Kërko

Ministri i Shtetit Gjerman për Evropën, Michael Roth Ministri i Shtetit Gjerman për Evropën, Michael Roth

Katolikët e ungjillorët, presidencës gjermane të BE-së: “Pasojat e pandemisë duhen përballuar me një Evropë të bashkuar”

Mesazh i Kishës Katolike dhe i asaj Ungjillore për presidencën gjermane të Bashkimit Evropian, që do të fillojë më 1 korrik. Kriza shëndetësore dhe ekonomike, të drejtat shoqërore dhe ambienti, në reflektimin e krerëve të krishterë.

R.SH. - Vatikan

“Kurrë si në këtë çast nuk ka qenë kaq e rëndësishme të përvijohet një rrugë e përbashkët drejt së ardhmes, pikërisht për t’iu përgjigjur motos së presidencës ‘Së bashku. Ta bëjmë sërish të fortë Evropën’. Sepse pasojat ekonomike e shoqërore të pandemisë mund të kapërcehen vetëm nga një Evropë e bashkuar”. Kjo është vetëm një pjesë e deklaratës së përbashkët të kryetarit të Këshillit të Kishës Ungjillore në Gjermani (Ekd), ipeshkvit Heinrich Bedford-Strohm dhe, kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore Katolike Gjermane, imzot Georg Bätzing, që bëhet e ditur sot (17 qershor), vetëm pak ditë para fillimit të semestrit gjerman të presidencës në Këshillin e Bashkimit Evropian (1 korrik – 31 dhjetor 2020).

Roli udhëheqës i Gjermanisë

 “E ardhmja e ne të gjithëve nuk është vetëm brenda shteteve kombëtare, por në Evropë”, shkruajnë ipeshkvijtë. “Në perspektivën e presidencës gjermane të Këshillit të BE-së, por edhe më gjerë, ne kërkojmë nga politikanët gjermanë ta përcaktojnë të ardhmen e shtëpisë sonë të përbashkët në Evropë, me frymën e përgjegjësisë për kohezionin evropian”. Sipas Kishave të krishtera, “me presidencën e Këshillit, Gjermania, si anëtari më i madh dhe ekonomikisht më i fortë i BE-së, ka mundësi të luajë një rol udhëheqës, si ‘primus inter pares’ (e para ndërmjet të barabartëve)”.

Klima, pandemia, dixhitalizimi, brezat e rinj

 Krerët e Kishës Katolike dhe të asaj Ungjillore vënë në dukje disa çështje konkrete, që duhen përballuar në të ardhmen, siç janë: “vazhdimi i udhës së filluar drejt një shoqërie neutrale nga pikpamja klimatike, duke ruajtur biolarminë dhe duke mbrojtur ambientin”; “mbështetja e vendeve të goditura veçanërisht nga pandemia, edhe jashtë Bashkimit Evropian”; shfrytëzimi i të mirave të dixhitalizimit, duke garantuar “pjesëmarrjen dhe drejtësinë shoqërore”; “perspektiva e shpresa në një të ardhme më të mirë” për brezat e rinj, duke përdorur amortizatorët shoqërorë dhe duke gjetur rrugë konkrete për punësimin.

Migrantët dhe refugjatët, brexit, integrimi evropian

Ipeshkvijtë kërkojnë një “politikë dinjitoze, të drejtë e solidare për migrantët dhe refugjatët”, si edhe mbrojtjen e parimeve të “pjesëmarrjes demokratike dhe të shtetit ligjor në një shoqëri pluraliste”. Përveç kësaj, theksojnë nevojën e një partenariati ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe, e cila, vitin që vjen, do të shkëputet plotësisht nga Brukseli. Sipas dy Kishave, ky bashkëpunim duhet të jetë “i ngushtë, me marrëdhënie ekonomike të qëndrueshme e të drejta, bazuar mbi standarte të larta mjedisore dhe shoqërore, për të mbrojtur trashëgiminë e përbashkët”. “Integrimi evropian”, lexohet së fundi në deklaratë, në një frazë që prek edhe interesat shqiptare, “ka nevojë urgjente për një dinamizëm të ri, në këto kohë të vështira”. Ipeshkvijtë shprehen pozitivisht për Konferencën mbi të ardhmen e Evropës, përmes së cilës, Parlamenti evropian dëshiron të përfshijë të gjithë qytetarët në përcaktimin e përparësive të kontinentit. Do të kishte filluar më 9 maj, por pandemia e shtyu edhe këtë takim. Ipeshkvijtë katolikë e ungjillorë e quajnë “një mjet të rëndësishëm, në të cilin ne, si Kisha, duam të kontribuojmë”.

17 qershor 2020, 14:26