01037_25112014.jpg

Karitasi gjerman: “Qeveria federale të punojë për një Evropë më të drejtë”

“Bilanci i BE-së, parimet e përbashkëta për t’u dhënë garanci nevojtarëve dhe një politikë e re migracioni, që të parashikojë riorganizimin e sistemit të përbashkët evropian për azilkërkuesit”: këtë i kërkon Karitasi gjerman presidencës së re të Bashkimit Evropian, që do t’i kalojë pikërisht Gjermanisë, duke filluar nga 1 korriku.

R.SH. - Vatikan

“Bilanci i BE-së, parimet e përbashkëta për t’u dhënë garanci nevojtarëve dhe një politikë e re migracioni, që të parashikojë riorganizimin e sistemit të përbashkët evropian për azilkërkuesit”: këtë i kërkon Karitasi gjerman presidencës së re të Bashkimit Evropian, që do t’i kalojë pikërisht Gjermanisë, duke filluar nga 1 korriku. Në një deklaratë publike, kryetari i Karitasit, imzot Peter Neher, nënvizon se pret nga “qeveria federale që të vazhdojë negociatat në këta sektorë dhe të bëjë një fushatë për një Evropë shoqërore, ekologjike dhe të drejtë”.

 Për Karitasin, qeveria federale ka përgjegjësi të veçantë, pasi përballimi i pasojave të epidemisë së Covid-19 kërkon një busull të qartë, që i jep përparësi dixhitalizimit dhe mbron ambientin. Bisedimet për bilancin e BE-së në periudhën nga 2021 deri në 2027 duhet të marrin hov pikërisht gjatë presidencës gjermane të Këshillit të Bashkimit Evropian, që do të vijojë për gjashtë muaj, deri në fund të vitit. Karitasi shprehet në favor të propozimit për fuqizimin e buxhetit të përbashkët, përmes mjeteve të rimëkëmbjes, që u njoftuan kohët e fundit, por, nga ana tjetër, vë në dukje frikën e shkurtimit të buxhetit për Fondin Shoqëror Evropian.

 “Fondi është mjet kohezioni shoqëror evropian”, nënvizon imzot Neher në deklaratë, sepse “për shkak të pandemisë, është absolutisht i nevojshëm një Fond Shoqëror Evropian i fuqishëm”, që ka në dorë të gjitha mundësitë për përballimin e situatës. Imzot Neher kërkon edhe një politikë migracioni, ku të përfshihet sistemi i përbashkët evropian për azilkërkuesit, për të sqaruar kështu, një herë e përgjithmonë, se të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë përgjegjësi ndaj njerëzve, që kanë nevojë për mbrojtje. “Reforma e sistemit evropian për azilkërkuesit duhet të bazohet në idenë e humanitetit”, nënvizon imzot Neher.

25 qershor 2020, 11:16