Kërko

Vatican News

Filloi në Brazil fushata “Amazonoje veten”

Sot pasdite, fillon fushata, që përdor një folje të re për gjuhët e gjithë botës, “Amazonoje veten”. Synimi i ipeshkvijve brazilianë është sensibilizimi për dhunën e ushtruar kundër popujve të Amazonës, në rrezik edhe nga koronavirusi. Është fjala për një thirrje që të gjithë të marrin pjesë në mbrojtjen e Amazonës, ku, gjatë pandemisë, janë shtuar veprimtaritë e shfrytëzimit të territorit, zjarret dhe shpyllëzimi.

R.SH. - Vatikan

“Amazonoje veten!”: ky është titulli i fushatës në favor të Amazonës, që nis sot, 27 korrik, Konferenca e Ipeshkvijve të Brazilit (CNBB). Me një folje, që mund të duket e çuditshme, por është pa dyshim një risi gjuhësore, të cilën ipeshkvijtë e propozojnë për të tërhequr vëmendjen ndaj gjendjes së popujve indigjenë amazonikë, që, gjatë pandemisë së koronavirusit, po shfrytëzohen edhe më shumë se më parë. Vërtet, duke përfituar nga emergjenca e Covid-19, janë shtuar shpyllëzimet, zjarret dhe veprimtaria e kompanive mineralnxjerrëse. Shpesh, ato bëhen faktorë për përhapjen e mëtejshme të koronavirusit ndërmjet bashkësive indigjene, denoncojnë ipeshkvijtë. “Thirrja për ta ‘amazonuar’ veten – vijon nota - propozon pjesëmarrjen aktive të të gjithë popujve në mbrojtje të Amazonës, të biolarmisë dhe të banorëve të saj”. Vazhdon kështu udha e filluar në Sinodin e veçantë për Amazonën, mbajtur në Vatikan, në tetor 2019, me dëshirën dhe nxitjen e Papës Françesku.

Veprat për “t’u amazonuar”

          Konkretisht, në fillim të fushatës do të paraqiten një përmbledhje studimesh mbi realitetin e Amazonës, si dhe një sërë videosh me dëshmi nga popuj të ndryshëm indigjenë dhe nga personalitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Do të publikohet edhe një listë me veprime, që shpjegon se ç’duhet bërë për ta “amazonuar” veten. Nisma do të përqendrohet në tri çështje kryesore: “Brishtësia e popujve indigjenë dhe e bashkësive autoktone përballë koronavirusit dhe mangësitë e strukturave të shëndetësisë publike në rajon; përshpejtimi i shkatërrimit të biomës së Amazonës, për shkak të shtimit të pakontrolluar të shpyllëzimit, zjarreve, zënies së territoreve të indigjenëve nga firmat shumëkombëshe dhe ngritjes së digave hidroelektrike; shkeljet sistematike të ligjeve për mbrojtjen e mjedisit dhe shpërbërja e agjencive qeveritare”, për të shtuar në mënyrë të paligjshme minierat, shpyllëzimet dhe blegtorinë intensive. Duhet kujtuar se neologjizmi “amazonohuni” u përdor për herë të parë në vitin 1986, në një letër baritore të ipeshkvit të atëhershëm të Rio Branco-s, imzot Moacyr Grechi, i cili i ftoi besimtarët të përqafonin kauzën e Amazonës dhe mbrojtjen e popujve të saj. Tani, fushata e nisur nga Konferenca Ipeshkvnore e Brazilit jo vetëm dëshiron ta përdorë sërish atë neologjizëm, por edhe të bëjë thirrje që “të gjithë ta fusin në fjalorin personal, për t’u bërë ‘amazonues’ nga ana e tyre”.

27 korrik 2020, 12:29