2019.07..11 statua di San Benedetto da Norcia, patrono d'Europa 2019.07..11 statua di San Benedetto da Norcia, patrono d'Europa 

Kujtimi i Shën Benediktit. Kard. Hollerich: “Paqja në Evropë është në krizë”

Në ditën e kujtimit liturgjik të Shën Benediktit, Pajtor i Evropës, kryeipeshkvi i Luksemburgut, kryetar i komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian, reflektoi mbi situatën në kontinent, në dritën e mesazhit, akoma aktual, të murgut-shenjt: “Popujt evropianë, të trembur, kërkojnë një identitet të ri. Të flasësh për rrënjët e krishtera, pa i pranuar emigrantët, tingëllon si fjalë e gënjeshtërt”

R. SH. - Vatikan

Në një Evropë, ku paqja është në rrezik, popujt, në kërkim të mundimshëm të identitetit të tyre, të shlyer nga ndryshimi vazhdueshëm i qytetërimit e  egoizmi vijon të lindë në të gjitha vendet e kontinentit, ideja e rrënjëve të krishtera dhe riaktualizimi i saj tingëllon si fjalë profetike. Në ditën  kur u kujtua Shën Benedikti, Pajtor i Evropës, kardinali Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut e kryetar i komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian, rishpjegoi mesazhin e murgut-shenjt, që dha një ndihmesë të shquar për t’u sjellë progresin e krishterë popujve të shpërndarë nga Mesdheu - në Skandinavi; nga Irlanda - në fushat e Polonisë, ashtu si e kujton Papa Pali VI, në Letrën e tij apostolike Pacis Nuntius, të vitit  1964 - që vlen edhe për sot, nëse duam të dalim nga kriza, që tashmë është bërë endemike. E që pandemia po e vë edhe më shumë në dukje, me shqetësim të dhimbshëm!

Hirësi, sot, kur Evropa është më shumë se kurrë në kërkim të identitetit të vet, a mendoni se mesazhi i Shën Benediktit mund të jetë akoma i dobishëm për një bashkësi më të mirë popujsh?

“Pyetja juaj është shumë e rëndësishme. Vërtet: Evropa po kërkon një identitet të ri. Jemi në kohën e ndryshimit të madh të qytetërimit e njerëzit kanë frikë. Shën Benedikti na tregon se identiteti i vërtetë mund të gjendet vetëm nëse ne e dëgjojmë zërin e Zotit. Zotit, që na bën thirrje ditë për ditë, në çdo çast të jetës sonë. E Shën Benedikti e pranoi gjithë këtë: bëri diçka krejt të re në Evropë. Domethënë, nuk ishte tradicionalist. Realizoi një interpretim të ri të Shkrimit Shenjt, duke ndjekur murgjërit e Egjiptit, e kështu ia doli mbanesh t’i jepte  Evropës identitetin e saj të veçantë: atë të krishterë!”.

Shën Benedikti ishte jo vetëm lajmëtar i paqes e mësues i qytetërimit, por edhe “lajmëtar i fesë së Krishtit e themelues i jetës murgare në Perëndim”, siç e kujton Papa Pali VI. Rrënjët e krishtera të Evropës janë akoma vlerë për t’u pohuar e për t’u  mbrojtur?

“Besoj se rrënjët e krishtera të Evropës janë gjallë e në jetë, prandaj është e e lehtë për këdo, që e kupton historinë, ta shikojë Evropën të bazuar mbi krishterimin. Por njëkohësisht mendoj se ne e theksojmë gjithnjë rëndësinë  e rrënjëve të krishtera, pa shtuar edhe fjalën profeci, që hap rrugët drejt së ardhmes. Komunikimi ynë bëhet pakëz i rëndë. Bëhet përsëritje, që të lodh. E njerëzit nuk na drejtohen ne për shpjegimin e së kaluarës, por na kërkojnë të hapim rrugët drejt së ardhmes: rrënjët e krishtera janë, e ne duhet të flasim për to, për të hapur rrugët drejt së ardhmes, për ta dëgjuar zërin e Zotit, që na thërret sot! Sepse Zoti vijon të na thërrasë. Vijon të presë përgjigje nga ne!”.

Nga rregulla e Shën Bendiktit buron respekti i thellë për dinjitetin e çdo njeriu: aspekt, që vende të ndryshme evropiane duket sikur e harrojnë, kur bëhet fjalë për migrantët. Si mund të rizbulohet e të aktualizohet kjo rregull e murgut të shenjtë?

“Kjo ka shumë rëndësi! Posaçërisht në periudhën e pandemisë, që po jetojmë, Evropa është bërë pakëz më e varfër, më e pasigurt, më egoiste. Nuk duam ta shikojmë gjendjen e tmerrshme, në të cilën ndodhen migrantët. Gjithçka që ndodhi rreth Maltës e Italisë këto ditët e fundit, është shenjë e qartë  e saj. Nëse anija e Bashkimit Evropian nuk i shpëton njerëzit, që janë në det, nëse ne i bëjmë migrantët të kthehen në Libi, ndonëse i njohim fare mirë kushtet e jetës në atë tokë, atëhere do të thotë se e kemi humbur zemrën e Evropës. Atëhere të flasësh për rrënjët e Evropës, tingëllon si gënjeshtër. E është gënjeshtër! Nuk mund të jemi të krishterë, nëse nuk e kemi për zemër njeriun që ka nevojë për ndihmë! Shën Benedikti, ndoshta pa e ditur, krijoi sistemin e parë shoqëror evropian: burrat, që nuk kishn fëmijë, shkonin në manastiret e tij, ku siguronin strehë e ushqim. Me moton benediktine: “Ora et labora – Lutu e puno!”. Ja pra, duhet ta rigjejmë këtë vetëdije shoqërore, që duhet të bëhet me të vërtetë globale”.

12 korrik 2020, 12:00