Kërko

2019.12.19-San-Paolo-apostolo-basilica-02.jpg

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra I e Shën Palit për Timoteun

Javën e kaluar folëm për tri letrat e shën Palit drejtuar jo bashkësive, por dy prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, Timoteut dhe Titit, duke vënë në dukje se ato janë të ndryshme nga shkrimet e tjera të apostullit, më pak pasionale e më didaktike. Njihen si “Letrat baritore” e sot do të shohim njërën prej tyre, Letrën e parë të Shën Palit për Timoteun. Ndjekim reflektimin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, në librin e tij “Është ora e leximit të Biblës”.

R.SH. - Vatikan

Shën Pali e shkruan Letrën për Timoteun nga Maqedonia dhe ajo është nxitje për ipeshkvin e ri, të cilit i duhet ta mbajë të fortë në fe bashkësinë e sapoformuar të krishterë në Efes. Natyrisht, ka rëndësi nga pikpamja historike, liturgjike e teologjike. Le ta shpjegojmë këtë përmes një citimi nga kreu i parë i Letrës:

“Vërtet, ne e dimë se Ligji është i mirë kur ndokush e përdor si duhet, i bindur për këtë se Ligji nuk është dhënë për njeriun e drejtë, por për të këqijtë, për të padëgjueshmit, për të mbrapshtët, për mëkatarët, për të pafetë, për blasfemuesit, për atëvrasësit, për mëmëvrasësit, për njerivrasësit, për fëlligështarët… dhe për çdo vepër tjetër që është kundër mësimit të shëndoshë - simbas Ungjillit të Lavdisë së Hyjit të lumtur, që më është besuar” (1 Tim 1,8-11).

Kemi të bëjmë me një qëndrim tipik të njeriut, i cili ka njohuri doktrinore, që përpiqet t’ua kalojë nxënësve të vet. Natyrisht, këto ngjyrime nuk i gjejmë në rininë e shën Palit. Por, më pas, apostulli dëshmon menjëherë se nuk e ka harruar gamën e fjalëve të përdorura më parë:

“E falënderoj Atë që më dha fuqi - Krishtin Jezus, Zotin tonë - pse më çmoi të besueshëm duke më thirrur në shërbesë mua, që më parë isha blasfemues, salvues, mujshar. Por gjeta mëshirë pse veproja prej padijes, larg nga besimi i vërtetë. Dhe hiri i Zotit tonë qe pa masë i begatshëm bashkë me fe dhe me dashuri që është në Krishtin Jezus” (1 Tim 1,12-14).

Është shën Pali ky që flet, por duket më i qetë, duket sikur mbi shpirtin e tij të zjarrtë është vendosur një dorë, që i ka ulur disi flakët. Gjuha e përdorur është ajo paoline, po ashtu edhe mënyra e konceptimit të mendimit, por duket se pranë tij ka qenë dikush, që ka marrë material nga shën Pali dhe pastaj, e ka hedhur në letër, duke e interpretuar disi. E kjo perceptohet.

Letra merr në shqyrtim të gjitha funksionet e bashkësisë së krishterë të atëhershme. Flitet për shërbimin e ipeshkvit, për rolin e diakonit, për vejushat, për meshtarët, për skllevërit, për dijetarët e rremë, për të pasurit e, edhe për argumente të tjera, që dëshmojnë organizimin e Kishës.

Por, ashtu si të gjithë ne, kur flet për tema doktrinore, shën Pali përshkruan disa rrethana e përdor disa terma, që nuk do ta bëjnë dhe aq të pëlqyeshëm për ata, që do ta lexojnë edhe më vonë. Ky është një nga problemet e interpretimit të shën Palit, por duket se kjo nuk e shqetësonte dhe aq apostullin, në kohën e vet. E rëndësishme për të është të transmetojë çka e konsideron katërcipërisht të vërtetë, sepse i ka ardhur nga besimi në Krishtin. Ja si shkruan në kreun e dytë, duke përdorur fjalë, që edhe sot ngrenë peshë e revoltojnë shumëkënd:

Nuk lejoj që gruaja të mësojë në Kishë as të sundojë burrin, por - të rrijë në qetësi. Sepse i pari u krijua Adami, atëherë Eva. Dhe nuk qe gënjyer Adami, por, gruaja e gënjyer, e theu urdhrin. Dhe do të shëlbohet duke lindur fëmijë në qoftë se qëndron me urti në fe, në dashuri dhe në shenjtëri” (1 Tim 2,12-15).

Çuditërisht, këtu, shën Pali u lë grave një rol më pasiv se burrat, sikur ato të ishin më tepër përgjegjëse për të këqijat e botës. Një njeri si ai, që i theu të gjitha barrierat ideologjike ndërmjet paganizmit dhe judaizmit, duket sikur mbështet haptas shovinizmin mashkullor judaik. Por, ka shumë mundësi që të kemi të bëjmë me shtesa editoriale të mëvonshme nga qarqe të caktuara klerikale e misogjene. Edhe pse t’ua ndalosh fjalën grave në publik, është qartësisht në kundërshtim me frymën e barazisë gjinore, që ndihet në Ungjij. Vetë Pali, në Letrën drejtuar Romakëve, e nxjerr Adamin, pra, njeriun e parë, fajtor për fatin e njerëzimit (5,12).

Natyrisht, bota e sotme ka kaluar nëpër feminizmin e tani, vihet re një lloj revolucioni i ri, që i kërkon gratë protagoniste, mjafton të dëgjojmë edhe vetë Papën Françesku. Gjithsesi, jo vetëm feministet kanë probleme me shën Palin. E megjithatë, apostulli – edhe ai, nën ndikimin e mendësisë së kohës kur jetoi – e merr veten shpejt e na paraqet një koncept krejtësisht të ri, që sot e përdorim gjerësisht e është tepër i rëndësishëm për krishterimin: konceptin e “përshpirtërisë”. Madje, shën Pali e quan “Misteri i Përshpirtërisë”.

Termi “përshpirtëri” vjen nga greqishtja dhe do të thotë përmbushje e akteve të nderimit ndaj zotave. Ky term “eusebeia”, që ka të bëjë me përkushtimin ndaj zotave apo me një farë frike plot nderim për ta, u mor nga shën Pali dhe u përdor me synime të tjera. Përkushtimi ndaj hyjnive, respekti për rregullat e vendosura prej tyre, duke mbajtur qëndrimin jo të njerëzve të nënshtruar, por atë të birit para atit, përdoret nga apostulli për t’iu referuar Krishtit:

“S’ka dyshim, i madh është misteri i përshpirtërisë: Krishti u dëftua në natyrën e njeriut, u shfajësua me Shpirtin Shenjt, u vrojtua nga engjëjt, u predikua ndër paganë, u besua nga bota, u ngrit në lavdi” (1 Tim 3,16).

Letra e parë e shën Palit për Timoteun lexohet, duke e peshuar në një farë mënyre. Është gati-gati mësim për seminaristët. Nuk është tërheqës për ata, që duan të hyjnë në dinamikën e teksteve paoline për herë të parë. Është shkrim i vonë i apostullit dhe u nevojitet veçanërisht atyre, që jetojnë brenda Kishës. Është tekst për meshtarët e për të gjithë ata, që ia kanë kushtuar jetën shërbimit të Zotit. Është Letër mjaft skematike, që përmban gjurmë të shën Palit. Natyrisht, nuk zgjon kaq entuziazëm e pasion si disa nga shkrimet e tjera të tij, por aty-këtu mund të gjindet frymëmarrja e pasionit të apostullit. Mbetet gjithsesi, teksti me të cilin hyn në krishterim fjala “përshpirtëri”.

16 korrik 2020, 08:56