Kërko

 Haleb, katedralja maronite e Shën Elisë Haleb, katedralja maronite e Shën Elisë 

Haleb, rihapet katedralja e Shën Elisë. Ipeshkvi: lutuni për ne!

Pa kult e pa besimtarë prej tetë vjetësh, rikthehet në shkëlqimin e parë katedralja maronite siriane, e ndërtuar në vitin 1873, në lagjen Al Jdeyeh. Rihapet e kushtohet falë solidaritetit, posaçërisht të Fondacionit Papnor “Ndihmë për Kishën që Vuan(Acs)”, ndërmjet financuesve kryesorë të projektit. Kryeipeshkvi maronit i Halebit flet për ndjenjat dhe vështirësitë e popullsisë së dërmuar nga lufta.

R. SH. - Vatikan

Një shenjë shprese e rilindjeje, jo vetëm materiale, por edhe morale, për gjithë bashkësinë, ndonëse të krishterët këtu janë përherë e më të paktë. Vijojnë të ikin, sepse vijojnë edhe të varfërohen, sa për shkak të luftës, aq edhe të masave ndëshkimore, që peshojnë rëndë mbi kurrizin e më të varfërve. Kryeipeshkvi maronit i Halebit, imzot Joseph Tobij, në mikrofonet tona, flet për punimet e gjata të restaurimit, rihapjen e rikushtimin e Katedrales, së dëmtuar rëndë gjatë luftës, që vijon.

Ndihmesën kryesore për restaurimin e dha  Fondacioni Papnor Ndihmë për Kishën që Vuan (ACS), një nga financuesit kryesor të projektit, duke dhuruar 400.000 euro.

Historia e katedrales, tepër e dashur për besimtarët

Mund ta quajmë “katedrale martire”. E masakruar nga armiqtë e krishterimit. Sepse mund të martirizohen jo vetëm njerëzit, por edhe ndërtesat, kur mbi ta sulet urrejtja e verbër. Po ta shfletosh historinë e njerëzimit, do të gjesh në të një mori ndërtesash të masakruara, si kjo e Halebit, që u dëmtua rëndë në vitin 2013 nga një grup xhihadistësh, me syninim për të zhdukur çdo gjurmë të krishterimit në vend. E meritonte rindërtimin! Ashtu si e meritojnë rikujtimin martirët. Po duheshin mbledhur fondet! Mbështetja e parë dhe më e rëndësishme, erdhi pa vonesë nga Ndihmë për Kishën që Vuan. Punimet nisën me ndërtimin e çatisë, krejtësisht si çatia orgjinale. Ishte një sfidë, edhe kjo! E pas çatisë, u ringrit krejt e re, edhe kisha, që nisi të flasë e t’u bëjë thirrje bijve të vet të mblidhen rreth altarit të saj, duke besuar me gjithë shpirt se Zoti  i vuri në provë, por nuk i harroi!

E nuk mund t’i harrojë 30.000 - nga 180 mijë të krishterët - mbetur në Haleb, të cilët sot i gëzohen strehës së re, që i mbledh rreth Altarit të Zotit!

 

20 korrik 2020, 11:00