Shën Bernardin Realini Shën Bernardin Realini 

Më 2 korrik kalendari kujton Shën Bernardin Realinin, rregulltar

Shën Bernardin Realini duke hequr dorë nga kënaqësitë e botës, nga rruga e suksesit, nga majat e nderimeve që i ofronin aftësitë e tij si jurist i shquar, hyri në shoqërinë e jezuitëve, ku më 1567 u shugurua meshtar.

R.SH. - Vatikan

Më 2 korrik kalendari kujton Shën Bernardin Realinin, rregulltar jezuit. Qyteti i Leçes, në Itali, ka një veçori dalluese: Pajtorin e vet qiellor e zgjodhi jo vetëm para se të shpallej zyrtarisht shenjt nga Kisha, por madje edhe para se të vdiste, më 2 korrik të vitit 1616. E kemi fjalën për Shën Bernardin Realinin, rregulltar jezuit. Kur po jepte shpirt, këshilli bashkijak i Leçes, i mbledhur me ngut, i shkoi tek shtrati i vdekjes e iu lut të bëhej Pajtor i qytetit.

Banorët e Leçes e bënë këtë, sepse druheshin se pas vdekjes, njeriu i jashtëzakonshëm, që kishte banuar në qytetin e tyre, duke lënë gjurmë të ndritura shenjtërie e duke tërhequr me shembullin e tij mijëra nxënës, mund të shpallej pajtor i Karpit, ku kishte lindur më 1 dhjetor të vitit 1530 në një nga familjet më të njohura fisnike të vendit. Këtu kishte filluar të merrte edhe mësimet e para, nga mësuesit më të njohur të kohës, të ftuar në shtëpinë e tij. Më pas Bernardini ndoqi akademinë modeneze, qendër kulturore nga më të shquarat në Itali. Pasi studioi filozofi e mjekësi, 26 vjeç u diplomua në drejtësi civile e kanonike.  

Hyri kështu në rrugën e shërbimit publik, ku nisi menjëherë të bëjë karrierë. Por kjo rrugë, në të cilën po ecte me çapin e sigurt të njeriut me përgatitje kulturore të gjithanshme, u ndërpre papritmas. Duke hequr dorë nga kënaqësitë e botës, nga rruga e suksesit, nga majat e nderimeve që i ofronin aftësitë e tij si jurist i shquar, Bernardini hyri në shoqërinë e jezuitëve, ku më 1567 u shugurua meshtar e u bë menjëherë mësues i novicëve jezuitë.  

Shtatë vjet më vonë krijoi në Leçe një kolegj, të cilit iu kushtua deri në vdekje, duke lënë gjurmë të pashlyera në historinë e qytetit jugor italian. Prandaj Bernardini, i shpallur shenjt nga Papa Piu XII në vitin 1947, ndonëse nuk është leçez, e as puliez, mbeti Pajtor i Leçes.

02 korrik 2020, 09:13