Kërko

Così è il regno di Dio Così è il regno di Dio 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 16-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Njerëzit priren vetvetiu ta ndajnë njerëzimin në dy kategori të mëdha: të mirët nga njëra anë e nga ana tjetër të këqinjtë. Kjo prirje vihet re edhe në rrafshin fetar. Kërkohet bekimi për vete, për familjen, për kombin të cilit i përkasim, ndërsa mallkimet le të godasin të tjerët, armiqtë e kundërshtarët. Mbretëria e Zotit i duron të mbrapshtët dhe mëkatarët, sepse ka besim të patundur në veprimin e Hyji, i cili di ta presë njeriun, që vepron në liri.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit. Kësaj radhe do të meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 16-të, gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik. 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 16-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Fragmenti i Ungjillit të kësaj së diele na paraqet shëmbëlltyrën e grurit e të egjrës, e cila na mëson se Zoti nuk ndërhyn menjëherë, me bujë, në historinë e njeriut. Ka durim. Pret. Por në fund të fundit, e keqja zhduket. Mbretëria e Zotit, për të cilën flet Jezu Krishti, nuk imponohet me forcë, sepse i jep mundësinë njerëzimit mëkatar të shndërrohet nga forca e dashurisë. Historia e njeriut përbëhet nga një përzierje e mistershme e së mirës me të keqen. Në fushë është hedhur fara e grurit, por mbin edhe egjra. Zoti i lë të rriten deri në fund, për të ndarë pas të korrave, grurin nga egjra.

Ungjilli nga Mateu na fton të kemi durim e të gjitha leximet  biblike të kësaj së diele përshkohen nga optimizmi.  Shëmbëlltyra ungjillore grurit të mirë e të egjrës, prek problemin e së keqes në botë e vë theksin mbi durimin e Hyjit: fjala ‘egjër’ në hebraishte ka të njëjtën rrënjë me fjalën Shejtan e të kujton përçarjen. Djalli, mos tё harrojmё, atë punë ka: t’i përçajë njerëzit, familjet, kombet, popujt. Është armik dinak, që mbjell farën e së keqes në arën e së mirës, në mënyrë që njerëzit, pastaj, të mos jenë në gjendje ta dallojnë e ta ndajnë të mirën nga e keqja. Por, na kujton Jezusi, nëse nuk janë në gjendje ta bëjnë njerëzit, e bën Zoti. Hyji di ta ndajë grurin nga egjra, por pa ngut. Ai pret, në kundërshtim me ne, që nxitohemi tepër, kur është fjala për të gjykuar, për t’i veçuar shpejt e shpejt ata që na duken të mirë e për t’i shkulur me gjithë rrënjë, të këqijtë, sipas gjykimit tonë.

Ndërsa Hyji di të presë. Ai e shikon arën e jetës së çdo njeriu me durim e mëshirë: i shikon shumë më mirë se ne, ndyrësinë e të keqen, por edhe më mirë sheh bumbeskat e së mirës e pret me durim të rriten e të piqen. Hyji është durimtar, pret gjithnjë, na pret, e na pret me zemër në dorë, për të na rrokur, për të na falur! Na fal gjithnjë, nëse shkojmë tek Ai. Prej këndej mund të themi se sjellja e të zotit të arës, në shëmbëlltyrën ungjillore, është simbol shprese, bazuar mbi sigurinë se e keqja nuk e ka as fjalën e parë dhe as atë të fundit.

Falë kësaj shprese durimtare të Hyjit, edhe vetë egjra, domethënë zemra e keqe, e ngarkuar me ligësi e mëkate, në fund të fundit mund të bëhet grurë i mirë. Por, kujdes! Durim ungjillor nuk do të thotë qëndrim indiferent ndaj së keqes: e mira dhe e keqja nuk mund të ngatërrohen. Përballë egjrës, që lëshon shtat në botë, dishepulli i Zotit duhet të ketë durimin e Hyjit. Ta ushqejë shpresën me besimin e patundur në fitoren përfundimtare të së mirës, domethënë, të Hyjit. Në fund, kur të vijë ora e gjyqit hyjnor, përfundon shёmbёlltyra duke na sjell fjalёt e Jezusit, e keqja do të shkulet me rrënjë e do të zhduket, sepse gjykatësi do të jetë Jezusi e të gjithë do të gjykohemi, duke u matur me të njëjtin metër. Me të njëjtin metër, me të cilin gjykuam: metrin e mëshirës, që patëm për të tjerët.

Leximi i parë nga Libri i Urtisë thekson se Zoti i mëshirshëm nxit çdo njeri, pra edhe armiqtë e Izraelit, drejt ndryshimit të jetës. Hyji gjykon me butësi e qeveris me shpirtmadhësi.

Ndërsa në Letrën drejtuar Romakëve, Shën Pali Apostull, në Leximin e dytë, pohon se nëse e lemë veten në duart e dobësisë, nuk jemi të aftë ta zgjedhim Zotin. Por edhe duke ecur në errësirën e të tashmes, dimë se Shpirti Shenjt u thotë zemrave tona fjalën e vërtetë e përfundimtare, që na orienton drejt Mbretërisë së Hyjit.       

                                                     Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Urt 12, 13.16-19

Hyji e qeveris botën me butësi dhe durim. Atyre që pyesin vetveten se pse Hyji nuk i shkatërron paganët, i dituri i Biblës shpjegon se Zoti është i mirë dhe i mëshirshëm. Hyji është gjithmonë i gatshëm për t’u dhënë shpresë bijve të tij që kanë gabuar.

Lexim prej Librit të Urtisë

Jo, përveç teje tjetër Hyj nuk ka që të kujdeset për të gjithë, para të cilit të mbrohesh se nuk gjykove drejt. E njëmend fuqia jote është parimi i drejtësisë e, për arsye se je Zotëruesi i të gjithave, pra edhe mundesh t’i kursesh të gjitha. Pushtetin tënd e dëfton vetëm atëherë, kur s’besohet në gjithëpushtetësinë tënde dhe e ndëshkon krenarinë e atyre që s’të njohin. Ti, ngase je zotëruesi i gjithë pushtetit, gjykon me butësi e na sundon me ndjesë të madhe: pushtetin e ke në dorë e mund ta përdorësh kur të duash. Duke vepruar në këtë mënyrë ti e ke mësuar popullin tënd se i drejti duhet të jetë i njerëzishëm dhe ua ke dhënë fëmijëve të tu shpresën e mirë se pas mëkatit dhuron mundësinë e pendimit. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 86

Ti je i mirë, o Zot, e na fal

Ki mëshirë për mua, o Zot,

se gjithë ditën të thërras në ndihmë.

Dëgjoje, o Zot, uratën time,

vështroje zërin e lutjes sime.

 

Të gjithë paganët prej teje të krijuar,

do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot,

dhe do të madhërojnë Emrin tënd,

sepse ti je i madhërishëm e bën mrekulli, ti je i vetmi Hyj.

 

Por ti, o Zot, Hyj i mëshirshëm

e i dhimbshëm, i ngadalshëm në zemërim,

plot dashuri e duresë,

shiko mbi mua e ki mëshirë për mua.

 

Leximi i dytë Rom 8,26-17

Ne jemi shumë të paduruar. Mbase kërkojmë shumë me lakmi një shpjegim dhe shpresojmë në ndryshime magjike dhe të menjëhershme. Dhe në fakt nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutje. Edhe pse kemi marrë Shpirtin e Krishtit, historia jonë mbetet plotësisht njerëzore. Besimi i krishterë na thotë se Shpirti Shenjt vepron në mënyrë të mistershme në botë.

Lexim prej Letrës së  shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, Shpirti Shenjt na ndihmon në paaftësinë tonë, sepse ne nuk dimë as çka të kërkojmë me lutje si duhet, por vetë Shpirti Shenjt lutet për ne me ofshame të patregueshme. E Ai që i njeh zemrat, e di dëshirën e Shpirtit Shenjt – se ai lutet për besimtarët ashtu si do Hyji.  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

 

Aleluja! Aleluja!

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.

Aleluja! Aleluja!

 

Ungjilli   Mt 13, 24-43

Jezusi me shëmbëlltyrën e egjrës dhe të grurit të mirë, na bën të kuptojmë se jeta zhvillohet në luftën mes së mirës dhe së keqes. Vetëm në fund të botës Hyji do të japë gjykimin e tij. Jezusi nëpërmjet kësaj shëmbëlltyre na shfaq fytyrën e Hyjit Atë i mëshirshëm me të gjithë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me njeriun që mbolli farë të mirë në arën e vet. Ndërkohë që njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij, mbolli egjër nëpër grurë e shkoi. Kur u rritën të mbjellat dhe lidhën frytin, atëherë u duk edhe egjra. Shërbëtorët iu afruan zotit të shtëpisë dhe i thanë: ‘Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në arën tënde? Nga doli, pra, egjra?’ Ai u përgjigji: ‘Armiku e bëri këtë!’ Atëherë i thanë shërbëtorët: ‘A të shkojmë e ta mbledhim?’ ‘Jo – u përgjigj ai – se duke e mbledhur egjrën druaj se, bashkë me të, nxirrni edhe grurin! Lëni të rriten bashkë deri në të korra. Në kohë të korrjes do t’u them korrëtarëve: ‘Mblidhni më parë egjrën dhe lidheni duaj për ta djegur e grurin mblidheni në drithnikun tim’!”. Mandej u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në arën e vet. Ajo është, pa dyshim, më e vogla ndër të gjitha farërat, por kur rritet, bëhet më e madhe se të gjitha barishtet, zhvillohet në lëndë, sa që shpendët e qiellit vijnë e bëjnë çerdhe në degë të tij”.

U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiellit i përngjan tharmit që e merr gruaja dhe e përzien me tri masë miell derisa të mbruhet të gjithë”. Të gjitha këto Jezusi ia tha popullit në shëmbëlltyra dhe asgjë nuk i thoshte pa shëmbëlltyra që të plotësohej fjala e profetit: “Do të flas në shëmbëlltyra, do të zbuloj gjëra të fshehura që nga krijimi i botës”. Atëherë e shpërndau turmën dhe hyri në shtëpi. Nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Na e shtjello shëmbëlltyrën e egjrës së arës.” Ai u përgjigj: “Ai që mbjell farën e mirë, është Biri i njeriut. Ara është bota. Fara e mirë janë ata që i përkasin Mbretërisë. Egjra paraqet ata që i përkasin Qoftëlargut. Armiku që mbolli egjrën është djalli. Korrja është mbarimi i botës. Korrtarët janë engjëjt. Siç mblidhet egjra e digjet në zjarr; kështu do të ndodhë në mbarimin e botës. Biri i njeriut do t’i dërgojë engjëjt e vet për t’i mbledhur në Mbretërinë e tij të gjithë ngashënjyesit dhe ata që bëjnë keq, e do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh. Kurse të drejtët, atëherë, do të shndrisin porsi dielli në Mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka vesh, le të dëgjojë!” Fjala e Zotit. Lavdi ty, o Krisht!

18 korrik 2020, 08:32