Kërko

Të meditojmë me Ungjillin: kush nuk e merr kryqin e vet, nuk është i denjë

“Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen mbas meje, nuk është i denjë për mua!” Faqja ungjillore e kësaj së diele, e 13-ta e vitit kishtar A, përvijon udhën për t’u bërë të krishterë të vërtetë e, edhe shpërblimin qiellor për ata, që e ndjekin Krishtin, duke e parë fytyrën e Tij ndër më të vegjlit e kësaj bote. Por, ja pjesa, marrë nga kreu 10 i Ungjillit sipas Mateut...

R.SH. - Vatikan

37 Kush e do të atin e t’ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua. Kush e do djalin apo vajzën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua! 38 Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen mbas meje, nuk është i denjë për mua! 39 Kush do ta ruajë jetën e vet, do ta humbë, e kush do ta bjerrë jetën e vet për shkak tim, do ta rifitojë. 40 Kush ju pranon ju, më pranon mua; e kush më pranon mua, pranon Atë që më dërgoi mua. 41 Kush pranon profetin pse është profet, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; kush pranon të drejtin, pse është i drejtë, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit. 42 Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, madje edhe një gotë uji të freskët, pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t’i humbë shpërblimi!”

Të lutemi së bashku:

Akoma s’kam hequr dorë nga arsyetimet

që përdorin kritere njerëzore,

shi për këtë, ndoshta, më duket i çuditshëm

ky propozimi yt, o Zot.

Më kërkon ta humbas këtë jetë pas Teje,

më siguron se është e vetmja mënyrë për ta shpëtuar.

Më kërkon të lë pas gjithçka,

t’i prish urat, që lë pas shpine,

ta shkëpus çdo lidhje,

që më siguron një farë mbështetje,

sepse Ti më premton një jetë të plotë, të amshuar,

por vetëm nëse jam gati të rrezikoj.

Po ta them menjëherë, o Jezus:

unë do të doja ta mbaj fort

shtrënguar këtë jetë,

ta mbroj nga çdo rrezik,

t’i garantoj çdo mbrojtje,

ta mbaj larg nga çdo dështim.

Në fund të fundit, do të bëja si të gjithë…

Në fund të fundit, do të sillesha

në mënyrën që më duket më e mençur.

Po! Për të gjithë, por jo për Ty.

E këtu, Ti, që je kaq i arsyeshëm,

i bie shkurt, le të bëhet ç’të bëhet:

“Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen mbas meje,

nuk është i denjë për mua!”.

Eh, do ta marr edhe unë atë kryq,

e do ta vë veten në rrezik,

nëse s’ka mundësi tjetër.

Alternativa që Ti na jep

vë ballë për ballë dashurinë deri në fund

dhe dorëzimin e fshehjen nga përgjegjësitë.

Por, unë të dua shumë vërtet, prandaj të besoj Ty

që na ke paraprirë të gjithëve në këtë rrugë.

27 qershor 2020, 08:37