Kërko

Vatican News

Hollerich për Fondin e Rimëkëmbjes: kjo është Evropa e solidaritetit

Pas miratimit të Fondit të Rimëkëmbjes nga Bashkimi Evropian, komenti i kardinalit Jean Claude Hollerich, kryetar i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (COMECE), i cili shpreh vlerësimin e tij për vendimin, që do t’i ndihmojë vendet aëtare të kapërcejnë krizën e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Evropa ka hyrë në rrugën e solidaritetit, pohon kardinali.

R.SH. - Vatikan

Marrëveshja historike për Fondin e Rimëkëmbjes, të ashtuquajturin “Recovery Fund”, arritur nga krerët evropianë, pas bisedimeve të vështira, që zgjatën katër ditë e katër netë, është vendim i rëndësishëm jo vetëm për ndikimin konkret në daljen nga kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, por edhe për të ardhmen e Bashkimit Evropian, i cili, kësaj radhe, gjeti një mënyrë e re për të administruar marrëdhëniet ndërmjet vendeve anëtare. Fondi i Rimëkëmbjes ka një buxhet prej 750 miliardë eurosh, nga të cilat 390 miliardë ndihma falas dhe 360 ​​miliardë kredi. Shtetet përfituese duhet të fillojnë pagimin e kredive brenda vitit 2027.

Evropa e solidaritetit

Edhe për kardinalin Jean Claude Hollerich, kryetar i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (COMECE), rezultati i arritur nga Brukseli është pozitiv. Në një intervistë për Vatican News, ai nënvizon se ky është hap i rëndësishëm i Evropës drejt logjikës së solidaritetit, që me siguri do të pasqyrohet edhe përtej kufijve kontinentalë.

 Mund të themi se Evropa zgjodhi solidaritetin, megjithëse u bënë përpjekje të mëdha për të mbërritur në këtë pikë. Jam i kënaqur që ia arritën të 27-a vendet. Bashkimi Evropian duhet ta shprehë solidaritetin - është në natyrën e tij. Është pjesë e ADN-së së Bashkimit Evropian. Mendoj se Evropa ka disa probleme sot: ajo nuk është më qendra ekonomike e botës bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bota ka ndryshuar dhe mendoj se kriza e Covid-19 e ka përshpejtuar këtë ndryshim. Ne do t’i vuajmë akoma pasojat e kësaj pandemie, por shpresoj, veçanërisht për të rinjtë, që e gjithë kjo t’u japë mundësinë të kenë jetën e tyre, në paqe e gjithnjë me vetëdijen se duhen ndihmuar të tjerët.

A është i rëndësishëm roli i Kishave në këtë çast?

Po, sepse ne duhet të jemi gjithmonë në anën e më të varfërve. Duhet të shprehim solidaritetin tonë, duhet t’i ndihmojmë njerëzit në nevojë. Në këtë kuptim, personalisht, jam tejet i kënaqur që kemi tani këtë ndihmë për vendet e prekura më shumë nga pandemia, pra, për Italinë, Spanjën dhe Francën. Ndihem thellësisht evropian dhe nuk mund ta imagjinoj një Evropë jo solidare. Të gjithë po kalojmë të njëjtën situatë. E, mendoj se ndihma për të tjerët do të jetë bekim edhe për ekonominë e atyre, që ndihmojnë.

Evropa është në vështirësi për shkak të pandemisë. Në këtë gjendje, a do të mundë të presë si duhet ata, që trokasin në kufijtë e saj, në kërkim të një jete më të mirë, emigrantët?

Edhe kjo është temë shumë e rëndësishme për mua, sepse është e lehtë të japim tepricat. Ne të krishterët duhet të bëjmë më shumë. Jemi të thirrur të ndajmë gjithçka nevojitet për të ndihmuar njerëzit e tjerë. Dje në shtëpinë time, prita një familje irakiane. Gjatë kësaj kohe pandemie, ata bënë maska ​​për shumë njerëz të tjerë. Është ide shumë e bukur dhe dëshmon se Evropa mund të përfitojë shumë, nëse dhuron diçka.

22 korrik 2020, 09:06