Comece Comece 

Next Generation. BE. Imzot Antoine Hérouard: Asnjë vend sot nuk mund të shpëtojë, pa ndihmën e askujt!

Intervista e imzot Antoine Hérouard, kryetar i Komisionit për Çështjet Shoqërore i Comece menjëherë pas propozimit Nex Generation EU (Breznia e Ardhshme BE).

R. SH. - Vatikan

Në një intervistë, dhënë menjëherë pas propozimit të Nex Generation EU (Breznia e Ardhshme BE-së),  imzot Antoine Hérouard, kryetar i Komisionit për Çështjet Shoqërore i Komisionit të episkopateve të Bashkimit Evropian (Comece) pohon me forcë: “Asnjë vend sot nuk mund të thotë se është i aftë të dalë nga situata e të shpëtojë, pa ndihmën e askujt! Prandaj është e nevojshme të përballohen pasojat e krizës së bashku e me një solidaritet të madh ndërmjet Shteteve anëtare”

Çfarë mungoi në fillim të Epidemisë?

“Covid -9 na tregoi dy gjëra. E para është se së paku në fillim, mungoi solidariteti, gatishmëria për t’i ndihmuar vendet më të dëmtuara nga epidemia. E dyta,  se për t’u bërë ballë pasojave shumë negative,  që la pas kjo krizë e rëndë, në nivel ekonomik e shoqëror, është e domosdoshme të veprohet së bashku”.

Atëhere ju mendoni se asnjë vend sot nuk mund të thotë se është i aftë të dalë nga situata e të shpëtojë, pa ndihmën e askujt!

“Po! Asnjë vend sot nuk mund të thotë se është i aftë të dalë nga situata e të shpëtojë, pa ndihmën e askujt! Prandaj është e nevojshme  të përballohen pasojat e krizës së bashku e me një solidaritet të madh ndërmjet Shteteve anëtare. E ky është edhe mesazhi, që i drejtuan sot ipeshkvijtë e Comece, Bashkimit Evropian, duke botuar një komunikatë, në të cilën mbajnë qëndrim lidhur me propozimin e Nex Generation EU (Breznia e Ardhshme BE), paraqitur dje nga Ursula von der Leyen. Një plan prej 750 miliardësh, për ta shpëtuar ekonominë evropiane”.

Mendoj se është me të vërtetë një sinjal i mirë, që e shpreh konkretisht dëshirën për solidarietet ndërmjet vendeve evropiane” - pohuat menjëherë ju, imzot Antoin, që hartuat komunikatën …

“Në fillim të krizës shëndetësore, pati probleme. Secili vend veproi për hesap të vet e disa, si Italia, e ndjenë veten krejtësisht të braktisur nga të tjerët. Me këtë propozim kemi, në nivel ekonomik, e edhe social, një sjellje krejt të ndryshme, e mendoj se është diçka pozitive. Por, kjo nuk është fjala e fundit. Propozimi duhet të kalojë nëpër shoshën e Këshillit Evropian të 19 qershorit, që t’i hapet rruga e lirë nga 27 qeveritë e Vendeve anëtare. Pastaj do rikthehet në Europarlament për miratim. Mund të rëndojnë akoma përçarjet ndërmjet vendeve më të goditura nga pandemia, që kërkojnë ndihmë e solidaritet dhe vendeve më “të rrepta”.

Çfarë kërkoni nga BE-ja, në këtë kalim kaq delikat të historisë së Bashkimit?

“Të shkojë rishtas tek themelet e kushtetutës evropiane, tek arsyet për të cilat vendosëm të bashkojmë një farë numri politikash. Bashkimi, siç e dimë, qe një projekt i shumëdëshiruar për të favorizuar e për të përforcuar procesin e paqes ndërmjet vendeve të ndryshme. Kjo zanafillë ndoshta u harrua pakëz vitet e fundit, mbasi të krijohet ideja se i përket viteve të kaluara. Duhet të përpiqemi të ruajmë frymëzimin e etërve tanë themlues! Të ecim sipas një projekti, që ka në qendër njeriun, përmasën njerëzore, jo vetëm interesat financiare!”.

03 qershor 2020, 14:32