Kërko

fishers of men 101.jpg

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra II e Shën Palit për Selanikasit: njeriu duhet të punojë

Ky është emisioni i fundit kushtuar Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve. Javën e kaluar, nënvizuam se, na pëlqen apo jo, shkojmë drejt një lufte finale, drejt ndeshjes apokaliptike ndërmjet së mirës e së keqes, ndërmjet Krishtit dhe Antikrishtit, shumë e ndierë në periudhën kur shën Pali u shkruan të krishterëve të Selanikut e, megjithatë, apostulli nuk bie në tundimin për ta konsideruar fundin të menjëhershëm, duke bërë parashikime të modës në atë kohë. Si ia bën, do ta shohim pikërisht sot, duke ndjekur reflektimin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, në librin e tij “Është ora e leximit të Biblës”.

R.SH. - Vatikan

Së pari, çdo besimtar duhet të kujtohet se feja nuk është meritë, por thirrje për të cilën duhet falenderuar gjithnjë i madhi Zot, siç nënvizon Apostulli i Popujve në kreun 2:

“Neve na duhet t’i falënderohemi gjithmonë Hyjit për ju, vëllezër të dashur prej Zotit, sepse Hyji ju zgjodhi qysh prej fillimit për shëlbim që fitohet me anë të veprës shenjtëruese të Shpirtit Shenjt dhe të fesë së vërtetë… sepse jo të gjithë kanë fe!” (2 Sel 2,13; 3,2)

Të mos çuditemi me pabesinë e njerëzve të mbrapshtë, t’u qëndrojmë besnikë traditave, të bëhemi të parët ndër ata, që do të shpëtohen prej Zotit kur të vijë. Këto janë tri këshillat e apostullit, por ç’duhet të bëjnë konkretisht, selanikasit e tij?

Kapitulli i tretë jep udhëzime më të përpikta për këtë:

“Ju vetë mirë e dini se e keni për detyrë ta ndiqni shembullin tonë. Ne, kur jetuam ndër ju, nuk jetuam në përtaci: bukën askujt nuk ia lypëm dhuratë, por punuam natë e ditë me mund e lodhje që të mos i bëheshim ndokujt prej jush barrë… Kush nuk do të punojë, as mos të hajë!... Mos u mërzitni duke bërë vepra të mira!” (2 Sel 3,7-8,10,13).

Letra ndalet këtu, duke i kthyer edhe përkrahësit më të flaktë të fundit të afërt të botës, në realitetin e përditshëm, madje, në realitetin e vështirë të punës. Vërtet, të krishterët nuk janë të tillë, për të jetuar të çorientuar, nervozë e as përtacë. Ashtu siç dëshmoi shën Pali me tendat e tij e me përpunimin e lëkurëve, duke punuar ditë-natë për të mos jetuar në kurriz të të tjerëve, edhe të krishterët e të gjitha kohrave nuk i përkasin ndonjë grupi të privilegjuar, ndonjë sekti apo ndonjë shtrese, e cila nuk duhet të bëjë punë, që konsiderohen të rëndomta.

Fundi i Letrës na zbulon se ftesa e shën Palit nuk duhet të ketë qenë fort e pëlqyeshme për ata, që mendonin se mund të shkonin në pension pa u lodhur shumë e ta kalonin jetën këmbëkryq, në pritje të ardhjes së dytë të Krishtit. Apostulli është krejt i qartë e i prerë, por, fatmirësisht, arrin të tregohet i mëshirshëm:

“Në qoftë se ndokush nuk i bindet fjalës sonë në këtë letër, shënojeni dhe mos u shoqëroni me të që të turpërohet, por mos e mbani për armik dhe këshillojeni si vëllanë” (2 Sel 3,14-15).

Mbërrijmë kështu, në përshëndetjet e Pali jep bekimin me tre fraza tejet interesante, që plotësojnë njëra-tjetrën e që i njohim mirë nga kremtimet liturgjike:

“Dhe vetë Zoti që jep paqen, gjithmonë dhe në çdo mënyrë jua dhëntë paqen. Zoti qoftë me ju të gjithë! Përshëndetje me dorën time - të Palit. Kështu shënoj çdo letër: unë kështu shkruaj. Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me ju të gjithë!” (2 Sel 3,16-18)

Letër e shkurtër kjo e Shën Palit për Selanikasit, e dyta, që u shkruan atyre. Ndoshta, tepër e shkurtër, prandaj, duhet lexuar si fillimi i tregimit, që vetëm Libri i Zbulesës do ta përfundojë plotësisht. Duke kujtuar se ajo, që ka vërtet rëndësi, nuk është njohja paraprake e datës së vdekjes, por ndërgjegjësimi i çdo njeriu për vdekjen e vet e për mënyrën se si duhet të jetojë deri në ditën, që i ka caktuar Zoti.

02 korrik 2020, 08:32