Kërko

 Santi, sensus fidei Santi, sensus fidei 

Shenjtorët e javës 28 qershor-5 korrik

Më 28 qershor, Kisha katolike kremton të dielën 13-të gjatë vitit kishtar. Po më 28 qershor kalendari kujton shën Ireneun, ipeshkëv të Lionit e martir. Ungjilli i sё dielёs nga Mateu na tregon se prania e Jezusit, Zot i vërtetë e njeri i vërtetë, i ndryshon krejtësisht marrëdhëniet njerëzore, të cilat duhen parë në një dritë të re. Krishti kërkon përparësi absolute, pasi vjen para të gjithëve, edhe para të afërmve më të dashur, përfshirë familjarët.

R.SH. - Vatikan

E diel më 28 qershor, Kisha katolike kremton të dielën 13-të gjatë vitit kishtarGjithnjë më 28 qershor kalendari përkujton shën Ireneun, ipeshkëv të Lionit e martir, njeri i fesë e bari besnik i grigjës që i qe besuar. Ungjilli i sё dielёs, marrë nga ai sipas Mateut (10,37-42), na tregon se prania e Jezusit, Zot i vërtetë e njeri i vërtetë, i ndryshon krejtësisht marrëdhëniet njerëzore, të cilat duhen parë në një dritë të re. Krishti kërkon përparësi absolute, pasi vjen para të gjithëve, edhe para të afërmve më të dashur, përfshirë familjarët.

Të hënën më 29 qershor bie festa e Shën Pjetrit dhe e Shën Palit, Apostuj, kremtuar së bashku që në kohët e para të krishterimit. Këtyre dy kryeapostujve duhet t’u jemi mirënjohës, sepse me gjakun e tyre bënë të lulëzojë Kisha në shekuj. Kujtojmë se dy Shenjtorët-Apostuj janë Pajtorë qiellor të qytetit të Romës e se trupi i Shën Pjetrit pushon në paqe në Bazilikën e Vatikanit, ndërsa ai i Shën Palit, në Bazilikën në udhën Ostiense, gjithnjë në Romë.  

Shenjtorët Apostuj Pjetri e Pali kremtohen në shumë vise shqiptare. Kujtojmë së pari, se Katedralja e Tiranës i kushtohet Shën Palit, që prandaj edhe kremtohet shumë nga besimtarët e kryeqytetit të Shqipërisë; por kremtohet edhe në Bajzë, ku ngrihet Kisha e gjithë Malësisë së Madhe, pastaj në Hajmel, në Shën Pjetër e në Dardhë, e në një mënyrë të veçantë kjo festë kremtohet edhe në Gjakovë të Kosovës ku Shën Pjetri e Pali janë pajtorë qiellor të bashkësisë katolike të këtij qyteti. 

Të martën më 30 qershor,  kalendari përkujton Martirët e parë të Kishës romake, festa e të cilëve na kujton thirrjen: “Bekuar qofsh, o Zot, Hyj besnik! Ti nuk i harron kurrë ata që dhurojnë gjakun për dashurinë tënde!”.

Të mërkurën më 1 korrik, kalendari përkujton shenjtorët Juli e Aroni, martirë të Britanisë dhe shën Aronin, vëllain e Moisiut, kryeprift i Besëlidhjes së Vjetër. Më 1 korrik, Kisha Katolike i fton besimtarët të luten për shenjtërimin e meshtarëve.

Të enjten më 2 korrik, kalendari shën Bernardinin e shenjtorët martirë Procesi, Martiniani e Eutiki, dishepuj të Jezu Krishtit. Këta qenë gati të paguanin çdo lloj çmimi e të hiqnin dorë nga çdo kërkesë e çdo vlerë, për të mos u ndarë kurrë nga Zoti, të cilin e dëshmuan duke derdhur gjakun për dashuri të Tij.
 
Të premten më 3 korrik, kalendarit përkujton shën Tomën Apostull, të cilit iu dhurua falas feja nga Krishti i Gjallë, që fitoi kështu mbi të gjitha dyshimet e mosbesimet e nxënësit të vet. Me shën Tomën apostull e si ai, jemi të ftuar edhe ne të shpallim: “Zoti im e Hyji im!” me bindjen se kush beson në Zotin, do të shohë shëlbimin e tij. Këtë ditë bie edhe përkujtimi i shën Leonit papë.
 
Të shtunën më 4 korrik, kalendari përkujton Shën Elizabetën (Izabelën) së Portugalisë. Liturgjia na kujton se forca e së keqes, edhe kur shfaqet në formën e saj më të tmerrshme e më tronditëse, nuk mund t’i bëjë kurrë ballë pranisë së Zotit, i cili ia vë veshin britmës së njeriut të shtypur padrejtësisht, që e ngre zërin aq, sa të dëgjohet deri te froni i Hyjit.
 
Të dielën e ardhshme më 5 korrik, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 14-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 5 korrik kalendari përkujton edhe shën Ndoun Maria Zakaria. Shenjti është themelues i Barnabitëve dhe i Motrave Engjëllore të Shën Palit. Shën Anton Maria Zakariae na kujton një të vërtetë të madhe feje: “Edhe në se njerëzimi do të arrijë t’i zhdukë të gjitha sëmundjet fizike e të zgjidhë shumë nga problemet që e trondisin, nuk do të mundet kurrë ta çlirojë njeriun nga sëmundja më e rëndë, mëkati. Këtë mund ta bëjë vetëm ndërhyrja e Zotit!  Po kujtojmë se këtë ditë Bijtë e Bijat e Shën Ndout Maria Zakarisë , pra Barnabitët e Motrat Engjëllore, që prej vitesh me mision në Shqipëri e Kosovë, do ta kremtojnë festën e Themeluesit të tyre.

28 qershor 2020, 09:08