Kërko

 Kisha Françeskane në  Gjuhadol Kisha Françeskane në Gjuhadol 

E shkatërruan klerin, po Shkodrën nuk e shtinë kurrë në dorë!

Publikohet një dokument i sigurimit të shtetit komunist shqiptar me titullin kuptimplotë: ‘Pa shkatërruar klerin nuk e shtijmë dot në dorë Shkodrën’.

R. SH. - Vatikan

Publikohet një dokument i sigurimit të shtetit komunist shqiptar me titullin kuptimplotë: ‘Pa shkatërruar klerin nuk e shtijmë dot në dorë Shkodrën’, bazuar në publikimin e kujto.al. Vjen nga një ditë e largët, nga 17 nëntori 1946, kur partia jepte urdhër për të shkatërruar klerin katolik, veçanërisht atë françeskan në Shkodër. Domethënë, për shkatërrimin e fesë e të kulturës, që e kishin bërë  Shkodrën - Shkodër, oazë feje, kulture, arti. Qytet, ku nisën shumë nga fillesat e mbara për Kombin: ku kumbonët e kumbonareve “thirrën të gjallët për vepra të mira; qanë të vdekurit, që të mos harroheshin e thyen rrufetë!”.

Pa shkatërruar klerin, nuk mund ta shtijmë dot në dorë Shkodrën - ishte  direktiva e partisë - që i papapriu inskenimit të historisë së fshehjes së armëve në kuvendin françeskan.

 Histori  e cila sot tregohet me gjithë vërtetësinë e saj tragjike, nga njerëz që i jetuan ato çaste, kur besohej se Shkodra po shtrohej, më në fund, domethënë, po asgjësohej! Kemi dëshmitë më të jashtzakonshme për çastet më të lumnueshmet e më tragjiket të historisë së asaj kohe. Kohë e shembjeve të mëdha. Ndonëse do të kishim edhe më shumë, nëse njerëzit nuk do të mendonin se kjo punë mund edhe të priste, e u morën më parë me muret e shembura. Kur u kujtuan për dëshmitarët e shembur, ata tashmë ishin rrënue me kulm e me themel; kishin shkuar të flinin, pa shpresë e pa dëshirë për t'u zgjuar rishtas. I morën, pra, me vete, në varr, dëshmitë më të çmueshme personale, që nuk mund t'i zëvendësojnë të tjerët. Kështu tashti, kur Fretërit e mëdhenj nuk janë më, të rinjtë, që i zëvendësuan, po e mbledhin historinë e tyre të grimcuar duke ecur këmbë-këmbë pikërisht në shtigjet e dëshmive të përgjakura të të tjerëve. E mësojmë nga vepra polemike e Nikë Stajkës "Dera e thyeme" ngjarjen e tmerrshme të fshehjes së armëve në Kishën françeskane të Gjuhadolit, sinjal i sulmit të tërbuar kundër fretërve e mbarë kishës katolike, për pushtimin e kështjellës françeskane “nga brenda”. Heroizmin e atyre që s'patën gojë, po që tashti e kanë!

Por dëshmitë më me vlerë i gjejmë në kryeveprën e Atë Zef Pllumit, "Rrno vetëm për me tregue".  Dëgjojmë rishtas në korridoret e kuvendit, klithmat e Smajl Shemes, që i shante fretërit: "Krisht, he Krisht, he fashist i qelbur!". E kjo për të ishte shamja më e madhe, sepse besonte që Krishti kishte qenë fashist. Njëheresh me shamjet, vijuen kontrollet e imta në kishë, në raftat e brendshëm, nën elterët anësorë. Gjetën armët e veta. E librat e fretërve. I morën. Morën kulturën e qytetit, të cilin mendonin se po e bënin të vetin! Po me libra a pa to, Shkodra nuk u ra kurrë në dorë! E dëshmon koha – kur mbi gërmadhat e vjetra, lartohen përsëri drejt qiellit kumbonaret, që “thërrasin të gjallët për vepra të mira; kujtojnë të vdekurit, që historitë e tyre të mos harrohen e thyejnë rrufetë!”.

28 korrik 2020, 11:36