Kërko

Vatican News

Gjyshërit, thesar jete për t’u dashur e për t’u mbrojtur

“Gjyshërit janë thesar”: ky është titulli i mesazhit që Konferenca Ipeshkvnore Portugeze ua kushton të moshuarve, ndërsa afrohet 26 korriku, festa e shenjtorëve Joakim dhe Ana, prindërit e shën Marisë.

R.SH. - Vatikan

Përshkrimi është i ëmbël e mallëngjyes. Gjyshërit janë engjëj roje për nipërit e mbesat. Ata që, sidomos për të vegjlit, janë gjithmonë të pranishëm, të vëmendshëm, tejet të dashur. Ata që ecin dorë për dore me ta përgjatë trotuareve. Ata që rrinë qetësisht anës detit, ndërsa valët ua lagin këmbët. Ata që u blejnë akullore, u pastrojnë gjunjët e lënduara nga lojrat në rrugë, që u bëjnë banjo në fund të ditës, duke pritur mbërritjen e prindërve”.

         Komisioni për laikët dhe familjen i episkopatit portugez përvijon kështu një portret, që të prek zemrën, në prag të 26 korrikut, kremtimit liturgjik të shën Joakimit dhe të shën Anës. Festa e gjyshërve të Jezusit, thuhet në tekstin e mesazhit, “është rast për t’i falënderuar, për t’i përqafuar dhe për ta kremtuar praninë e të moshuarve në të kaluarën dhe në të tashmen, për të shkuar në rrënjët personale dhe për të zbuluar në to butësinë dhe dashurinë e Zotit”. Gjyshërit, që blejnë këpucët e reja, ose atë “lodrën e ëndërruar”; gjyshërit, që “dëgjojnë në heshtje ankesat, dyshimet, frikën” dhe “i plotësojnë me dashuri mungesat, zemërimin, vështirësitë e prindërve të zënë, të atyre me jetë të ndara”. Sepse gjyshërit, vazhdon dokumenti i Kishës portugeze, “mbështesin jetën e familjeve, jo vetëm pse shpesh u sigurojnë mbijetesën, ose i ndihmojnë ekonomikisht, por sepse ata janë rrënjët e shumë jetëve. Tregojnë histori nga e kaluara dhe ndihmojnë të kuptohet dallimi ndërmjet thelbësores dhe teprisë”.

         Prandaj, “pasuria e pazëvendësueshme” e të moshuarve është thesar, që duhet mbrojtur pa tjetër. E, si të gjitha thesaret, gjyshërit duhen “trajtuar me kujdes dhe admirim. Një shoqëri, që nuk i mbron, nuk kujdeset, nuk i admiron të moshuarit - përfundon Komisioni Ipeshkvnor - është e destinuar të dështojë, sepse ashtu si natyra lind dhe rilind, ashtu si fara që rritet dhe hidhet sërish në tokë, ashtu rrjedh e kalon edhe jeta. Kush është trajtuar mirë do të dijë të kujdeset për të tjerët, kush ka mësuar mund të japë mësim, kush është mbrojtur do të dijë të mbrojë, kush është dashur do të dijë të dojë”.

21 korrik 2020, 14:26