Kërko

20200718_DPC_KP_Georgia-Jvari_monastero-timpano-pietra-angeli-croce-Salvatore-gloria-Crist.jpg

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letrat baritore të shën Palit, një apostull i ndryshëm

Tri letrat e shën Palit drejtuar jo bashkësive, por dy prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, Timoteut dhe Titit, janë argumenti i emisionit të sotëm, pasi përfunduam javën e kaluar komentin e Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve. Ndjekim reflektimin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, në librin e tij “Është ora e leximit të Biblës”.

R.SH. - Vatikan

Këto Letra quhen “baritore” dhe ndryshojnë thellësisht nga të tjerat, aq sa janë shprehur dyshime për autorësinë e tyre. Por, pikërisht për këtë, janë unike dhe tejet interesante. Si për faktin se kërkojnë kujdes të madh për kronologjinë e jetës së Shën Palit e të bashkësisë së parë të krishterë, ashtu edhe për faktin se na propozojnë një dilemë, e cila e shqetëson fenë e apostullit, të bashkësive të formuara prej tij e, në përgjithësi, të Kishës. Ta shohim për çfarë është fjala.

 Edhe një veshi jo aq të vëmendshëm, nuk duhet t’i shpëtojë ndjesia se po dëgjon një shën Pal më pak të rrëmbyer e më të rregullt. Letra vijon me argumente e me një shkrim homogjen, që ndjek një vijë të përcaktuar mirë, në të cilën shqyrtohen aspektet më të rëndësishme të jetës kishtare: feja, doktrina, liturgjia, kulti, ipeshkvijtë, diakonët, vejushat, meshtarët, të pasurit.

 Më shumë se një Letër paoline, duket si enciklikë papnore!

 Ku ka përfunduar ai shën Pal, që u bërtiste galatasve se ishin të lirë, ose ai që mburrej para korintasve për shkandullin dhe marrinë e kryqit? Ku shkon gjithë ajo luftë, ai rrëmim i ndërgjegjes e ajo përpjekje teologjike më të cilën u paraqitet romakëve? Ose dialogu kaq i gjallë me selanikasit për ardhjen e dytë të Krishtit? Po botëkuptimi i fuqishëm kozmik për të cilin u flet efesianëve dhe kolosianëve?

Nuk e gjejmë më! Është e kotë ta kërkojmë. Teksti karakterizohet nga vakësia e disa lloj nxitjesh baritore, që ipeshkvijtë iu drejtojnë seminaristëve dhe meshtarëve. Nuk transmeton gjallëri e pasion, por siguri doktrinore e plotësi gati kanonike.

 Provoni të kërkoni në këtë Letër, tekste që jua përflaklin zemrën, ose ju çorientojnë. Fjalë, që i bëjnë jehonë gjithë mundimit dhe dëshirës së shën Palit për të shprehur gjithçka përjeton. Kësaj radhe, do të kërkonit më kot. Ose ndoshta jo, ndoshta diçka mund edhe ta gjeni.

Po, sepse teksti mbetet paolin, i shkollës dhe i stilit paolin. E ka shumë mundësi që të jetë shkruar nën diktimin e shën Palit, ose duke pasur parasysh një hartim të parë të tij, bërë nga vetë apostulli. Vërtet, dikush mendon se Letra e parë për Timoteun, për shembull, nuk është e shekullit II, pasi në të paraqitet një organizim kishtar tejet i strukturuar, jo i besueshëm për kohën e apostujve. Për dikë tjetër, ky është një shën Pal, që i kanë rënë pendët, ama zëri i tij jehon akoma fuqishëm.

Është e qartë se ideja kryesore, gjurma, vizioni është ai i shën Palit; është e qartë edhe nga përmendja e fakteve autobiografike se shën Pali i ka shkruar Timoteut e, edhe Titit. Dikush mendon se toni i letrës është më i qetë, për shkak se shën Pali u shkruan dy mbikqyrësve (kjo është domethënia origjinale e termit “ipeshkëv”) të Kishave, që u janë besuar atyre. Është teksti i shkruar nga mësuesi për nxënësit e vet, pra, më didaskalik e më pak polemik. Mund të mendojmë se, duke i shkruar Timoteut e Titit, tashmë në fund të udhëtimit të tij tokësor (apo të betejës, siç i pëlqen ta quajë), shën Pali deshi të hartonte një lloj “Rregulle baritore” për ipeshkvijtë e për bashkësitë e tyre, duke shqyrtuar të gjitha aspektet doktrinore e baritore, që ato duhej të përballonin.

Gjithsesi, duhet kujtuar se thelbi i doktrinës së shën Palit mbetet në Letrat e ashtuquajtura “të mëdha”, ku na njeh me përvojën e tij në Krishtin, pa të cilën “mëshira” – fjalë e përdorur gjerësisht në këto tri Letra “baritore” – ka rrezik të paraqesë një fe të krishterë disi të ekspozuar ndaj atij legalizmi, që u përpoq gjithnjë ta luftonte, madje, edhe furishëm.

09 korrik 2020, 12:39