Kërko

 Atë Jacques Hamel Atë Jacques Hamel  

Atë Hamel: bukuria e fesë dhe e dhurimit të vetvetes

Katër vjet më parë atë Jaques Hamel, 85 vjeç, therej nga dy të rinj, ndjekës të Shtetit islamik, ndërsa po kremtonte Meshën në Kishën e Saint-Étienne-du-Rouvray. Në vijim, procesi i lumnimit të Martirit.

R. SH. - Vatikan

Pak kohë pas martirizimit të atë Jaques Hamel, më 26 korrik 2016, Papa Françesku deshi të hapej procesi i lumnimit, sepse ai ra mbi altar si martir “e të gjithë martirët janë të Lum”. Kështu pati thënë Papa në homelinë e Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, më 14 shtator 2016, Festa e Naltimit të Kryqit, në praninë e familjarëve të meshtarit 85 vjeçar dhe të shtegtarëve ardhur nga Normandia, së bashku me ipeshkvin e Rouen, imzot Dominique Lebrun:

“Njeri i mirë, i butë, vëllazëror, gjithnjë në kërkim të paqes, u mbyt si të ishte kriminel. Ky është filli djallëzor i persekutimit(Papa Françesku 16.09. 2016)

Atë Hamel, martir e i lum

Faza dioqezane e Çështjes së lumnimit të Atit Hamel përfundoi marsin e vitit të kaluar e tani, katër vjet pas vdekjes, po shqyrtohet në Kongregatën për Çështjet e Shenjtorëve, që do të vendosë nëse u vra  “in odium fidei”- “nga urrejtja për fenë”. Dosjen e trashë të postulacionit e solli në Romë një grup të rinjsh, së bashku me imzot Lebrun e disa meshtarë të dioqezës së Rouen. Me ta, natyrisht edhe postulatori i Çështjes, atë Paul Vigouroux. Dokumentet iu dorëzuan kardinalit Angelo Becciu, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.

Atë Hamel, në shënjestër, sepse njeri i dialogut     

Vrasja e tij barbare flet vetë e tregon sa rëndësi kishte misioni, që po kryente. Aq, sa të bëhej krejtësisht i padurueshëm për kundërshtarët. E therën, sepse ishte njeri-model! Njeri i dialogut, njeri i paqes, i vëllazërimit. Sepse sillej në mënyrë shembullore me çdo njeri, pavarësisht nga feja. Sepse ishte mik edhe i bashkësisë myslimane të Saint-Étienne-du-Rouvray.  Sepse e urrente  terrorin. Sepse ndërtonte ura, jo mure. Sepse nga figura e tij rrezatonte Krishti.

Vdekja e atit Hamel e theksoi edhe më shumë rëndësinë e misionit, që po kryente, si edhe bukurinë e kësaj figure meshtari, shembulli i të cilit meriton të ndiqet.

26 korrik 2020, 12:35