Sant'Adriano III, Basilica di san Paolo fuori le mura Sant'Adriano III, Basilica di san Paolo fuori le mura 

Më 9 korrik kalendari përkujton shën Adrianin III, Papë

Shën Adriani III qe Papë ndërmjet viteve 884-885. Papnia e tij e shkurtër, qe plot trazira. Mbajti qëndrim pajtues ndaj Patrikut të Kostandinopojës, Focit

R.SH. - Vatikan

Më 9 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Agostinin Zhao Rong, meshtar dhe shokët e tij, martirë kinezë; Shën Adrianin III papë; e Shën Veronikën Gjulianit, abateshë, klarise kapuçine. Këto figura na nxisin të meditojmë se shëlbimi që na siguroi Jezusi nuk njeh pengesa. Ajo që ka rëndësi, është ta takosh Jezusin përmes fesë, ashtu si na mëson Mateu, kur përshkruan dy mrekulli të Krishtit, që shëron një të sëmurë rëndë e ngjall një të vdekur.

Po tani ndalemi te figura e Shën Andrianit III Papë

Shën Adriani III Papë, i pagëzuar me emrin Agapito, qe Papë ndërmjet viteve 884-885. Të pakta janë të dhënat për jetën e tij. Dihet se lindi në Romë, se u zgjodh papë më 17 maj 884 e se papnia e tij e shkurtër, qe plot trazira. Vdiq në Spilamberin e sotëm, pranë qytetit italian Modena, në shtator të vitit 885, ndërsa ishte në shtegtim drejt Uormsit, pasi qe thirrur nga Karli III, mbret i frankëve, për të siguruar vazhdimësinë e Perandorisë së Shenjtë Romake dhe për të diskutuar lidhur me rrezikun e saraçenëve, që vijonin të forcoheshin, duke krijuar kërcënime të reja për botën e krishterë. Papa Adriani III u varros në manastirin e Nonantolës në Modena.

Dihet, gjithashtu se mbajti qëndrim pajtues ndaj Patrikut të Kostandinopojës, Focit, por nuk dihen me saktësi shkaqet e nderimit të tij si shenjt. Këto shkaqe ndoshta duhen kërkuar në ndihmën e jashtëzakonshme që i dha Romës gjatë një periudhe kur vuante nga zija e bukës. Kulti i Shën Adrianit papë, që u kremtua sot, nis që në vitin 1891.

09 korrik 2020, 09:42