Kërko

2019.06.19 Corpus Domini 2019.06.19 Corpus Domini  

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së Korpit e Gjakut të Krishtit ‘A’

Nga festa e Korpit e Gjakut të Krishtit, mësojmë se Eukaristia ndërsa na bashkon me Korpin e Krishtit, na i hap zemrat për të pranuar edhe të tjerët, deri në atë pikë, sa të mos jemi më të ndarë, por një gjë e vetme në Të. Eukaristia është përkujtim, kremtim e shfaqje sakramentale e Pashkëve të Krishtit dhe kjo mund të njihet vetëm me anë të fesë.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, kësaj radhe do të meditojmë leximet biblike të solemnitetit të Korpit e Gjakut të Jezu Krishtit, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së Korpit e Gjakut të Krishtit ‘A’

Solemniteti i Korpit e Gjakut është Eukaristia Shenjte, gostia e Pashkëve, në të cilën vet Krishti, duke realizuar sakramentalisht Pashkët e veta, na dhuron Korpin e Gjakun e vet, të ofruara si ushqim e pije, na bashkon me vetveten dhe na lidh ndërmjet nesh përmes flijimit të Tij shëlbimprurës. (nga Katekizmi i Kishës katolike, Compendio, 287).

Nga kjo e kremte e madhe e Korpit dhe Gjakut të Krishtit, mësojmë se Eukaristia Shenjte, ndërsa na bashkon me Korpin e Gjakun e  Krishtit, na i hap zemrat për të pranuar edhe të tjerët, deri në atë pikë, sa të mos jemi më të ndarë, por një gjë e vetme në Të. Kush e pranon Jezu Krishtin në Hosten Shenjte tё Eukaristisё, e pranon në vëllain, që vuan, që ka uri, etje, që është i huaj, i zhveshur, i sëmurë, i burgosur; e është i vëmendshëm ndaj çdo njeriu, që impenjohet, në mënyrë konkrete, për të gjithë nevojtarët. Nga dhurata e dashurisë së Krishtit, buron përgjegjësia jonë e posaçme e krishterë për ndërtimin e një shoqërie solidare, të drejtë, vëllazërore.

Në solemnitetin e Korpit e Gjakut të Krishtit, Kisha i fton të gjithë të meditojnë misterin e Krishtit, që dhuron vetveten mbi Kryq, që përmes mundimeve, vdekjes mbi Kryq dhe Ngjalljes, e shpëtoi njerëzimin, duke i treguar rrugën e shëlbimit. Një ngjarje, kjo, që Zoti e përshpejton dhe përsërit, e bënë sërish të pranishme në themelimin e Eukaristisë, në të cilën buka e thyer dhe vera e derdhur në kelk, bëhen Korpi e Gjaku i Krishtit, udhë e mjet për bashkimin me Të e shtegu i vetëm i shpëtimit.

 Pra, Jezusi, në Eukaristi, na ka lënë përkujtimin e Pashkëve të tij. Prandaj, duam ta adhurojmë këtë mister feje për t’i ndjerë në ne frytet e shëlbimit. Siç na kujton Ungjilli i këtij solemniteti nga Gjoni 6,51-58, Jezusi e kumton misterin e Eukaristisë, shkandull për ata që e dëgjonin. Ai bëhet ushqim për të na mbështetur e mbajtur gjallё në udhën e jetës sonë, me vullnetin për të na bërë një gjë të vetme me Të.

Kisha katolike u kujton gjithë të krishterëve se ta adhurosh Korpin e Krishtit, do të thotë të besosh se aty, në atë copëz buke, është i pranishëm vetë Jezusi, që i jep kuptimin e vërtetë jetës: si universit të pafundmë, ashtu edhe krijesës më të vogël; si mbarë historisë njerëzore, ashtu edhe jetës më të shkurtër. Eukaristia e ushqen shpirtin me dashuri, me vërtetësi, me paqe, me shpresë, sepse Krishti, para të cilit gjunjëzohemi, nuk na gjykon, nuk na shkel, por na çliron, na shndërron e shёlbon!  Eukaristia është përkujtim, kremtim e shfaqje sakramentale e Pashkëve të Jezu Krishtit dhe kjo mund të njihet vetëm me anë të fesë. Eukaristia, pra, është përkujtimi i fesë.

                                                                      Liturgjia e Fjalës

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë 8, 2-3.14-16

Moisiu iu drejtua popullit me fjalë: “Të bjerë në mend udhëtimi që Zoti, Hyji yt, ka bërë ta kalosh për këta dyzet vjet nëpër shkretëtirë, me qëllim që të përulte, të sprovonte e të shihte çka ndryhet në zemrën tënde: a do t’i mbash urdhërimet e tija apo jo. Të mundoi me uri, por mandej të ushqeu me manë, që s’e njihje ti as etërit e tu. Kishte për qëllim ta vërtetonte se për të jetuar njeriut nuk i del mjaft buka, por i lypet edhe secila fjalë që del prej gojes së Zotit. Mos e harro Zotin, Hyjin tënd, që të ka nxjerrë nga toka e Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë; që të ka prirë nëpër atë shkretëtirë të madhe e të tmerrshme, tokë gjarpërinjsh të helmuar e gallomash, vend të thatë e pa ujë; por qe Ai që për ty nxori përrenj uji të gjallë prej qetës graniti e të ushqeu në shkretëtirë me manë, që s’e kishin njohur etërit e tu, e, pasi të përuli dhe të sprovoi, në fund pati dhimbje për ty dhe të bëri të lumtur.”  Fjala e Zotit. 

Psalmi 147

Qoftë bekuar Zoti, lavdia e popullit të vet

Lavdëroje, Jerusalem, Zotin,
madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!
Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua,
i bekoi bijtë e tu në ty!

Ai ua siguron kufijve të tu paqen,
ai të ushqen me palcën e grurit.
Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë,
lajmi i tij vrapon me shpejtësi.

Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit,
drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.
Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër:
asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.

 Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve 10, 16-17

Vëllezër, gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë, a nuk është bashkim me Gjakun e Krishtit? Po edhe buka të cilën ne e ndajmë, a nuk është bashkim me Trupin e Krishtit? Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm: sepse të gjithë jemi pjesëtarë të një buke. Fjala e Zotit. 

ALELUJA, aleluja. 
Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush e ha këtë bukë, do të jetojë për amshim.
Aleluja

 Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit 6, 51-58

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im, për jetën e botës.” Atëherë judenjtë filluan të grinden me shoqi-shoqin e thoshin: “Si mundet ky të na japë korpin e vet për ushqim?” Prandaj Jezusi u tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani korpin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete! Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit. Sepse korpi im është ushqim i vërtetë, e gjaku im është pije e vërtetë. Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të. Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që ha mua do të jetojë për mua. Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo porsi ajo që hëngrën etërit e vdiqën: kush ushqehet me këtë bukë do të jetojë në amshim.” Fjala e Zotit. 

Dom Kolё Dedaj: Predikimi në festën e Korpit dhe Gjakut të Krishtit

                      (Lgjp 8,2-3.14b-16a || Ps 147,12-15.19-20 || 1 Kor 10,16-17 || Gjn 6,51-58)

Liturgjia e ditës sotme është e lidhur tërësisht rreth Korpit dhe Gjakut të Krishtit. Në leximin e parë shohim se Zoti e sprovon Izraelin, me dashje, për t’ia njohur zemrën, për të parë se a do t’ia mbaj urdhërimet Izraeli apo jo. Shtrohet pyetja, si ka mundësi që Zoti që di gjithçka, s’ditka se ç’është në zemrën e njeriut? Në fakt me këtë nënvizohet liria e plotë që Zoti në krijim ia dhuron njeriut për të vendosë për vete.

Zoti edhe pasi që i mundon nëpër shkretëtirë, me të gjitha rreziqet që përfshin shkretëtira, nuk i lë vetëm, por i shpëton prej gjarpërinjsh helmues, prej urie duke i ushqyer me manë, ushqim që s’e kishin njohur më parë, i shpëton edhe prej etjeje duke dhënë ujë që buron nga shkëmbi. Kështu ia bën të ditur se pa Zotin ata janë të humbur dhe se vetëm te Zoti mund të jetojnë. Thotë “Për të jetuar njeriut nuk i del mjaft buka” (Lgjp 8,3) dhe përsëri “ruaju se të rritet mendja dhe e harron Zotin, Hyjin tënd...” (v.14) atë “që pati dhimbje për ty për të të bërë të lumtur” (v.16).

Po kështu psalmi (147) lavdëron Hyji i cili e mbron Izraelin. Ai e mban atë në plotësi e në shëndet (šālôm) dhe e ushqen me grurë. Madje “e dërgon fjalën e vet mbi tokë” (Ps 147,15) duke ia zbuluar Jakobit/Izraelit e ky duhet të bëhet ndërmjetës për të gjithë popujt tjerë, sepse “nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër” (v.20). Hyji krijues, po atë fjalë me të cilën krijoi botën, të njëjtën ia dhuron njeriut.

Shën Pali, ndërsa qorton bashkëvëllezërit kundër flijimit ndaj idhujve, me stil kremtor shpreh se çka është eukaristia.

Duhet ditur se buka, që përdorej në traditën hebraike të pashkëve, kishte formë pete rrumbullaket të hollë. I zoti i shtëpisë, që printe gostinë, e ndante këtë bukë dhe i kalonte copat e saj tek gjithsecili prej pjesëmarrësve në gosti duke themeluar kështu miqësinë ndaj njëri-tjetrit (darka e fundit). Kështu krijonin ndërvarësi. Mjafton të kujtojmë edhe ne në traditat tona, që për dasma o festa, momente ku themelohet miqësia, ne ulemi e hamë bashkë. Një fjalë e urtë e jona thotë “nuk e njeh dikë si duhet po s’hëngre një thes kryp bashkë”.

Në këtë kontekst gota, e cila është e bekuar dhe e dhuruar në fli Hyjit, i takon atij dhe Hyji është ai që po hedh gostinë në të cilën ne, duke marrë pjesë, bëhemi të ftuarit e tij. Tash në BV gjaku është shenja e jetës, por shpeshherë përdoret për të shpreh edhe pasojat e veprimeve kur thonë “gjaku i juaj rafte mbi kryet tuaj”. Kështu duke pi në gotën e Zotit përfiton të mirat dhe hiret e tij. Po e njëjta gjë është edhe me bukën e bekuar dhe të flijuar Zotit. Duke qenë se ke marrë një copë bukë dhe ke hëngër, ke formuar raport miqësorë me anë të trupit të Jezusit. Ja përse Pali mund të thotë se jeni bashkuar si një në Krishtin dhe jeni bërë një trupi i vetëm. Thyerja e bukës fillon darkën dhe vendos miqësinë.

Në Lgjp Zoti çoi manën, etërit hëngrën, porse prapë se prapë vdiqën. Në Psalm Hyji dhuron ngushëllim me anë të fjalës së tij, por dhuron dhe grurë. Ndërsa tani Shën Gjoni na tregon se Krishti është buka e vërtet që zbriti prej qiellit dhe u bë mish (Gjn 1,14). Sikurse e ceka më herët, duke ngrënë në tryezën e Krishtit, krijojmë një raport miqësie me të e kështu mbesim në të e ai në ne (v.56).Vetëm kush e han mishin dhe pi gjakun e tij do ta ketë jetën e pasosur dhe madje ngjalljen në ditën e fundit dhe jo sikurse etërit, që edhe pse hëngrën bukë të mrekullueshme e cila ushqeu një popull në shkretëtirë, prapë se prapë vdiqën.

Pra çdo herë që të marrim pjesë në Meshën shenjte dhe të ushqehemi me trupin e Krishtit mos tё harrojmë se jemi tё thirrur e tё futur në një marrëdhënie miqësie me Krishtin Zot

13 qershor 2020, 10:15