Kërko

Vatican News

WCC: refuzimi i çdo forme racizmi është dëshmi e krishterë

“T’i japim fund gjithë kësaj”: me një thirrje të fuqishme, Këshilli Botëror i Kishave (WCC), duke pasur parasysh kronikën tragjike në SHBA-të, kërkon refuzimin e çdo forme racizmi. Edhe një herë, në këtë kohë pandemie, u beson të krishterëve detyrën për të përhapur dashuri, fe, shpresë e guxim.

R.SH. - Vatikan

Kishat e krishtera të gjithë botës dënojnë me forcë dhunën e racizmin dhe i përgjigjen me shpresë e solidaritet krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit: këto janë dy pikat kryesore të takimit virtual të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Botëror të Kishave (WCC), organ i përhershëm ekumenik, që përmbledh 300 Kisha të krishtera nga 110 vende të botës.

 Pandemia bëri që asambleja e përgjithshme, e cila do të mbahej në vitin 2021 në Gjermani, të shtyhet për një vit si edhe të rishikohen një sërë projektesh, për shkak të pasojave financiare të krizës shëndetësore.  Për argumentet e diskutuara në Komitetin drejtues, ia drejtuam mikrofonin tonë kryetarit të Institutit Ekumenik të Bossey në Gjenevë, atë Lawrence Iwuamadi. Kujtojmë se ky Instut lindi pikërisht në gjirin e Këshillit Botëror të Kishave, për të promovuar dialogun dhe takimin ndërmjet të krishterëve me tradita të ndryshme. Të dëgjojmë atë Iwuamadi-n mbi rolin e Kishave në këtë periudhë:

Në çastet e vështira, si ky i shkaktuar nga koronavirusi, Kishat janë të thirrura të japin shpresë e të dëshmojnë fenë. Në përfundim të takimit, më 3 qershor, Këshilli Botëror i Kishave publikoi një deklaratë mbi rolin e Kishave në periudhën e pandemisë, me titull “Dashuri, besnikëri, shpresë e guxim”. Këshilli u bëri thirrje të gjitha Kishave anëtare dhe të gjithë të krishterëve që t’i shërbejnë sa më mirë popullit të Zotit, në këtë kohë krize e ndryshimi. Vuri në dukje se virusi nuk i respekton kufijtë, nuk respekton pasurinë apo statusin, por kërcënon sidomos më të ligshtët, të varfërit, pakicat racore, popullsitë indigjene, invalidët, emigrantët e të shpërngulurit, prandaj, Kishat janë të thirrura të japin dëshminë e tyre, duke i shoqëruar këta njerëz.

Dje (9 qershor), u kremtua funerali i afro-amerikanit George Floyd, vrarë nga një polic. Protestat, që përfshinë gjithë SHBA-të, akoma vijojnë. A mbajti qëndrim Këshilli për këtë rast?

Në historinë e tij, Këshilli Botëror i Kishave ka luftuar gjithnjë kundër racizmit dhe diskriminimeve. Kësaj radhe, Këshilli deklaroi me forcë se “duhet t’i jepet fund gjithë kësaj” e se “nevojitet një ndryshim, një reflektim, duhet pendesë dhe refuzim i çdo forme të racizmit dhe të diskriminimit racor. Çdo njeriu, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës dhe etnia, duhet t’i njihet dinjiteti i barabartë dhe vlera, që i ka dhënë Zoti”. Rëndimi i krizës, këto ditë, e nxiti Këshillin të nxjerrë në pah se, pavarësisht nga puna e bërë për ta luftuar racizmin, - që ka 400 vite histori, në SHBA dhe në vende të tjera - mbetet shumë për të bërë. Duhet ta refuzojmë çdo formë racizmi, çdo formë diskriminimi e kjo është dëshmia jonë si të krishterë.

Kriza botërore e shkaktuar nga koronavirusi ju nxiti edhe ju ta shtyni asamblenë vjetore, që do të mbahej në vitin 2021, për në vitin 2022. Jeni detyruar të rishikoni edhe disa projekte financiare. Si e shihni të ardhmen?

Këshilli Botëror i Kishave është i detyruar t’i rishikojë disa projekte, për t’i dhënë përgjigje emergjencës shëndetësore, shkaktuar nga koronavirusi. E kemi shtyrë asamblenë për në vitin 2022, me shpresën që atëherë do të ketë më shumë mundësi për pjesëmarrjen e gjithë bashkësisë ekumenike të krishterë. Zakonisht, mblidhen rreth 800 përfaqësues të 350 Kishave anëtare të Këshillit e shumë të tjerë bashkohen me ne në lutje. Tema është “Dashuria e Krishtit e shtyn botën drejt pajtimit e bashkimit”. Asambleja e përgjithshme mbahet çdo 8 vite dhe është organi më i lartë vendimmarrës i Këshillit. Ka për detyrë të përcaktojë politikat dhe të zgjedhë komitetin qendror, që është organi kryesor qeverisës ndërmjet dy asambleve. Shpresojmë që, brenda vitit 2022, të jemi më të sigurt e të kemi më tepër njohuri për pasojat e pandemisë, duke i lënë hapësirë secilit të përgatitet për të ecur, për të punuar e për t’u lutur më mirë së bashku.

10 qershor 2020, 11:37