Kërko

 Gra të krishtera në Indi Gra të krishtera në Indi 

Indi, vritet një grua e krishterë. Viktima e pestë në dy muaj

“Episod i kohëve të fundit, që e shqetëson shumë Kishën indiane”. Kështu shprehet imzot Binay Kandulna, ipeshkëv i Khuntit: duhet dënuar prirja për t’i goditur pakicat, me qëllim që të thellohet urrejtja kundër feve, posaçërisht, kundër krishterimit!

R. SH. - Vatikan

“Suman Munda, një grua 25 vjeçe, përdhunuar nga fanatikët hinduistë, pas kthimit në krishterim, më 19 korrik u gjend e vdekur në Redhsadi, fshat në Khunti të Shtetit Jharkhand”. Njoftmin e jep UCA News. Eshtë e pesta viktimë e krishterë e vrarë në Indi vetëm gjatë dy muajve të fundit. Lidhur me këtë vrasje, policia arrestoi katër të rinj, ende të paidentifikuar.

Dënimi i Kishës

“Ngjarje, që shkakton shqetësim të thellë - pohoi dje, për UCA News - imzot Binay Kandulna, ipeshkëv i Khuntit. Aq më tepër - shtoi - sepse shteti ishte i pranishëm në vrasjen e një burri të krishterë, një muaj më parë, në të njëjtin vend. Administrata do të duhej të merrte masa të rrepta për t’i vënë fre një herë e përgjithmonë këtij fenomeni tragjik, që vijon edhe pse disa  grupe  kanë interes t’i godasin  pakicat në këtë Shtet, për të përhapur urrejtjen ndërmjet feve të ndryshme, e edhe ndërmjet njerëzve, që duan paqen. E dënojmë vrasjen - përfundon - e i bëjmë thirrje administratës  të marrë masa kundër fajtorëve”.

Dëshmia një pastori vendas

Një pastor vendas, që kërkoi anonimatin, pohoi, për International Christian Concern, organizatë ndërkonfesionale në mbrojtje të të drejtave e njeriut,  që asiston të krishterët në mbarë botën, se Munda qe kthyer në fenë e krishterë gjashtë vjet më parë. Nacionalistët radikalë hinduistë, sapo e morën vesh lajmin, nisën ta trazojnë. “Dyshoj - vijon pastori - se kjo është vepër e  fanatikëve hinduistë”, duke nënvizuar edhe se të krishterët  në këto çaste janë shumë të trembur.

Babore Ekka, president i Jharkhand Adivasi Sangharsh Morcha, shpjegoi-   gjithnjë në UCA - se “Jharkhand në të kaluarën nuk ka qenë kurrë dëshmitar i një urrejtjeje të tillë, por tashti  ngjarje të hidhura po ndodhin gjithnjë e më shpesh, prej këndej, çështja duhet marrë shumë seriozisht e duhet menduar mirë sesi të përballohet”.

Ç’ tregojnë statistikat

Persekution Relief, një forum ekumenik, që i ndihmon të krishterët e persekutuar në Indi, regjistroi, në vitin 2019, 527 raste persekutimi të të krishterëve, në krahasim me 447 raste, në 2018-tën; 440 në 2017; 330 më 2016 e 293 raste në gjysmën e vitit 2020. Ndërmjet janarit 2016 e qershorit 2020 u regjistruan 2.067 krime të frymëzuara nga urrejtja kundër të krishterëve në Indi.

24 korrik 2020, 13:57