Kërko

 Shenjtërorja e Re e Shën Gabrielit të Zojës së Dhimbshme në Gran Sasso Shenjtërorja e Re e Shën Gabrielit të Zojës së Dhimbshme në Gran Sasso 

Gran Sasso: hapet “shtegu i dy Shenjtorëve”, kushtuar Shën Gabrielit e Shën Gjon Palit II

I gjatë 39 kilometra, në parkun Kombëtar të Gran Sasso e Monti della Laga, u hap “Shtegu i dy Shenjtorëve”, që lidh shenjtëroren e Shën Gabrielit të Zojës së Dhimbshme me atë kushtuar Shën Karol Wojtylës, në San Pietro della Ienca (Aquila). Do ta përurojë sot ipeshkvi i Teramo-Atri, imzot Lorenzo Leuzzi: “Shenjë rinisjeje për të rinjtë, që duhet ta rifillojnë shtegtimin”- kujtoi.

R. SH. - Vatikan

Një shteg i ri ndërmjet maleve të Parkut Kombëtar të Gran Sasso e Monti della Laga, në Abruzzo, tejet të dashura e të shkelura nga Gjon Pali II, ku ndodhet edhe Shenjtërorja e Shën Gabrielit të Zojës së Dhimbshme, novicit të ri pasionist, që u shua në vitin 1862, kur ishte vetëm 24 vjeç,  shpallur pajtor i të rinjve njëqind vjet më parë, nga Benedikti XV. E realizoi Entja Parku këtë shteg, të gjatë 39 kilometra, që lidh shenjtëroren e Shën Gabrielit, në provincën e Teramos, e cila vizitohet çdo vit nga 2 milionë shtegtarë, me shenjtëroren e parë në botë kushtuar Shën Gjon Palit II, në  fshatin e vogël Shën Pjetri në Ienca, provinca e Aquilës.

Tridhjetë e nëntë kilometra e 14 orë udhë

I quajtur “Shtegu i dy Shenjtorëve”, mund të përshkohet duke ecur 14 orë, në një territor të pasur me burime natyrore, dëshmi historike e fetare. E, sidomos, me një nga panoramat më të bukura të Apenineve. Do të përurohet sonte, në orën 19.00, me një Meshë në Shenjtëroren e Shën Gabrielit të Zojës së Dhimbshme, kryesuar nga ipeshkvi i Teramo-Atrii, imzot Lorenzo Leuzzi

Në përfundim të kremtimit, prerja simbolike e shiritit të “Shtegut të dy Shenjtorëve”, i cili nis pikërisht para Shenjtërores së re.

2020, viti i dy njëqindvjetorëve

Ceremonia qe programuar për 13 majin e kaluar, me rastin e njëqindvjetorit të shenjtërimit të Gabrielit të Zojës së Dhimbshme, në shekull Francesco Possenti, e të shpalljes së tij Pajtor i të rinjve. Pak ditë më pas, më 18 maj, në Wadovice të Polonisë, lindte Karol Wojtyla, që do të bëhej Papa Gjon Pali II. Më 30 qershor 1985 Papa, që krijoi Ditët Botërore të Rinisë, kreu vizitën historike  në Shenjtëroren e Shën Gabrielit.

Përurimi e pandemia

Për fat të keq, pandemia e Covid-19 i detyroi organizatorët ta anulojnë programin e t’i shtyjnë  kremtimet e njëqindvjetorit për datën 27 shkurt 2021, festa litrugjike e Shën Gabrielit. Ndërkaq po hapet shtegu “si shenjë shprese e rinisjeje për të rinjtë”…

06 korrik 2020, 13:51