Shën Akuila e Shën Prishila Shën Akuila e Shën Prishila 

Më 8 korrik kalendari kujton Shenjtorët Akuila e Prishila, bashkëshortë martirë

Shën Akuila e Shën Prishila, janё dishepuj shumë të dashur të Shën Palit e bashkëpunëtorë në kauzën e Ungjillit, i cili i kujton me emër në Letrat e tij, posaçërisht në Letrën shkruar Efezianëve, Korintianëve e Romakëve.

R.SH. - Vatikan

Më 8 korrik, kalendari Kishtar përkujton Shën Akuilën e Shën Prishilën, dishepuj shumë të dashur të Shën Palit e bashkëpunëtorë në kauzën e Ungjillit, i cili i kujton me emër në Letrat e tij, posaçërisht në Letrën shkruar Efezianëve, Korintianëve e Romakëve.

Bashkëshortët e krishterë Akuila e Prishila, përfaqësues tipikë të shërbimit të laikëve në Kishë në kohët e para të krishterimit e simbol i vlerёs sё familjes të themeluar mbi vlerat e fesë.  Akuila e Prishila  ishin dy bashkëpunëtorë shumë të rëndësishëm të Shën Palit në apostullimin e tij.

Bashkëshortë Akuila e Prishila jetuan 40-50 vjet pas vdekjes së Krishtit . Akuila ishte hebre i ardhur nga Ponto i Azisë së Vogël, në Romë, e ku u martua me të shoqen, Prishilën, e po ku kishte hapur edhe një punishte për regjjen e lëkurave. 

Shën Pali Apostull duke i njohur cilësitë e mira dhe virtytet e këtij çifti bashkëshortor, u kërkoi të mikpritët e të banonte në shtëpinë e tyre në Korint. Dy bashkëshortët e shoqëruan Palin edhe në Siri, deri në Efez. Këtu e përgatitën në katekizmin e krishterë Apolin, jude nga Aleksandria e gojëtar i njohur, njohës i madh i Shkrimeve të Shenjta, por nuk kishte shumë njohuri për doktrinën e krishterë, si për shembull për pagëzimin e Jezusit. Akuila e Prishila e përgatitën dhe e pagëzuan para se të niseshin për në Korint. 

Nuk dihet me siguri e saktësi as data e lindjes, as ajo e vdekjes së bashkëshortëve martirë, por dimë me siguri se qenë model i besnikërisë bashkëshortore e dëshmitarë të bindur e shembullor në fenë e krishterë. Të vetmet burime mbi ta janë citimet biblike. Disa e identifikojnë Prishilën me virgjërën dhe martiren romake Priska e Akuilën me njërin nge banorët e Açilies, e lidhur me Katakombe, prandaj të dy kanë vdekur të martirizuar me kokëprere.

E dimë edhe se menjëherë pas paqes Kostandiniane, për nder të tyre u ngrit një Kishë. Charl de Foucauld thoshte: “Duhet të bëjmë edhe sot, siç bënin dy njerëz të kohëve të lashta, duhet të mësojmë nga Akuila e Prishila, që flijuan jetën, për të mbrojtur sivëllezërit në fe”.

Bashkëshortët e krishterë Akuila e Prishila, janë përfaqësues tipikë të shërbimit të laikëve në Kishë në kohët e para të krishterimit e simbol i vlerёs sё familjes të themeluar mbi vlerat e fesë. Një realitet i tillë duhet ta nxisë Kishën vendase, kudo, për një hov të ri në misionin e saj kryesor, që është të kumtojë e të dëshmojë Ungjillin në çdo mjedis, posaçërisht nё vatrat familjare. Çdo shtëpi mund të shndërrohet në një Kishë të vogël, jo vetëm sepse në të duhet të mbretërojë dashuria tipike kristiane, plot vetëmohim e kujdes reciprok, por më tepër në kuptimin se gjithë jeta familjare, e bazuar mbi fenë, duhet jetuar duke pasur Jezu Krishtin zot shtëpie.

Kisha gjithmonë ka vë theksin mbi vlerat e familjes të themeluar mbi vlerat e fesë, simbol i së cilës janë bashkëshortët e krishterë Akuila e Prishila, përfaqësues tipikë të shërbimit të laikëve në Kishë në kohët e para të krishterimit. Akuila e Prishila ishin dy bashkëpunëtorë shumë të rëndësishëm të Shën Palit në apostullimin e tij. Akuila e Prishila, bashkëshortë që jetuan 40-50 vjet pas vdekjes së Jezus Krishtit.

Kisha lind pikërisht në shtëpitë e besimtarëve. Një gjë është e qartë: njëherësh me mirënjohjen e këtyre kishave të para, për të cilat flet Shën Pali, duhet të theksojmë edhe mirënjohjen tonë, sepse falë fesë dhe impenjimit apostolik të besimtarëve si Prishila e Akuila, krishtërimi arriti deri në breznitë tona. Nuk mund të rritej vetëm nga apostujt, që e kumtonin, sepse për t’u rrënjosur në tokën e popullit, për t’u zhvilluar gjallërisht, ishte i nevojshëm impenjimi i këtyre familjeve, i këtyre bashkëshortëve, i këtyre bashkësive të krishtera; e kjo ka vlerë përgjithnjë, sepse vetëm kështu rritet Kisha. Posaçërisht ky çift tregon sa e rëndësishme është veprimtaria e bashkëshortëve të krishterë. Kur ata mbështeten në fe e në përshpirtëri, është i natyrshëm, pastaj, edhe impenjimi i tyre në Kishë.

08 korrik 2020, 11:09