Kërko

 Logoja e Javës për lirinë fetare Logoja e Javës për lirinë fetare 

SHBA: fillon Java kushtuar lirisë fetare

Ngjarje kombëtare, për të pohuar edhe një herë rëndësinë që ka për çdo njeri zgjedhja e fesë e edhe mbrojtja e kësaj zgjedhjeje: këtë propozon Konferenca ipeshkvnore amerikane përmes Javës së lirisë fetare, që nisi sot e do të vijojë deri më 29 qershor.

R. SH. - Vatikan

Ngjarje kombëtare, për të pohuar edhe një herë rëndësinë që ka për çdo njeri zgjedhja e fesë e edhe mbrojtja e kësaj zgjedhjeje: këtë propozon Konferenca ipeshkvnore amerikane me Javën e lirisë fetare, që nisi sot e do të vijojë deri më 29 qershor. Datë me vlerë të veçantë, e sotmja, sepse pikërisht sot  kremtohet festa liturgjike e Shenjtorëve Gjon Fisher e Tomas More, të martirizuar sepse nuk iu bindën Enrikut VIII, të cilit nuk i mjaftonte sundimi i shtetit, por donte të sundonte edhe Kishën, duke u bërë kreu i saj. Ndërsa më 29 qershor kremtohen Shenjtorët Pajtorë të Romës, Pjetri e Pali. Në program parashikohen ndjete të përditshme lutjesh, hartuar nga ipeshkvjitë amerikanë. Besimtarët do të luten për asistencën shëndetësore, praktikimin e kultit, respektimin e pakicave fetare, për jetimët, për Kishat e kufirit, për ato katolike, për paqen në Republikën Qendrafrikane dhe për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.

Kujdesi për të sëmurët

Dita e parë u kushtohet të krishterëve, që kujdesen për njerëzit e sëmurë e të ligshtë e, në veçanti, spitaleve katolike, të impenjuara në çështje të panumërta ligjore, sajuar nga ata që pretendojnë “procedura të dëmshme, si sterilizimi e aborti”. Nuk mund as të mendohet - nënvizojnë ipeshkvijtë -  të përlyhet misioni shërues i Kishës, duke shkatërruar jetët e pafajshme e duke dëmtuar njerëzit,  për të cilët është e thirrur të kujdeset.

Lutje për besimtarët e të gjitha feve

Në qendër të takimit të 23 qershorit, do të jetë lutja për njerëzit e të gjitha feve që “të jenë të lirë ta praktikojnë kultin e tyre, pa frikë se i fyen a i sulmon kush”. “Sulmi shqetësues kundër vendeve të kultit - vërejnë prelatët amerikanë - është sulm kundër vetë lirisë fetare”. E, në vijim kujtojnë se  kishat e dhunuara në Evropë e në veri të Amerikës, atentatet kundër sinagogave e xhamive, priftërinjtë e shumtë të vrarë nëpër botë duke kremtuar liturgjinë, janë “sulme kundër vetë Zotit, që nuk mund të tolerohen!”.

Në qendër të vëmendjes, besimtarët kinezë

Besimtarët dhe pakicat fetare në Kinë janë në qendër të programit të ditës që pason, kur lutja do t’i drejtohet Zotit  për këto bashkësi,  që “të mund ta praktikojnë fenë e tyre lirisht, pa iu nënshtruar kontrollit të shtetit”. E, përsa u përket jetimëve, në qendër të lutjes së 25 qershorit, ipeshkvijtë amerikanë kujtojnë se kujdesi për fëmijët “është normë ungjillore” dhe nxisin të mbështeten të gjitha institucionet katolike të sektorit, që detyrohen të luftojnë kundër organizatave promovuese të identitetit të gjinisë, ose të ideve të tjera, që i kundërvihen fesë, edhe sepse të vegjlit  duhen vënë  gjithnjë në vendin e parë.

Muri kundër imigrimit

Kishat në kufirin jugor të SHBA-ve, ku synohet të ngrihet muri  kundër imigrimit, janë në qendër të reflektimeve të 26 qershorit, ditë në të cilën  do të  theksohet se “të flasësh për lirinë e Kishës, do të thotë të  kujtosh se ajo nuk mund të pengohet nga autoritetet civile në misionin e saj, i cili përfshin  edhe  mbrojtjen e atyre, që ikin nga dhuna e nga varfëria.

Lutja për shkollat katolike

Hapësirë e madhe i jepet, në ditën e mëpasme, lutjes për shkollat katolike, që të garantohet liria e tyre për “të mësuar të vërtetat për Zotin dhe për krijimin”. Edukimi është themelor për misionin e Kishës - saktësojnë prelatët - e shkollat katolike janë institucione të rëndësishme në shumë lagje. Prej tyre përfiton edhe kush nuk  është nëxënës! Amerika pa ta nuk mund as të përfytyrohet!

Lutje për Republikën Qendrafrikane

I kushtohet Republikës Qendrafrikane, takimi i parafundit i ngjarjes, me një ndjet lutjeje për Shtetin, “që të gjejë rrugën e paqes e të pajtimit”. Përveçse është një nga vendet më të varfëra të botës  - nënvizohet -  vijon të tronditet nga lufta civile. Kujtohet, ndërkaq, me kënaqësi se në përpjekjen për t’i dhënë fund konfliktit ndërmjet grupeve myslimane e jo myslimane, lindi  lëvizja ndërfetare, që po i bashkon katolikët, ungjillorët e myslimanët, në favor  të rindërtimit shoqëror kombëtar.

Lutja drejtuar Zotit, për dinjitetin e të gjithëve, në përfundim

Java e lirisë fetare do të përfundojë me një lutje drejtuar Zotit, që të kujtohet për t’u dhënë hirin e dinjitetit të gjithëve. E kjo, sepse sot, posaçërisht në politikë, përdoret një gjuhë shumë e ashpër, me fjalë që nuk i kanë hije asnjërës palë e aq më pak ndihmojnë për të ndërtuar një të ardhme të denjë për të gjithë. Ardhmërija e denjë, nuk mund të ndërtohet mbi themelin e fjalëve të padenja! Ndërsa kemi nevojë - përfundojnë ipeshkvijtë - për një dialog të ndershëm e civil. Kjo tregon se të gjithë duhen trajtuar si njerëz të denjë për t’u respektuar, e edhe për t’u dëgjuar!

22 qershor 2020, 12:21