Korpi dhe Gjaku i Shenjtnueshëm i Jezu Krishtit Korpi dhe Gjaku i Shenjtnueshëm i Jezu Krishtit 

Korriku - muaj kushtuar Gjakut të Krishtit

Pas majit të Zojës e qershorit të Zemrës së Jezusit, erdhi korriku, muaj kushtuar Gjakut të Krishtit.

R. SH. -Vatikan

Pas majit të Zojës e qershorit të Zemrës së Jezusit, erdhi korriku, muaj kushtuar Gjakut të Krishtit. Ky devocion u zhvillua kryesisht nga Shën Gaspri i Bufalos, që jetoi në Romë ndërmjet viteve 1786-1837 ku, më 1815, themeloi Kongregatën e Misionarëve të Gjakut të paçmueshëm, si mjet për kthimin e mëkatarëve e për t’i dhënë fund frymës së mosbesimit   kundër Kishës, që vijonte të përhapej nëpër botë pas revolucionit francez.  Në vitin 1835, me Shën Maria de Mattias, themeloi Motrat Adhuruese të Gjakut të Krishtit.

Në kishën romake të Shën Jozefit a Capo le Case, në rrugën Francesco Crispi, pranë rrugës Sistina, ruhet një relike shumë e çmuar e Gjakut të Krishtit, që nderohej nga Shën Gaspri i Bufalos.

Kujtojmë se Gjaku i Krishtit, nga i cili vjen shëlbimi ynë, i jep jetës së çdo të krishteri karakter flijues, parë si pjesëmarrje në flijimin e Krishtit mbi Kalvar. Lidhet ngusht me Meshën, që është përsëritje e Flijimit të Krishtit në kryq!

Pas litanive të Zojës e të Zemrës së Krishtit, nuk duhet harruar se në korrik thuhen litanitë e Gjakut të Krishtit.

Po kujtojmë vetëm fillimin e tyre:

Gjaku i Krishtit, Bir i vetëm i Atit, shpëtona!

Gjaku i Krishtit, Fjala e Mishëruar e Zotit…

Gjaku i Krishtit, i Besëlidhjes së re e të amshuar…

Gjaku i Krishtit, që u derdh mbi tokën e agonisë…

Gjaku i Krishtit, që lagu kurorën e ferrave

Gjaku i Krishtit, që u derdh përmbi kryq

Gjaku i Krishtit, çmim i shëlbimit tonë

Gjaku i Krishtit, pa të cilin nuk ka falje, shpëtona!...

04 korrik 2020, 10:51