Kërko

Santa Brigida, sec. XV Santa Brigida, sec. XV 

Më 23 korrik kalendari përkujton shën Brigjidën e Suedisë

Shën Brigjida e Suedisë, kjo grua e shenjtë ka shumë për tu mësuar edhe sot Kishës e botës. Shenjtëria e Brigjides është karakterizuar nga dhuratat e përvojat e shumta që e bën atë një figurë të shquar në historinë e Evropës. Me origjinë nga Skandinavia shën Brigita dëshmon se sa thellë e ka plazmuar krishterimi jetën e të gjithë popujve të kontinentit.

R.SH. - Vatikan

Me 23 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Brigjidën e Suedisë, Bashkëpajtore qiellore e Evropës. Grua e nënë, fisnike dhe e përkushtuar varfërve, mistike e Mundimeve të Krishtit, Shenjte e Pajtore Qiellore e Evropës: kjo me pak fjalë është Shën Brigjida e Suedisë, përkujtimin liturgjik të së cilës Kisha e kremton sot.

Kjo grua e shenjtë ka shumë për tu mësuar edhe sot Kishës e botës. Shenjtëria e Brigjides është karakterizuar nga dhuratat e përvojat e shumta që e bën atë një figurë të shquar në historinë e Evropës. Me origjinë nga Skandinavia shën Brigita dëshmon se sa thellë e ka plazmuar krishterimi jetën e të gjithë popujve të kontinentit.

Shën Brigjida lindi në Finstad të Suedisë në qershor të vitit 1302 në një familje fisnike, thellësisht të krishterë. I ati, Birgen Person, gjykatës dhe guvernator i zonës Upplan, njihet si autor i legjislacionit të parë të krishterë në mbretërinë e Suedisë.

Brigjida, e martuar në moshë të re, qe bashkëshorte e nënë shembullore e tetë fëmijëve. Pas vdekjes së burrit, u dha pas jetës asketike.  Më 1350 shtegtoi drejt Romës me rastin e jubileut e nuk u kthye më në atdhe. Themeloi urdhrin rregulltar të të Shëlbuemit, që njihet edhe me emrin ‘Urdhri i Brigjidineve’. Vdiq në Romë  me 23 korrik të vitit 1373. 

Papa Gjon Pali II e quajti Shën Brigjidën “specialiste e shpirtit" dhe i ftoi simotrat e saj të jenë kudo ndërtuese të palodhura të ekumenizmit të madh të shenjtërisë.  E Benedikti XVI, duke folur për Shën Brigjidën, Pajtore e Evropës, në ditën e festës së saj, theksoi: “Erdhi nga Suedia në Romë e, prej këndej, shtegtoi në Tokën Shenjte; na fton kështu ta ndihmojmë njerëzimin të gjejë paqen e vërtetë pikërisht në Tokën Shenjte”.

 “Amor Meus Crocifixus est” – “Dashuria ime është i Kryqëzuari” – ishte motua e Shën Brigjidës. Karizma e saj ishte lavdërimi i përhershëm i Hyjit, dhurimi i jetës për shpërblim të mëkateve  të njerëzimit dhe bashkimi i Kishës. Ajo i mëson gratë e kohëve tona ta çojnë dashurinë e Krishtit në të gjitha fushat e shoqërisë. Shën Brigjida pati meritën t’i bënte të vërtetat e fesë të kuptueshme për popullin, sepse i foli me një gjuhë që ndizte fantazinë, prekte zemrat, hapte horizontet e amshimit.

Kujtojmë se Urdhri i Motrave Brigjidine, veprimtaria ekumenike e të cilave vlerësohet shumë në viset veriore të Evropës, ku ka pak katolikë e ku prandaj dialogu është më i rëndësishëm se gjetiu, sot numëron 600 motra rregulltare dhe 45 bashkësi të përhapura në mbarë botën.

23 korrik 2020, 09:29