2020.06.04 Santissima Trinità 2020.06.04 Santissima Trinità 

Shenjtorët e javës 7-14 qershor

Mё 7 maj, Kisha katolike kremton solemnitetin e Trinisё Shenjte. Festa e Trinisë Shenjte na thërret jemi bashkësi dashurie e jete sepse Zoti nuk është vetmi e pafund, por bashkim drite e dashurie: këtë na kujton misteri i Njënisë dhe e Trinisë së Tënzot. Hyji është jetë e dhuruar dhe e marrë në një dialog të amshuar ndërmjet Atit e Birit, në Shpirtin Shenjt – i Dashuruar, i Dashur e Dashuri, siç shprehet Shën Agostini.

R.SH. - Vatikan

E Diel 7 maj, Kisha katolike kremton solemnitetin e Trinisё Shenjte. Festa e Trinisë Shenjte na thërret jemi bashkësi dashurie e jete sepse Zoti nuk është vetmi e pafund, por bashkim drite e dashurie: këtë na kujton misteri i Njënisë dhe e Trinisë së Tënzot. Hyji është jetë e dhuruar dhe e marrë në një dialog të amshuar ndërmjet Atit e Birit, në Shpirtin Shenjt – i Dashuruar, i Dashur e Dashuri, siç shprehet Shën Agostini. Të kremtosh festën e të Shenjtënueshmes Trini për besimtarin domethënë t’i përgjigjesh dëshirës për ta njohur Zotin gjithnjë më tepër, por edhe të jesh i gatshëm ndaj manifestimit, shfaqjes së Tij Hyjnore: Ai i pari e dëftoi veten porsi Urti, porsi Fjalë dëftuese, porsi Dashuri jetike.

Gjithnjё më 7 qershor, kalendari kishtar përkujton  shën Anton Maria Gjanelin, ipeshkëv i Bobios, themelues i Bijave të Marisë. Liturgjia e ditës na nxit të reflektojmë mbi rëndësinë që ka jo sasia, por cilësia e dhuratave që u bëjmë të tjerëve me dashuri. E kjo e fundit varet nga zemra.

Të hёnёn më 8 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Medardin, ipeshkëv i Nojonit. Liturgjia e ditёs na kujton se feja dhe tradita janë dy çelësat, pa të cilët nuk mund ta hapim e ta lexojmë mesazhin ungjillor. Jezusi është njeri i ri, por që ecën në gjurmët e traditës së hebrenjve, bijve të besëlidhjes së parë.

Të martën më 9 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Efremin, diakon e doktor i Kishës, shën Primo-n (Prelën) dhe shën Feliçianin, martirë. Liturgjia e ditës na kujton se në se dhurojmë me gjithë zemër atë që i duhet tjetrit, të afërmit tonë, atëherë jeta jonë fiton vërtetë kuptim të ri.

Të mërkurën më 10 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Landerikun e shën Cenzurin. Liturgjia e ditёs na drejton ftesën e Jezusit që thotë: Ejani tek unë, ju që jeni të lodhur e të shtypur, unë do t’ju ushqej, thotë Zoti. Mësoni prej meje që jam i butë e me zemër të përvujtë.

Të enjten më 11 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Barnabën, apostull. Liturgjia e ditës na kujton se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim. Ne jemi populli i Zotit, këndon Psalmi i sotëm, grigja që Ai udhëheq.

Tё premten më 12 qershor, kalendari përkujton e shën Onofrin. Liturgji e ditёs na kujton se Jezu Krishti është fytyra e mëshirshme e Hyjit Atë që mishërohet. Falja, që Jezusi ia ofron gruas mëkatare, është një vepër mëshire bujare, falas, që një krijesë nuk mund ta meritojë, mirëpo gjithmonë mund ta kërkojë. Falja e fituar nga Zoti na bënë të jetojmë si vëllezër.

Të shtunёn më 13 qershor, kalendari kishtar përkujton shëna Ndoun e Padovës. Kështu më 13 qershor, në të gjitha vendet antoniane: nga Portugalia, në Padovë, e në trevat shqiptare: në Laç të Sebastes, në Gjakovë, Tuz, Gusi, Binçë, Gllogjan dhe Braticë, do të nderohet Shëna Ndou i Padovës, françeskan e doktor i Kishës. Jeta e tij na kujton se për të qenë i krishterë i vërtetë, nuk mjafton t’i pranosh urdhërimet e Tënzot; duhet t’i jetosh ditë për ditë, i frymëzuar nga Shpirti i jetës.

Të dielën e ardhshme më 14 qershor, Kisha katolike do të kremtojë solemnitetin e Korpit e Gjakut të Krishtit. Festa lindi në rrethana të caktuara historike e kulturore me qëllimin që populli i Zotit ta ripohonte haptazi besimin e vet në Jezu Krishtin e gjallë e vërtetë të pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Festa e Korpit të Krishtit është mister i pakapshëm për atë mendje njerëzore që nuk ndriçohet nga feja, që nuk frymëzohet e nuk gjallërohet nga dashuria e Krishtit. Kjo festë na kujton Sakramentin e Eukaristisë, në të cilin Jezu Krishti na la tërë vetveten: korp e gjak, shpirt e hyjni. Prandaj edhe është konsideruar gjithnjë si më i shenjti ndër Sakramente.

Gjithnjё mё 14 qershor, kalendari kishtar përkujton Shën Elizeun profet dhe Shën Leduinën. 

07 qershor 2020, 06:28