe në mbarimin e botës: do të dalin engjëjt e do t’i ndajnë të këqijtë prej të drejtëve dhe do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh.
A i kuptuat të gjitha këto?”
“Po!” – i përgjigjën ata.
E ai u tha: “Kështu pra, çdo skrib, që e përvetësoi mësimin e Mbretërisë së qiellit i përngjan zotështëpisë, që nxjerr nga visari i vet gjëra të reja e të vjetra.” Fjala e Zotit !

25 korrik 2020, 12:25