Në shtegtim, drejt shenjtëroreve Në shtegtim, drejt shenjtëroreve 

Caqet historike të shtegtimeve të të krishterëve nëpër botë

Vera është kohë për shtegtime. Prandaj po nisim, për miqtë tanë, një rubrikë të veçantë, titulluar “Në shtegtim, drejt shenjtëroreve”, parë si shtegtim virtual në caqet kryesore historike të shtegtimeve, nga Jeruzalemi-Toka Shenjte, në Romë, Lurdë, Fatima, Jasna Gora, Santiago de Compostela... Për të kaluar pastaj në caqet shqiptare të shtegtimeve, me shkopin e trastën e shtegtarit….

R. SH. - Vatikan

Caqet kryesore historike të shtegtimeve janë Jeruzalemi-Toka Shenjte, Roma, Lurda e Santiago de Compostela. Kombëtaret shqiptare, Shkodra, me Zojën e Këshillit të Mirë e Laçi, me shenjtëoren e Shëna Ndout; Janjeva e Kosovës, me Shenjtëroren e Zojës së Letnicës, e Gjakova, me Shëna Ndoun …

Në botën e krishterë njihen dy forma shtegtimi, të lidhura ndërmjet tyre:

shtegtim devocional e shtegtim pendestar.

I pari nis që nga epoka paleokristiane e bën pjesë në procesin e kthesës; për çlirimin nga ankthet e tensionet e botës. Shtegtarët niseshin drejt Jeruzalemit, ku jetonin si “të huaj”, si “endacakë”, nganjëherë deri në fund të  jetës. Një nga shembujt më të njohur të shtegtimit devocinal është ai i Shën Elenës, nënës së Kostandinit I, në shekullin IV.

Shtegtimi pendestar nisi më vonë, në mesjetë, me misionarët e shekujve VI e VII. Ishte dënim për faje tejet të rënda (nga vrasja te inçesti). Mëkatari dënohej të ravgonte pa pushim në toka të panjohura e të rrezikshme, duke jetuar me lëmoshë, i dënuar me dënimin e Kainit pas vrasjes së Abelit. Duhet të kishte mbi vete shenja të dukshme të mëkatit; të shtegtonte këmbëzbathur, me zinxhirë në duar e në këmbë. E kur zinxhirët këputeshin vetvetiu, kjo konsiderohej mrekulli e tregonte se Zoti e kishte falur fajtorin,

Të dhënat e para lidhur me shtegtimet pendestare nisin nga shekulli VIII. Shtegtarët dalloheshin menjëherë, sepse mbanin në dorë shkopin, në shpinë, trastën e në trup, shenjat e shenjtërores, drejt së cilës drejtoheshin, ose prej të cilëve ktheheshin, të qepura dukshëm mbi kapelën a mantelin.   E caku më i rrahur ishte Jeruzalemi, që kaloi shpesh nga një dorë në tjetrën, por që mbeti gjithnjë zemra e krishterimit.

Duke nisur nga vitit 1300, kur Papa Bonifaci VIII shpalli Jubileun e parë, çdo i krishterë katolik ftohet të bëjë një shtegtim në vitin jubilar. Disa nga etapat e shtegtimit ishin - e janë: Ur i Kaldejve, ku Abrahami dëgjoi fjalën e Zotit; Mali Sinai, ku Moisiu foli me Zotin e mori Dhjetë Urdhërimet; Mali Nebo, ku Moisiu mundi të shikonte Tokën e Premtuar. Pastaj, Nazareti, Betlehemi, Jeruzalemi, Çenakulli, Kalvari: të gjitha viset, ku Krishti dha jetën e u ringjall. Damasku, akoma, vendi i kthimit të Shën Palit; Athina, ku Pali mbajti para Areopagut, fjalimin e tij të famshëm, që Papa e quan: “simbol i takimit të Ungjillit me kulturën njerëzore”.  Ta nisim, pra, shtegtimin tonë….

29 korrik 2020, 10:54