Kërko

 Gesù la via della vita Gesù la via della vita 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 12-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Fjala e Zotit e kësaj së diele na fton të mos druajmë e të lirohemi nga çdo frikë. Krishti nëUngjill (Mt 10,26-33) na thotë “mos keni frikë” nga njerëzit. E bën këtë për t’i ngushëlluar nxënësit në mënyrë që këta ta shpallin haptas Lajmin e Mirë. Jezusi iu flet dymbëdhjetë apostujve në lidhje me misionin e tyre për të përhapur ungjillin dhe për salvimet e ardhshme që do t’iu duhet të durojnë për emër të Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 12-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 12-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Pas festave e solemniteteve të ndryshme që kremtuam të dielave të mëparshme, deri te Korpi i Krishtit, me këtë të diele tё XII të kohës së zakonshme a tё kohёs gjatё vitit liturgjik kishtar, rimarrim reflektimet tona mbi tekstet biblike qё na ofron Fjala e Zotit e liturgjisё së dielës, kete vit ndjekim Ungjillin e Mateut. Janë tekste biblike vёrtet shumë të domёthёnёse që presin të kuptohen e të kumtohen, përmes një sjellje a njё stili të denjë të jetës së krishterë.  

Fjala e Zotit e kësaj së diele të 12-të gjatë vitit kishtar na fton të mos druajmë e të lirohemi nga çdo frikë. Jezusi pati zgjedhur të Dymbëdhjetët, e një ditë i nisi për të çuar Fjalën e Tij në mbarë botën. E para se t’i dërgonte, i përgatiti, i mësoi. Mësimet e tij janë mbledhur nga Mateu ungjillor në 'Fjalimin apostolik', të quajtur kështu sepse u drejtohet Apostujve, e quhet edhe 'Fjalimi misionar', sepse i përgatiste për mision. Këtë të diel kemi një fragment, marr nga pjesa qendrore e fjalimit që Jezusi ua drejtoi apostujve ndërsa i dërgonte në mision (krh Mt 10,5-42): janë fjalë frymëzuese dhe rregullore që vlejnë për të krishterët e çdo kohe, që janë të thirrur ta dëshmojnë e tua kumtojnë Ungjillin të gjithë njerëzve.

Jeremia profet, në Leximin e Parë të liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele, denoncon ata që e kritikojnë, ndërsa e paralajmëron popullin për të keqen, që do ta gjejë: pushtimi i Jeruzalemit e syrgjynosja e tij në Babiloni. Vetëm besimi në Zotin i dha forcë profetit për të vazhduar, pavarësisht nga përqeshjet e njerëzve, prandaj i paraprin skenës së Jezusit, që në Ungjillin sipas Mateut, u thotë dishepujve të vet të mos kenë frikë. Edhe nëse persekutohen për shkak të kumtimit të Krishtit, siguria u vjen nga e vërteta që shpallin: Jezusi vdiq e u ngjall.  

Qendra e mesazhit të krishterë mund të çojë edhe në përqeshje e në persekutim, por dishepujt e Krishtit nuk duhet të shkandullohen, sepse këtë e përjetuan edhe profetët e vetë Jezusi. Në Ungjillin e kësaj së diele jepet garancia për një fitore, që nuk është e kësaj bote: Kisha lind nga gjaku i martirëve. Feja e të krishterëve bazohet në paradoksin e madh: edhe kur konsiderohen asgjë nga bota, askush nuk humbet para syve të Zotit, sepse Krishti premton: “Kushdo pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim që është në qiell, se jam i tij. E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor”.

                                                      Liturgjia e Fjalës

Leximi parë: Jer 20,10-13.

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Tha Jeremia: I dëgjoja shpifjet e shumëve, tmerr gjithkund përreth: ‘Paditeni! Le ta padisim!’ Të gjithë dashamirësit e mi vërenin rënien time: ‘Ndoshta do të lejojë të gënjehet! Do të ngadhënjejmë mbi të, atëherë do të hakmerremi!’ Por me mua është Zoti si trimi i trimave, prandaj ata që më përndjekin, do të rrëzohen e s’do të ngadhënjejnë: turpi do t’i mbulojë se s’do t’ia dalin qëllimit, turp e përhershme që kurrë s’do të shlyhet! O Zoti i Ushtrive, ti, o sprovuesi i të drejtit, që ia sheh veshka e zemër, bëj ta shoh hakmarrjen tënde mbi ta, sepse në dorën tënde e lashë çështjen time! Këndojini Zotit, lëvdojeni Zotin, që e çliroi shpirtin e të varfrit nga dora e keqbërësve.  Fjala e Zotit!

Psalmi 69

Ref: Më dëgjo, o Zot, në dashurinë tënde të madhe. 
—————————————————
E ndëshkova veten me agjërim, 
por kjo m’u kthye në çnderim; 
për petk vesha grathoren, 
përrallë e lodër u bëra për ta. 
Kundër meje flasin ata që rrinë në derë, 
pijanecët po më vënë në bisht të lahutës. 
——————————————————

E pra, unë ty të lutem, o Zot, 
në kohën e përshtatshme, o Hyj, 
më vështro pashë dashurinë tënde, 
pashë të vërtetën e shpëtimit tënd! 
Më dëgjo, o Zot, se bamirës është përdëllimi yt, 
shiko mbi mua sipas mëshirës sate të madhe, 
———————————————————

Le të shikojnë të përvuajturit e le të gëzohen; 
kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet. 
Sepse Zoti i dëgjon skamnorët, 
s’i përbuz të vetët që janë të robëruar. 
Le ta lavdërojnë qielli e toka, 
detet dhe gjithçka lëviz në to. 
—————————————————

Leximi dytë: Rom 5, 12-15

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, me anë të një njeriu mëkati hyri në botë e, me anë të mëkatit, vdekja, dhe kështu vdekja kaloi në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë njerëzit mëkatuan… ‑ në të vërtetë, edhe para Ligjit mëkati ishte në botë dhe, megjithëse nuk mund të mbahej për mëkat pasi ende nuk kishte Ligj, prapë vdekja mbretëronte që prej Adamit e deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk mëkatuan me mëkat të njëjtë si ai i Adamit, i cili është prototipi i Atij që do të vinte. Por me dhuratën e hirit nuk ngjau si me mëkatin. Sepse, në qoftë se me mëkatin e një njeriu të vetëm, vdiqën të gjithë njerëzit, shumë më tepër u ndikua mbi të gjithë njerëzit hiri i Hyjit dhe dhurata e dhënë për hir të një Njeriu të vetëm ‑ Jezu Krishtit. Fjala e Zotit.

Aleluja! 
Shpirti I së Vërtetës do të dëshmojë për mua, Por edhe ju do të dëshmoni për mua, thotë Krishti. 
Aleluja!

Ungjilli Mt 10, 26-33.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënëseve të vet: Mos ua kini, pra, frikën! Sepse nuk ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehtë që s’do të dihet. Çka ju them në errësirë, thuajeni në dritë, e çka dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni nga pullazet! Mos i druani ata që vrasin trupin e nuk mund ta 
vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin. A nuk shiten dy trumcakë për një aspër? E, megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa lejen e Atit tuaj. E ju? Madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kresë suaj janë të numëruara! Pra, mos druani! Ju vleni më tepër se shumë trumcakë!” 
“Kushdo, pra, pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim që është në qiell, se jam i tij. E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor.” Fjala e Zotit!

Dom Kolё Dedaj: predikimi i dielës sё XII-të të kohës së rëndomtë

(Jer 20,10-13/Ps 69,8-10.14.17.33-35/Rom 5,12-15/Mt 10,26-33)

Mos keni frikëna thotë Jezusi nё Ungjillin e kёsaj sё diele. Madje këtë e përsërit tri herë (Mt 10,26.28.31). Po pse s’u dashka të kem frikë? Frika është një reagim normal i njeriut, që përgatit njeriun në raste rreziku, o t’ia mbathë ose të përballet me atë që është burim i frikës.

Nga konteksti i ungjillit kuptojmë se Jezusi po iu flet dymbëdhjetë apostujve në lidhje me misionin e tyre për të përhapur ungjillin dhe për salvimet e ardhshme që do t’iu duhet të durojnë për emër të Krishtit.

Në Besëlidhjen e Vjetёr gjenden deri në dhjet terma që shprehin lloj-lloj frikash. Gama e domethënieve shtrihet nga frika/terrori deri te përnderimi (lat. reverentia). Këta terma në Besëlidhjen e Re zakonisht përkthehen me një term, që përfshin të gjitha domethëniet, gq. phobeō, prej ku përdorim shpesh edhe shprehjen “e kam fobi”. Kemi disa lloj frikash:

Frika skllavërore është si rrjedhojë natyrore e mëkatit (Zan 3,10; Fu 28,1) e mund të jetë edhe si dënim (Lgjp 28,28). Është ajo që ndjeu Feliksi kur dëgjoi predikimin e Palit dhe pati frikë bjerrjen (Vap 24,25).

Frika nga njerëzit mund të jetë edhe nderimi i njerëzve të ndryshëm, si mësuesit, mjeshtrit, etj (1 Pj 2,18), por mund të jetë frika e verbër nga ajo se çka mund të të bëjnë njerëzit (Num 14,9; Fu 29,25).

Këto raste bëjnë që njeriu të jetë frikacak, të mënjanoi rreziqet, kundërshtimet dhe frikat personale. Frika të tilla bëjnë që të vonohemi me punët që na janë besuar dhe na krijojnë ankth. Vonesa e tillë shpeshherë është rezultat i mos vendosmërisë apo mos dëgjesës ndaj Zotit. Jeremia (20,10-13) përshkruan me dramaticitet përballjen e tij me njerëzit, gjë që i krijon dhimbje të madhe. Fjala e Zotit që ai ka përbrenda, e cila e thirri, e shtynë me një zjarr të pashueshëm për ta shpallur, ndërsa për njerëzit është shqetësim dhe i thonë të shuaj. Populli thotë “kush e ka mizën nën kapuç i djeg” ja pse edhe ata i kundërvihen. Jeremia gjendet mes dy zjarreve, “tmerr gjithkund përreth” (v.10) siç e shprehi edhe ai. Mes zërave të shumëve në turmë dëgjon zëra të njohur, zëra të miqve e dashamirëve të tij që flasin kundër tij. Duan që ta padisin e për këtë kërkojnë arsye, madje edhe shpifin. Të shpallurit e fjalës së Zotit s’i solli gjë tjetër veçse përqeshje.

Frika e shenjtë është dhuratë nga Zoti, që bën të aftë për ta përnderuar Zotin, për t’iu bindur urdhrave të tij e për të urryer çdo formë të së keqes. Kjo frikë cilësohet si fillimi i dijes (Ps 111,10), sekreti i drejtësisë (Fu 8,13), cilësi e njerëzve në të cilët Zoti vet gëzohet (Ps 147,11), detyra e çdo të krishteri (Kish 12,13), madje edhe cilësia hyjnore e Mesisë (Is 11,2-3). Frika hyjnore stimulon besimtarin për të kërkuar shenjtërinë (2 Kor 7,1) dhe reflekton qëndrimin e tij ndaj të tjerëve, sidomos të krishterëve (Ef 5,21).

Ja pse Jeremia tejkalon frikën njerëzore me anë të frikës hyjnore. Me të është Zoti, luftëtar i patrembur (Jer 20,10a), andaj edhe merr guxim për të ecur para.

Krishti në Ungjill (Mt 10,26-33) na thotë “mos keni frikë”, mos keni frikë nga njerëzit. E bën këtë për t’i ngushëlluar nxënësit në mënyrë që këta ta shpallin haptas lajmin e mirë. Kundërshtimi i njerëzve si duket ka qenë një burim frike jo i vogël për ta, ngaqë shohim se Jezusi ua përsërit tre herë. Detyra e nxënësve është nevoja për të larguar frikën njerëzore dhe për të shpallur ungjillin në atë mënyrë që të mund ta dëgjojnë mirë të tjerët, p.sh. prej pullazeve. Pullazet palestineze aso kohe, madje edhe sot, janë të rrafshëta e mund të jenë vend pushimi (Mt 24,17) madje edhe vend lutjeje (Vap 10,9). Duke qenë se nuk ishin shumë të larta mund të shërbenin edhe si platformë për t’u predikuar kalimtarëve në rrugë. Çka thuhet fshehtas, në errësirë apo në vesh, shpalleni prej pullazeve.  Duke ditur shansin e një martirizimi Jezusi flet për trup dhe shpirt për të theksuar rëndësinë e jetës së përtejme dhe se frika e duhur mund t’i shpëtoi. Zoti, Atit qiellor, ka pushtet mbi trupin dhe shpirtin. I njëjti Atë që përkujdeset për trumcakë, që në krahasim me njerëzit vlejnë më pak, aq më fort do të përkujdeset për bijtë e vet. Më se ngushëlluese është fakti se Jezusi e cilëson Zotin si “Ati juaj” (v.29).

Çdo njërit prej nesh i kërkohet të vendos prioritete në jetën e vet. Këto prioritete çojnë drejt zgjedhjes radikale. Nuk bëhet fjalë thjesht për një bindje ndaj Jezusit, por për njohje/pranim eksplicit të tij si Zot përpara një bote armike/kundërshtuese.

Në kohët e sotme njeriu është i mbushur me pasiguri e frika të ndryshme. Papunësia, lojërat politike që zhvillohen në të mirë të xhepit e jo qytetarit, degradimi i vlerave themelore të shoqërisë si dhe pasojat që këto sjellin, krijojnë frika dhe ankthe në shumëkënd. Nuk duhet të harrojmë se përtej frikave njerëzore na pret një horizont i gjerë i mundësive dhe i vetëplotësimit. Përtej frikave njerëzore qëndron ajo hyjnore që na vendos në marrëdhënie me Zotin e kjo na mbush me gëzim e shpresë.

Të vendosim, pra, prioritetet tona të mira e të forta dhe t’i mbajmë ato me këmbëngulësi e pa frikë njerëzore. Ju uroj hiret dhe bekimet e Zotit me fjalët e Jeremisë profetë, i cili i ngushëlluar prej Zotit, na nxitë me një ndër refrenet më të vjetër të Biblës “këndoni Zotit, lëvdojeni Zotin” (hallelu ju lëvdoni – Jah JHWH/Zotin).

19 qershor 2020, 18:19