Varri i don Raghed, i shkatërruar nga terroristët Varri i don Raghed, i shkatërruar nga terroristët 

Iraku kujton don Raghed, vrarë nga Isis, pse nuk e mbylli “Shtëpinë e Zotit”

Më 3 qershor 2007, në Mosul, terroristët e Shtetit islamik vranë, pas Meshës, famullitarin 35 vjeçar të Kishës kaldease të Shpirtit Shenjt, don Ganni, pasi e kishin kërcënuar prej muajsh. Me të ranë edhe tre diakonë të rinj. Don Basa, nxënës e biograf i meshtarit, pohon: “Është martir i Eukaristisë, që vijoi ta kremtojë Meshën edhe gjatë persekutimit”.

R. SH. - Vatikan

“Kur e mbaj në dorë Hosten, ndjej praninë e Krishtit. Ai na mban të gjithë, me dashurinë e Tij”. Don Ragheed Ganni, irakian nga Karemleshi, fshat i Rrafshit të Ninives, ishte 33 vjeç kur dha dëshminë e tij në Kongresin eukaristik italian të Barit, mbrëmjen e 28 majit 2005, me temë fjalët e fundit të 49 martirëve të Abitenës, therur gjatë persekutimit të Dioklecianit: “Pa të Dielën nuk mund të jetojmë”. Dy vjet më pas, më 3 qershor 2007, sapo kishte kryer kremtimin e Meshës të së dielës pas Rrëshajëve, në famullinë e tij të Shpirtit Shenjt, në Mosul, don Ragheed u prit nga terroristët e Isis në derë të kishës, ku u vra së bashku me tre diakonët e rinj: Basman Yousef Daud, Wahid Hanna Isho, e Gassan Isam Bidawed. Vrasësit i rrethuan trupat e tyre me auto të ngarkuara me lëndë shpërthyese, që askush të mos guxonte t’u afrohej. Vetëm kur u ngrys, policia e Mosulit arriti  t’u heqë kapsollën bombave e t’i mbartë trupat e të vrarëve.

Nuk mund ta mbyll shtëpinë e Zotit!

E kërcënuan, sapo kishte shkelur në prag të Kishës: “Të thamë ta mbyllësh Kishën! Pse nuk e mbylle!”. Po morën përgjigjen: “Nuk mund ta mbyll shtëpinë e Zotit!”. Terroristët - pati thënë don Raghed atë natë, në Bari  - mendojnë të na vrasin fizikisht ose, të paktën, shpirtërisht, duke na bërë të zhytemi në një jetë ngarkuar me frikë e tmerr. Siç bëjnë në shumë vende, të cilat duan t’i spastrojnë nga të krishterët. Shumë familje kanë ikur, për të shpëtuar nga kjo situatë. Po ne, në mes të dhunës së terrorizmit,  të shujtuar me Eukaristinë, me Krishtin e vdekur e të ngjallur, marrim jetë e shpresë. E kjo na ndihmon të qëndrojmë e të shpresojmë!”.

Dy fjalë për jetën e meshtarit martir

“Ai ishte martir i vërtetë i Eukaristisë” – na kujton don Rebwar Basa,  nxënës i Martirit në universitetin e Bagdadit, që ka botuar për të librin e  titulluar: “Një meshtar katolik në Shtetin Islamik: historia e Atë Ganni-t”. I pyetur për martirin e ri, u përgjigj:

“Sigurisht mund ta quajmë martir i Eukaristisë, të cilën e jetoi në mënyrë të përkryer. Kremtoi meshë, edhe atëherë kur mund ta paguante me jetë. Mbasi e kuptoi se pa Krishtin, për të krishterin nuk mund të ketë as jetë.  Veprimtaria e tij e fundit ishte pikërisht Mesha. Kështu e derdhi gjakun për Krishtin, për Kishën, për besimtarët e saj. Prej këndej, mbetet martir i Eukaristisë e simbol i unitetit, si të gjithë martirët e Kishës”.

Kujtojmë se më 22 prill 2017, në kremtimin e kujtimit  të martirëve të rinj, në Bazilikën e Shën Bartolomeut, në Romë, Papa Françesku kishte vënë stolën e kuqe të Don Ganni-t. Ndërsa më 1 mars 2018, Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve miratoi fillimin  e çështjes së lumnimit të tij e të diakonëve të tij. Faza dioqezane u mbyll më 27 gusht 2019. Jetëshkrimi i martirit të ri, realizuar nga don Rebwar Basa e botuar nga Ndihmë për Kishën që Vuan, mund të lexohet në shumë gjuhë të botës!

05 qershor 2020, 13:22