Kërko

Ungjilli i sё dielёs Ungjilli i sё dielёs  

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 14-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Lutja e hyrjes së Meshës përmbledh shumë mirë mesazhin e liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele: “Zoti, që u dëftohet të vegjëlve dhe u dhuron të përvuajturve, atyre që janë të thjeshtë trashëgiminë e mbretërisë së tij, na bëftë të varfër, të lirë e të ngazëlluar...”.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të liturgjisë hyjnore të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 14-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik...

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 14-të gjatë vitit kishtar ‘A’

“Ejani tek unë, ju të gjithë, që jeni të lodhur e të shtypur, e unë do t’ju çlodh!”. Kjo ftesa e Jezusit, në Ungjillin e kёsaj sё diele. Krishti Zot ka parasysh njerëzit, që i takon ditë për ditë, njerëz të thjeshtë, të varfër, të sëmurë, mëkatarë, të shtypur. Këta njerëz e ndoqën gjithnjë për ta dëgjuar Fjalën e Tij, Fjalë, që jepte e jep shpresë - Fjalët e Jezusit japin gjithnjë shpresë! – e edhe për të prekur vetëm një kind të petkut të Tij. Jezusi vetë i kërkonte këto turma të lodhura e të këputura, si delet pa bari (krh Mt 9,35-36): kështu thotë Ai vetë; i kërkonte, për t’u kumtuar Mbretërinë e Hyjit e për t’i shëruar shumë prej tyre në korp e në shpirt. Tani i thërret të gjithë: ‘Ejani tek unë’, e u premton prehje.

Kjo ftesë e Jezusit, na kujton pjesa e Ungjillit, vijon edhe në ditët tona, për t’i takuar shumë vëllezër e motra, të ndrydhura nën barrën e jetës së varfër, të jetës pa shpresë e pa asnjë pikë mbështetjeje. Në vendet më të varfra, por edhe në ato më të pasurat, e dimë tё gjithё, ka shumë njerëz të lodhur e të këputur nën barrën e padurueshme të varfërisë, tё braktisjes e të indiferencës.

Pikёrisht indiferenca njerëzore u bën keq tё varfërve e nevojtarëve. E edhe më keq, ajo e të krishterëve. Në skutat e shoqërisë ka shumë burra e gra, thyer më dysh nga skami, por edhe nga pakënaqësia e jetës e nga zhgënjimi. Shumë detyrohen të ikin nga Atdheu i tyre, duke vënë në rrezik edhe vetë jetën. Të tjerë vijojnë të mbartin mbi shpinën e këputur, një sistem ekonomik, që e shfrytëzon deri në palcë njeriun, që e vë nën një zgjedhë të padurueshme, të cilën vetëm pak të privilegjuar nuk duan ta mbartin. Secilit nga këta bij të Atit, që është në qiell, Jezusi i përsërit: ‘Ejani tek unë, ju të gjithë!’. Jezusi ua thotë këtë edhe njerëzve, që kanë gjithçka, por zemra e tyre është bosh. Edhe të kamurve ua drejton këtë ftesë Jezusi: “Ejani tek unë!”. Ftesa e Jezusit ka vlerë për të gjithë. Por në mënyrë të posaçme, për ata që vuajnë më shumë.

Jezusi na bën edhe një ftesë, që tingëllon si urdhër: “Merreni zgjedhën time mbi vete e mësoni nga unë, që jam zemërbutë e i përvujtë” (Mat 11. 29). Zgjedha e Zotit është të marrësh mbi vete barrën e tjetrit, e ta marrësh me dashuri. Si ta kemi marrë prehjen e ngushëllimin e Jezusit, jemi të thirrur të bëhemi prehje e ngushëllim për vëllezërit, me sjellje të butë e të përvujtë, duke i përngjarë Mësuesit. Butësia e përvujtëria e zemrës na ndihmojnë jo vetëm të marrim mbi vete barrën e të tjerëve, por edhe të mos bëhemi ne vetë barrë, për të peshuar mbi ta me këndvështrimet tona personale, me gjykimet tona, kritikat e indiferencën tonë.

Ilaçi i vërtetë për plagët materiale e shpirtërore të njerëzimit, si uria, papunësia e padrejtësitë, por edhe për ato plagë psikologjike e morale, të hapura për shkak të mirëqenies së rreme, e kohëve fundit edhe nga pandemia e Covid-19, është rregulli i një jete të bazuar mbi dashurinë vëllazërore, që e ka burimin e vet në dashurinë e Zotit”.

Jezusi u premton të gjithëve “çlodhje” – na kujton Ungjilli i kёsaj sё diele - por me një kusht: të jetojnë sipas ligjit të dashurisë. E Kisha flet qartë në këtë drejtim. Duhet braktisur rruga e arrogancës, e dhunës, që përdoret si mjet për të fituar pozita gjithnjë më të larta, më të pushtetshme e për të siguruar suksesin me çdo kusht.

                                                                         Liturgjia e Fjalës

Lexim prej Librit të Zakarisë profet (9, 9-10)

Kështu thotë Zoti: “Gëzo me gjithë shpirt, Bija e Sionit, galdo, Bija e Jerusalemit! Ja, mbreti yt, po vjen te ti: është i drejtë e Shpëtimtar, por i përvuajtur e në shpinë të gomarit, në shpinë të gaçit, zogut të gomarit! Nga Efraimi do ta zhdukë karrocën, kalin nga Jerusalemi. Do të copëtohet barku i luftës. Kombeve do t’u shpallë paqen. Sundimi i tij prej detit në det, prej lumit në skajet e tokës!” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 145

I bekuar je ti, o Zot, Mbret i përvuajtur i lavdisë

Do të lartësoj, o Mbret, Hyji im,
dhe do ta bekoj Emrin tënd 
përgjithmonë e jetës.
Çdo ditë do të të bekoj,
dhe do ta lavdëroj Emrin tënd.

Zoti është vetë butësia e mëshira,
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mirë për të gjithë,
i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.

Le të lavdërojnë, o Zot, 
të gjitha veprat e tua,
e le të bekojnë shenjtërit e tu.
Le ta tregojnë lavdinë e mbretërisë 
sate, le të kuvendin për pushtetin tënd.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve (8, 9.11-13)

Vëllezër, ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij. Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju.
Këndej, o vëllezër, ne kemi detyrim, por jo kundrejt mishit, që të jetojmë nën ndikimin e mishit: sepse, në qoftë se jetoni sipas ndikimit të mishit, do të vdisni, por, përkundrazi, po qe se i bëni të vdesin veprat e mishit nën ndikimin e Shpirtit, atëherë do të jetoni. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

ALELUJA, aleluja. 
Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.
Aleluja

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut (11, 25-30)

Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha: “Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit, e ua zbulove të vegjëlve. 
Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu.
Ati më dorëzoi mua gjithçka dhe askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit, dhe askush s’mund ta njohë Atin, përveç Birit e përveç atij kujt do Biri t’ia zbulojë. Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë, që jam zemër butë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.” Fjala e Zotit! Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

04 korrik 2020, 15:21