Natività di San Giovanni Battista Natività di San Giovanni Battista 

Më 24 qershor Kisha kremton Lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit

Festa e lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit, profetit të mbramë të Besëlidhjes së Vjetër e Pararendësit të Krishtit. Gjon Pagëzuesi shënon pikërisht vijën ndarëse ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër e të Besëlidhjes së Re, pra e përuron epokën Mesianike. Ai është personaliteti për të cilin Jezusi thotë: “Asnjë profet nuk qe më i madh se Gjoni”.

R.SH. - Vatikan

Më 24 qershor kalendari kishtar përkujton lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit, profetit të mbramë të Besëlidhjes së Vjetër e Pararendësit të Krishtit. Shën Gjon Pagëzuesi është dëshmitari i parë, martir i krishterimit,

Shën Gjon Pagëzuesi qe dërguar për ti përgatitur udhët Mesisë, Jezu Krishtit Zot pranë popullit dhe atë për ta sjell tek Shpëtimtari, Mesia. Gjoni e tregoi të pranishëm në mesin e popullit pikërisht Qengjin e Hyjit, Shëlbuesin e njerëzimit që i merr mbi vete mëkatet e njerëzimit dhe i falë e shlyen, prandaj Gjon Pagëzuesi edhe kërkonte nga populli përgatitje shpirtërore për ta pritu e pranuar Mesinë me fe. Për këtë Gjoni predikoi pagëzimin e pendesës dhe kthimin e njerëzve tek Hyji.

Pra, me pak fjalë Gjoni është profeti i mbramë i Besëlidhjes së Vjetër e Pararendësi i Krishtit. Gjon Pagëzuesi shënon pikërisht vijën ndarëse ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër e të Besëlidhjes së Re, pra e përuron epokën Mesianike. Ai është personaliteti për të cilin Jezusi thotë: “Asnjë profet nuk qe më i madh se Gjoni”. Një nënvizim ky i rëndësishëm në historinë e shpëtimit që e bënë këtë shenjtor një pikë referimi e përherë aktual. Ishte viti 28 para Krishtit. Që prej 15 vjetësh në fronin e Romës sundonte Tiberi perandor.

Sipas Shën Lukës ungjilltar, pikërisht në këtë kohë, nga stepat e Judesë, gjatë rrjedhës së lumit Jordan, u ngrit një zë i fuqishëm e i qartë: zëri i Gjon Pagëzorit. Me Gjonin njihemi për herë të parë në ungjillin e Lukës, i cili tregon sesi Kryengjëlli Gabriel e paralajmëroi babain e Gjonit, Zakarinë, një mbrëmje ndërsa po shërbente në Tempull, se do t’i lindte një djalë. Ungjilltarët e paraqesin Gjon Pagëzuesin përmes përshkrimit të misionit të lavdishëm, që arrin kulmin me martirizimin e tij, në atmosferën e një feste të shthurur në pallatin e Herodit. Por skena kryesore, që na propozon liturgjia për Shën Gjon Pagëzuesin, përmes Ungjillit sipas Mateut, është ajo në të cilën vetë Krishti e larton Gjonin me shprehjen: “Përnjëmend po ju them: ndër ata që u lindën prej grash, nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi”.

Nga ana tjetër ndër ungjijtë vërehet njëfarë ngurrimi kur flitet për Gjonin, duke pasur parasysh se nxënësit e tij nuk donin të largoheshin prej mësuesit të tyre për të shkuar e ndjekur Jezusin, ndërsa vetë Gjoni kishte pohuar se qe i padenjë edhe për t’i zgjidhur lidhëzat e sandaleve. E kjo sepse, siç pohon në Ungjillin e tij Shën Gjoni apostull e ungjilltar duke përdorur simbolet e dhëndrit, të nuses e të mikut të dhëndrit, “Gjon Pagëzuesi nuk ishte drita, por duhet të bënte dëshmi për dritën”. Madje vë në gojën e Paraardhësit këto fjalë: “Unë nuk jam Krishti (Mesia) por jam i dërguari para tij. Kush ka nusen, është dhëndër. Dashamiri i dhëndrit, i rri pranë e dëgjon zërin e dhëndrit. I tillë është, pra gëzimi im: arriti në kulm! Ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem!”.

Shën Gjon Pagëzuesi është padyshim profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër, i rrethuar me aureolën e lumturisë (së bashku me Virgjërën Mari, është i vetmi shenjt të cilit, sipas kalendarit liturgjik të Kishës, i kremtohet jo vetëm vdekja, por edhe lindja), por ai mbetet gjithnjë vetëm një gisht tregues i drejtuar nga Krishti, që është qendra e vërtetë e historisë së shëlbimit. Prandaj në poliptikun e elterit të Izenhaimit, që ruhet në muzeun e qytetit alsasian të Kolmarit, piktori Matia Grynevald që e pikturoi veprën ndërmjet viteve 1512 e 1516 e ka vendosur Shën Gjon Pagëzuesin tek këmbët e të Kryqëzuarit me gishtin tregues të lartuar drejt Krishtit, i vetmi që duhet të “rritet” në fenë e në adhurimin e nxënësve të vet.

Për Gjon Pagëzuesin është thënë çka nuk është mund të thuhet deri më tani për askënd tjetёr: "Ndër ata që u lindën prej grashë nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi" (krhs. Mt 11,11).  Le të jetë edhe për ne kjo ditë, ku mund të përfitojmë edhe ne një fe të gjallë duke vendosur që edhe ne t´a fillojmë një jetë të re me Gjon Pagëzuesin! Të jetojmë edhe ne sipas shembullit të tij! Ne kemi shumë të marrim nga ai, prandaj edhe të jetojmë! 

23 qershor 2020, 11:48