Tecnologia-terra-intelligenza-artificiale-Paglia-etica.jpg

Evropa, Inteligjenca artificiale. Comece: nevojitet reflektim etik

Në një notë, qëndrimi i ipeshkvijve të Konferencave Episkopale Evropiane ndaj punës së Komisionit të BE-së për të hartuar ligje mbi Inteligjencën artificiale. Prelatët nënvizojnë se sfidat, që parashtron Inteligjenca artificiale dhe robotika, duhet të përballen edhe me pjesëmarrjen e Kishave. Në qendër të jetë njeriu, kërkojnë ata.

R.SH. - Vatikan

“Institucionet e Bashkimit Evropian të kenë një qasje të përqendruar tek njeriu, kur është fjala për Inteligjencën artificiale (AI), që të promovojnë të mirën e përbashkët dhe t’i shërbejnë jetës së të gjitha qenieve njerëzore, si në përmasën e tyre personale ashtu dhe në atë komunitare”. Kështu shkruhet në një notë të COMECE-së (Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian), si kontribut i organizmit kishtar për “Librin e Bardhë mbi inteligjencën artificiale - Një qasje evropiane drejt niveleve më të larta dhe drejt besimit”, hartuar kohët e fundit nga Komisioni Evropian.

Mendimi i ipeshkvijve evropianë

“COMECE – lexohet në notë – është në favor të qëllimit të përgjithshëm të librit për të përcaktuar një qëndrim evropian ndaj Inteligjencës artificiale, rrënjosur thellë në dinjitetin njerëzor dhe në mbrojtjen e sferës private” të secilit. Njëkohësisht, ipeshkvijtë evropianë kanë disa rezerva lidhur “me themelimin e mundshëm të një agjencie të re të BE-së kushtuar” kësaj çështjeje, pasi “strukturat aktuale kryesore të Bashkimit garantojnë mbështetje të mjaftueshme për të përballuar sfidat e paraqitura nga Inteligjenca artificiale dhe robotika”.

Kishat mund ta ndihmojnë BE-në të reflektojë mbi etikën

 Sidoqoftë, nëse BE-ja do të krijonte një organ të tillë, COMECE kujton se Brukseli “duhet të garantojë pjesëmarrjen maksimale” të të gjitha palëve, “përfshirë Kishat, të cilat kanë një status të veçantë si partnere të institucioneve evropiane, prandaj, duhen përmendur shprehimisht”. Janë pikërisht Kishat ato, që mund ta ndihmojnë Bashkimin Evropian të reflektojë mbi etikën, e cila duhet ta shoqërojë diskutimin politik mbi hartimin e ligjeve për Inteligjencën artificiale. Për këtë arsye, BE-ja “duhet të krijojë mjete dhe mekanizma për një qasje ndërdisiplinore, të frytshme, konkrete dhe të gjerë ndaj strukturave dhe programeve ekzistuese”.

Thirrja e Romës për një etikë të Inteligjencës artificiale

Në shkurt të këtij viti, COMECE mori pjesë në seminarin ndërkombëtar “Algoritmi ‘i mirë’? Inteligjenca artificiale, etika, të drejtat, shëndeti”, mbajtur në Vatikan, në kuadrin e Asamblesë së 26-të të Përgjithshme të Akademisë Papnore për Jetën . Me atë rast, u nënshkrua dokumenti “Thirrja e Romës për një etikë të Inteligjencës artificiale”, që ka për qëllim promovimin e ndjenjës së përgjegjësisë të organizatave, qeverive dhe institucioneve, për të qenë të sigurt se risitë dixhitale dhe përparimi teknologjik do të jenë gjithnjë në shërbim të gjenisë dhe të krijimtarisë njerëzore.

21 korrik 2020, 13:26