Kërko

Vatican News
 Bazilika e Shëna Ndout në Padovë Bazilika e Shëna Ndout në Padovë  (©2009 Claudio Olivato - Padova (Italy))

Nata e festës Shëna Ndout dhe koronavirusi

Sivjet të devoçmit e Shëna Ndout, do të mund ta ndjekin Mrekullibërësin në fluturim, si bekim mbi viset e prekura nga koronavirusi.

R. SH. - Vatikan

Dihet nga të gjithë tashmë se masat kundër-ngjitjes së koronavirusit nuk lejojnë grumbullime njerëzish. E rreth Shëna Ndout, kudo lartohen shenjtërore e kisha në nder të tij, nuk mungojnë kurrë turmat, që luten, kërkojnë e gjejnë mrekulli, kryer me ndërmjetësimin e Tij. E kështu do ndodhte edhe këtë 13 qershor, festë e Shenjtit të mrekullive, po të mos ishte ende në qarkullim virusi vdekjeprurës. I madh, rreziku, atje ku mblidhen turma. Por edhe më i madh, guximi dhe feja e atyre, që kanë nevojë për hirin e Zotit! Atëhere, për ta kremtuar denjësisht 789 - vjetorin e kalimit të Shenjtit, lindur në Lisbonë, por bir në shpirt i Padovës, në jetën e pasosur, kur  Ai “pau Zotin e tij”, u gjend një rrugë e pashkelur…Që të duket si mrekulli!

Shëna Ndou “në fluturim” mbi viset e prekura nga virusi

Falë gatishmërisë së Shtatmadhorisë së Ushtrisë e të Forcave Operative të Veriut, një pjesë e mirë, të devoçëm të Shenjtit të mrekullive, një bust i Shëna Ndout, që do të ketë përbrenda reliken e mbiquajtur “massa corporis”, “gjuha e Shenjtit”, do të vendoset në helikopterin e ushtrisë AB-205 për të marrë fluturimin mbi gjitha viset e Padovës, duke u ndaluar pakëz, pikërisht mbi viset-simbol të emergjencës së coronavirusit, si mbi spitalin e Schiavonia e atë të rrugës Justiniani, mbi katundin Vo’ rrëzë Colli Euganei dhe burgut të Dy Pallateve. Duke pasur parasysh se në bazilikë do të mund të hyjnë vetëm 200 besimtarë njëherësh, gjatë gjithë ditës së 13 qershorit  (nga ora 6 e mëngjesit deri në 10 të mbrëmjes), fluturimi do të ndiqet e do të transmetohet drejtpërdrejt nga rrjeti venet (Kanali 18 i dixhitalit tokësor). Por edhe nga faqet e You Tube e Facbook të Bazilikës së Shenjtit, që edhe sivjet do të jetë i pranishëm mbi gjithë të devoçëmt e tij, që do të mund ta ndjekin me sy, në fluturim! Për ta ndjerë veten edhe më pranë Zotit, tek i cili ndërmjetëson Shenjti i Mrekullive, për të xjerrë hiret që dalin nga zemrat njerëzore, gjithnjë nevojtare për ndihmën hyjnore!

Shëna Ndou në Laç e në Gjakovë

Po Shenjti nuk do të jetë vetëm mbi viset ku jetoi, vdiq, bëri e bën mrekulli. Do të jetë, si për vit, edhe në Shenjtëroret shqiptare të Laçit e të Gjakovës ku, në këtë vit të trishtë, në prag të festës, rrëfyestoret ishin plot! E ku të Trembëdhjetë të Martet e Shenjtit të Mrekullive u ndoqën me devocion të veçantë! Me gjithë masat e sigurisë. Po njerëzit e ndjejnë veten më të sigurt kur dalin nga rrëfyestoret, sesa kur hyjnë nën strehët e tyre të mbrojtura. Sepse ndjejnë mbi kokë vetë dorën e Zotit! E sot, ndonëse me kufizime, të dyja shenjtëroret ishin në festë! E në festë, edhe Antonat e Antonietat e panumërta, që morën si dhuratë në Pagëzim emrin e Shëna Ndout të Padovës!

12 qershor 2020, 14:18