Kërko

1589368073994.jpg

Kisha nëpër botë, nga shtegtimi virtual në Lurdë tek Filipinet në lutje

Lourdes United, bota online në shtegtim tek Maria; Béchara Raï: status neutral për Libanin kundër krizave; Filipinet në lutje për “shërimin kombëtar”; Famullitë e Romës ofrojnë hapësira për shkollat, që të hapin në siguri.

R.SH. - Vatikan

Lourdes United, bota online në shtegtim tek Maria: “Shenjë shprese e bashkimi”

Shenjtërorja e Lurdës ka sot një takim tejet të veçantë me botën. Në ditën kur përkujtohet dukja e 18-të dhe e fundit e Zojës para vogëlushes Bernardetë – edhe ajo shenjte më vonë - miliona besimtarë nga të gjitha kontinentet bashkohen përmes televizionit, radios dhe rrjeteve shoqërore, në shtegtimin e parë global e virtual në historinë e saj, quajtur profetikisht “Lourdes United” (Lurda e bashkuar). Pesëmbëdhjetë orë në emision të drejtpërdrejtë, pa ndërprerje, nga ora 7 deri në orën 22, gjatë të cilave, në dhjetë gjuhë të ndryshme, alternohen kremtime, procesione, rruzare dhe lutje të tjera, nën udhëheqjen e meshtarëve dhe të vullnetarëve të shenjtërores. Nga ora 16 deri në orën 18, një çast tjetër unik: në Shpellën e Dukjeve të Zojës, figura të rëdësshme fetare dhe laike do të tregojnë për rëndësinë, që ka pasur Lurda në jetën e tyre. E jo vetëm kaq. Kjo kohë reflektimi do të shoqërohet edhe me muzikë e dëshmi për vëllazërimin dhe solidaritetin. Është një mënyrë për të ftuar sa më shumë njerëz në shenjtërore, e cila, pavarësisht se i hapi dyert pas periudhës së mbylljes, për shkak të koronavirusit, mund të pranojë vetëm një numër të kufizuar njerëzish, për të respektuar masat e sigurisë.

Kardinali Béchara Boutros Raï, patriark i Antiokisë së Maronitëve
Kardinali Béchara Boutros Raï, patriark i Antiokisë së Maronitëve

Béchara Raï: status neutral për Libanin kundër krizave

Akoma vështirësi dhe protesta në Liban kundër ngritjes së çmimeve dhe korrupsionit, në kuadrin e krizës së rënduar nga pandemia. Bashkësia ndërkombëtare, deklaron kardinali Béchara Boutros Raï, patriark i Antiokisë së Maronitëve, nuk u përgjigjet sa duhet kërkesave të Bejrutit për ndihmë dhe e sheh me shqetësim praninë e shiitëve pro-iranianë hezbollahë në qeveri. Kardinali propozon një zgjidhje: OKB-ja të votojë për statusin neutral të vendit.

Besimtarë filipinas në lutje
Besimtarë filipinas në lutje

Filipinet në lutje për “shërimin kombëtar”

          U hapën sot, më 16 korrik, në festën e Zojës Karmë, për të përfunduar më 5 gusht, në ditën e Kushtimit të Bazilikës së Zojës së Madhe, 21 ditët e lutjes, organizuar nga ipeshkvi i Lingayen-Dagupan në Filipine, imzot Socrates Villegas. Këto tri javë do t’i kushtohen shërimit kombëtar të vendit, të cilit i duhet të përballojë një mijë sfida, ndër to, edhe pandemia e koronavirusit. Numri 21 i ditëve, u referohet 21 akteve të rebelimit të izraelitëve pas lirimit të tyre nga Egjipti. Për shkak të gjendjes së vështirë e protestave, “sot – nënvizon ipeshkvi – jemi edhe ne në gjendje rebelimi ndaj Zotit e pikërisht për këtë, vuajmë pasojat e mëkateve tona. Duhet të pendohemi, nëse duam të shërohemi”.

Shkollat në kohë koronavirusi
Shkollat në kohë koronavirusi

 

Famullitë e Romës ofrojnë hapësira për shkollat, që të hapin në siguri

Disa nga hapësirat e famullive romake u janë dhënë për përdorim shkollave të kryeqytetit italian, që të mund të hapin në shtator, duke respektuar normat e sigurisë kundër koronavirusit. Nisma e dioqezës së Papës përbën një bashkëpunim të paprecedent ndërmjet institucioneve kishtare e atyre civile, në zbatim të parimit të susidiaritetit, pra, të ndërhyrjes aty ku ka nevojë. Por është edhe shenjë e një Kishe të mishëruar në shoqëri, që vihet në shërbim të qytetarëve, pavarësisht nga feja e tyre.

16 korrik 2020, 13:37