Kërko

Papa Françesku në Memorialin e Hiroshimës, ngritur pikërisht aty ku shpërtheu bomba atomike, më 6 gusht 1945 Papa Françesku në Memorialin e Hiroshimës, ngritur pikërisht aty ku shpërtheu bomba atomike, më 6 gusht 1945

Ipeshkvijtë e SHBA-ve dhe të BE-së: lutemi për një botë më paqësore e më të drejtë

Deklaratë e përbashkët e ipeshkvijve të SHBA-ve dhe të Bashkimit Evropian, me thirrjen që të rifillojë dialogu ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për çarmatimin bërthamor: “I ftojmë katolikët dhe të gjithë ata, që besojnë në Zot, të bashkohen në lutje për një dialog të frytshëm, i cili të bëjë hapa përpara drejt kontrollit të nevojshëm të armëve dhe drejt çarmatimit”.

R.SH. - Vatikan

Ipeshkvi David J. Malloy, kryetar i Komitetit për Drejtësi Ndërkombëtare dhe Paqe në Konferencën e Ipeshkvijve Katolikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si edhe Rimantas Norvila, kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve të Jashtme në COMECE, organizëm që mbledh ipeshkvijtë e Bashkimit Evropian, bëjnë sot një deklaratë të përbashkët për takimin ndërmjet presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, planifikuar në Austri, më 22 qershor. Në këtë mbledhje të rëndësishme, do të diskutohet mbi kontrollin e armëve bërthamore dhe mbi fatin e Traktatit New Start për reduktimin e këtyre armëve, nënshkruar nga të dyja palët në Pragë, më 8 prill 2010.

“Ofrojmë lutjet tona – shkruajnë ipeshkvijtë – si edhe ftojmë katolikët e të gjithë ata, që besojnë në Zot, të bashkohen në lutje për një dialog të frytshëm, që do të mundësojë hapa të tjera drejt kontrollit të armëve dhe çarmatimit të nevojshëm, duke promovuar një botë më paqësore dhe më të drejtë”.

Nëse Traktati “New Start” do të lihet t’i skadojë afati në shkurt 2021, vënë në dukje ipeshkvijtë, nuk do të ketë më asnjë kufi ligjor të verifikueshëm për strategjitë bërthamore të SHBA-ve dhe Rusisë e, për rrjedhojë, edhe për arsenalin e tyre ushtarak. E kjo, mund të ndodhë për herë të parë që nga viti 1972 e pa dyshim, do të krijojë probleme edhe për sigurinë e Evropës e për paqen globale.  

“Siç thanë ipeshkvijtë amerikanë dhe evropianë në vitin 2017 – lexohet në deklaratën e përbashkët – ‘Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, shumë vetë nuk janë më të vetëdijshëm për tmerrin e një lufte të mundshme bërthamore, por zhvillimet e fundit gjeopolitike na kujtojnë se kjo botë mbetet në rrezik të madh”. Prandaj, ipeshkvijtë urojnë që takimi ndërmjet dy superfuqive të karkaterizohet nga urtia e bashkëpunimi, në mënyrë që kontrolli i armatimeve dhe çarmatimi bërthamor të mbeten çështje me përparësi të lartë.

Në përfundim të deklaratës, ipeshkvijtë përmendin fjalët e Papës Françesku në udhëtimin e tij në Japoni: “Lutja, puna e palodhur në mbështetje të marrëveshjeve dhe këmbëngulja në dialog, qofshin ‘armët’ më të fuqishme… për të ndërtuar një botë me drejtësi e solidaritet, e cila të japë garanci të vërteta për paqen”.

19 qershor 2020, 20:00