Memoriali i Bombës Atomike  në Hiroshima Memoriali i Bombës Atomike në Hiroshima 

Ditë lutjeje, në 75-vjetorin e shpërthimit të bombës atomike

Dita e lutjes, organizuar nga ipeshkvijtë, në 75-vjetorin e shpërthimit të bombës atomike.

R. SH. - Vatikan 

Me rastin e 75-vjetorit të bombardimit bërthamor të Hiroshimës e Nagasakit, që do të përkujtohet më 6 deri më 9 gushtin e ardhshëm, ipeshkvijtë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ftojnë katolikët dhe gjithë njerëzit vullnetmirë të marrin pjesë, të diel, më 9 gusht, në një ditë të posaçme lutjeje, studimi e aksioni për çarmatimin bërthamor. Do të kremtohet në përkim me dhjetë ditët e lutjes për paqen, takim i përvitshëm, i organizuar që nga viti 1981 nga Kisha në Japoni, gjithnjë në muajin gusht.

Shekulli XXI, dëshmitar i  konflikteve gjeopolitike

“Shekulli XXI vijon të  jetë dëshmitar i  konflikteve gjeopolitike, me autorë shtetërorë e jo shtetërorë,  që përdorin armë gjithnjë e më të  sofistikuara, pa e përfillur kuadrin juridik ndërkombëtar për kontrollin e këtyre armatimeve”- pohohet në një notë të Komisionit për Drejtësinë dhe Paqen  ndërkombëtare, të Konferencës Ipeshkvnore Amerikane (Usccb).

Ipeshkvijtë amerikanë përsërisin kështu, edhe një herë, thirrjen kundër përhapjes së armëve bërthamore, duke i bërë të vetat fjalët e forta shqiptuar nga Papa Françesku  në Nagasaki e Hiroshima, më 24 nëntorin e kaluar, me rastin e shtegtimit të tij apostolik në Japoni.

Rikujtim i thirrjes së Papës Françesku

Shkurtin e kaluar Komisioni për drejtësi e paqe e pati rikujtuar thirrjen e Papës kundër përdorimit dhe grumbullimit të armëve bërthamore. Kjo përgjegjësi - pati theksuar,  “peshon rëndë mbi ndërgjegjen e të gjithëve, si mbi kombet, që kanë armë atomike, ashtu edhe mbi SHBA-të, që duhet të marrin nisma për reduktimin e tyre e edhe mbi ato vise, që nuk i kanë e që duhet të heqin dorë nga kërkesa për t’i pasur, me qëllim që neni VI i Traktatit për mospërhapjen  e armëve bërthamore të realizojë në jetë, çka shkruhet në të: zhdukjen e plotë të tyre!

Po jeta nuk kërcënohet vetëm nga armët atomike…

Po jeta nuk kërcënohet vetëm nga armët atomike. Sot kërcënimi më i rëndë në vendet më të zhvilluara është humbja e kuptimit të jetës. Gjatë audiencës së përgjithshme, pas kthimit nga Japonia, në nëntorin e kaluar, Papa pati theksuar atë, që është më  themelore për njeriun:

“Për ta mbrojtur jetën, duhet ta duash, e sot kërcënimi më i rëndë në vendet më të zhvilluara, është humbja e kuptimit të të jetuarit. Viktimat e para të një jete boshe, pa pikën e kuptimit, janë të rinjtë, prandaj ua kushtova pikërisht atyre një nga takimet në Tokio. Dëgjova pyetjet që më bënë, njoha ëndrrat, që m’i treguan, i inkurajova t’i kundërvihen së bashku çdo forme të bullizmit e ta mposhtin frikën dhe mbylljen brenda vetes  përmes dashurisë së Zotit, lutjes dhe shërbimit ndaj të afërmit”.  

Hipokrizi, të flasësh për paqen e të shesësh armë!

Kujtojmë se motoja e vizitës së Papës në Japoni, nëntorin e kaluar, ishte “Ta mbrojmë jetën!”. Është fjala për një vend, që i ka ende të dukshme shenjat e plagëve, shkaktuar nga bombardimi atomik. Prej këndej është, “për të gjithë botën, zëdhënës i së drejtës themelore  për jetë e për paqe”. Papa rikujtoi etapat e shtegtimit të tij në Hiroshima e Nagasaki, lutjet, takimin me të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave, dënimin e vendosur të armëve bërthamore e, sidomos, hipokrizinë e atyre, që  flasin për paqen e shesin armë shkatrrimtare.       

15 korrik 2020, 11:06