Kërko

Vatican News
 San Bonaventura da Bagnoregio, Vittore Crivelli San Bonaventura da Bagnoregio, Vittore Crivelli 

Më 15 korrik kalendari kishtar kujton Shën Bonaventurën

Shën Bonaventura,françeskan, mistik, filozofik dhe teolog na kujton se Zoti nuk njihet vetëm me arsye, por me forcën e dashurisë. E shikon Zotin si vlerën më të lartë për njeriun, sepse njeriu vjen nga Zoti e duhet të kthehet tek Zoti, përmes ndërmjetësimit të Fjalës së mishëruar e të kryqëzuar. E ai, Bonaventura, e jeton thellësisht përvojën mistike si bashkim kundrues plot dashuri me Zotin, e mira më e Lartë, që e bën të jetojë qysh në tokë përvojën e bashkimit intim me Hyjin, e cila provohet vetëm në Parajsë.

R.SH. - Vatikan

Më 15 korrik kalendari Kishtar përkujton Shën Bonaventurën, teolog e mistik i madh françeskan. Bonaventura lindi më 1217 në Banjoregjo në provincën e Viterbos, u bë frat, gjeneral i Urdhrit Françeskan e pastaj kardinal e ipeshkëv i Albanos. Vdiq më 1274 gjatë Koncilit II të Lionit në Francë. Njihet si një nga teologët më të mëdhenj të Kishës katolike.

Por mbi ç’ baza ngrihet teologjia e tij?

Bonaventura është teolog me shpirt thellësisht mistik. Për të gjithçka është në shërbim të thellimit të përvojës të jetës së fesë. Është shpirt françeskan, që e shikon Zotin si vlerën më të lartë për njeriun, sepse njeriu vjen nga Zoti e duhet të kthehet tek Zoti, përmes ndërmjetësimit të Fjalës së mishëruar e të kryqëzuar. E ai, Bonaventura, e jeton thellësisht përvojën mistike si bashkim kundrues plot dashuri me Zotin, e mira më e Lartë, që e bën të jetojë qysh në tokë përvojën e bashkimit intim me Hyjin, e cila provohet vetëm në Parajsë.

Shën Bonaventura ka thënë: “Nuk mjafton studimi - pa mrekullinë, s’mjafton shkenca - pa dashurinë e krishterë, e s’mjafton mençuria - pa përvujtërinë”.  U shpreh kështu me vetëdijen e plotë se i gjithë misteri i përvojës së krishterë është dhuratë që vjen nga Zoti, është dhuratë e Shpirtit Shenjt e se nisma është e Zotit. Gjithçka jemi vjen nga Zoti, i cili pret që ne ta lemë vetën në duart e tij, në vullnetin e tij e të marrim pjesë në nismën hyjnore.

Të krishterët të mësojnë nga Shën Bonaventura

Shën Bonaventura, qe dishepull i denjë i Shën Françeskut, reliket e tij ruhen në qytetin Banjorexho, ku ekziston edhe një Qendër Studimesh Bonaventuriane, ndërsa personalitetin e këtij shenjti të madh mund ta përshkruajmë me tri cilësi kryesor.  Shën Bonaventura ishte, në radhë të parë, një kërkues i palodhur i Zotit, që kur kryente studimet në Paris, e vazhdoi të jetë deri në vdekje.

Në shkrimet e tij tregon rrugën që duhet përshkuar: “Meqë Zoti është lart – shkruan Bonaventuar – është e nevojshme që mendja të lartohet deri te Ai me të gjitha forcat”. Shën Bonaventura qe edhe këngëtar serafik i krijimit, që pas gjurmëve të Shën Françeskut, mësoi si “të lëvdojë Zotin në të gjitha krijesat e përmes tyre". Sa do të ishte e nevojshme, që edhe sot të rizbulohej bukuria e vlera e universit të krijuar, në dritën e mirësisë e të bukurive hyjnore!. Shën Bonaventura, së treti, ishte lajmëtar i shpresës. Kush shpreson – pohon ai - “duhet të ngrejë kryet, duke i drejtuar lart mendimet, drejt lartësive të qenies sonë, pra, drejt Zotit". Prandaj duket të mësojnë nga ky Doktor i madh i Kishës për të thelluar dijen e rrënjosur në Krishtin.

Ta bëjmë tonën trashëgiminë, që na la ky Dijetar i shquar i Kishës, i cili na kujton domethënien e jetës, me fjalët: “Mbi tokë… mund ta kundrojmë pafundësinë hyjnore përmes arsyetimit e admirimit; ndërsa në atdheun qiellor, përmes vegimit, kur të bëhemi të ngjashëm me Zotin, e përmes ekstazës.. do të hyjmë në galdimin e Hyjit". Këtë na kujton teologu i madh françeskan në ditën e festës së tij.  E Kisha ndjek idealin e Shën Bonaventurës të pastërtisë, të varfërisë e të bindjes, duke harmonizuar fenë me kulturën.

 

 

15 korrik 2020, 09:14