Kërko

 Zemra e Krishtit Zemra e Krishtit 

Historia e Solemnitetit të Zemrës së Krishtit vijon…

Historia e Solemnitetit të Zemrës së Krishtit, nisur në shekullin XVII, vijoi, duke u lartuar vazhdimisht drejt kulmeve të reja në shekujt që erdhën pas.

R. SH. - Vatikan

Historia e Solemnitetit të Zemrës së Krishtit, nisur në shekullin XVII,  vijon, duke u lartuar vazhdimisht drejt kulmeve të reja. Nga gjysma e parë e shekullit XVII, Selia e Shenjtë i autorizoi ipeshkvijtë polakë të sivëllazërisë romake të Zemrës së Krishtit ta kremtonin këtë festë, por vetëm më 1856 Papa Piu IX shpalli kultin universal të saj, duke e shtrirë në mbarë Kishën katolike e duke e nxitur ndjeshëm popullaritetin.

Festa bie gjithnjë të premten, mbas së dielës II pas Rrëshajëve e përkon me ditën e tetë pas Korpit të Krishtit, nëse kremtohet të enjten. Është festë e lëvizshme, data e së cilës varet nga data e Pashkëve. Prandaj mund të ndryshojë nga 29 maji, deri te 2 qershori.

Të nesërmen, që është e shtunë, kremtohet festa e Zemrës së Papërlyer të Zojës (e cila, në formë të jashtëzakonshme, kujtohet më 22 gusht).

Kulti dhe devocioni i Zemrës së Krishtit u bë, kështu, në shekullin XIX e  në fillim të shekullit XX, një nga festat më madhështore për Kishën, barinjtë e grigjën e  besimtarëve.

Që asokohe devocioni ndaj Zemrës Hyjnore nisi t’i frymëzojë artistët: arkitektët, piktorët, skulptorët, muzikanët e poetët t’i ngrenë katedrale madhështore, ta pikturojnë, ta skalisin, t’i këndojnë, duke i vënë te këmbët e kryqit disa nga kryeveprat e artit botëror.  Po kujtojmë vetëm  katedralet  që i kushtojnë shumë vende të botës, nga Franca, në Rusi, e edhe në Shqipëri, por edhe kisha në qytete të ndryshme, si ajo në qendër të Tiranës e në fshatra, si ajo e Zemrës të Krishtit në Gurin e Zi të Shkodrës.

Me rëndësi në zhvillimin e devocionit të Zemrës së Krishtit janë tri enciklika: Annum Sacrum e Leonit XIII, Miserentissimus Redemptor e Piut XI dhe Haurietis Aquas e Piut XII.

E Zemra e Krishtit ka edhe flamurin e vet: të bardhë, me Zemrën e Zotit në mes, që sot shpaloset në shumë vende të botës.

19 qershor 2020, 11:33