Kërko

Vatican News
 Katedralja e Shën Palit në Tiranë Katedralja e Shën Palit në Tiranë 

Gjurmët e Shën Palit në Shqipëri: gojëdhëna, dokumente, kisha

Shën Pali njihet si ungjillëzuesi i Shqipërisë. Për këtë flasin sa legjenda, aq edhe historia, duke u ndaluar tek gjurmët, që mendohet të ketë lënë në viset ku shkeli.

R.SH. - Vatikan

Shenjtorët Apostuj Pjetri e Pali nderohen e kremtohen në shumë vise shqiptare. Kujtojmë së pari, se Katedralja e kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës, i kushtohet Shën Palit, ungjillëzuesit të shqiptarëve, e prandaj edhe kremtohet shumë nga besimtarët e Tiranës; por kjo festë kremtohet edhe në Bajzë, ku ngrihet Kisha madhështore e Malësisë së Madhe, pastaj në Hajmel, në Shën Pjetër e në Dardhë. E një kremtim solemn tejet i veçantë bëhet edhe në Gjakovë. Bashkësia katolike e këtij qyteti kosovar i ka pikërisht shën Pjetrin e Palin Apostuj për pajtorë qiellorë.

Gjurmët e para janë Kishat që i kushtohen. Në Përmet, sipas traditës së krishterë, Shën Pali predikoi mbi një shkëmb të lartë 25 metra, që njihet me emrin ‘Guri i qytetit’. Aty ruhen gërmadhat e një kapele, që i qe kushtuar Shën Palit, ndërtuar mbi një tempull pagan. Atje besimtarët vijojnë të shtegtojnë prej shekujsh.

Kisha kushtuar Shën Palit ka në Mërqel Dardhës (Pukë); Hajmel (Zadrimë); Kabash (Pukë), Shestan (Krajë); Krujë; Malësi e Tiranës; Cukal; Dardhë (Pukë), Shurdhah; Përmet; Sopik (Gjirokastër); Vithkuq; Zhymë-Myzeqe; Hoshtevë-Zagori; Dhrovjan- Sarandë; Dardhë (Korçë); Rodokal -Pogradec.

Te Kepi i Palit, që sot quhet Bishti i Pallës, ka qenë Kisha kushtuar Shën Pjetrit e Shën Palit.

Në lagjen Marçel të Kabashit - simbas Atë Gjon Karmës - janë dy kisha të vjetra, njena, me muranë e vorre të vjetra, i kushtohet Sh’ Palit.

Dardha lut Sh’Pjetrin e Sh’Palin. Kur i pyet malësorët për Shën Pjetrin, përgjigjen: ‘po Shpala e Shpjetra shkojnë bashkë’, por duhet vërejtë se Shën Palin e përmendin gjithnjë të parin.

Kisha e Shpalit në Hajmel, e ka festën në Kabash. Festohen nga të ramët prej Kabashi, në sa vetë Hajmeli ka si pajtor Shëna Rrokun.

Kishë kushtuar Shën Palit ka edhe në Prokopje – Kosovë e në Gjakovë ngrihet Kisha kushtuar dy Princave të Apostujve: Shën Pjetrit e Shën Palit.

Abacia e Shën Palit në Kabash të Pukës

Kisha më e përmendur, kushtuar Shën Palit në trojet shqiptare, është Abacia e Shën Palit në Kabash të Pukës. U ndërtua nga benediktinët në Grykë-Kabash, në jug-lindje të Koder - Qafaliaj në breg të Gominës, në të djathtë të saj. Vend tejet i gjetun, nga i cili mund të kontrollohen si hyrjet për në grykë, ashtu edhe kodrat përreth, ndërmjet të cilave, Kodra e Shën Nëkollit e Kodër-Rroma.  Tradita tregon se vendin e zgjodhi vetë Shën Pali, kur zbriti në grykë-Kabash, ku pa një vend tejet të bukur pranë Gominës. I pëlqeu shumë për kishë. Vendasit  i premtuan se shi aty do të ndërtonin një kishë me emrin e tij. Shën Pali bekoi gurin e parë e vijoi shtegtimin, i përcjellë nga qindra malësorë të fshatit.

Që aso kohe kishës i mbeti emni Kisha e Shën Palit e gurëve, gurët e Shpalit. Këtë e rrëfen tradita, ndërsa nuk kemi asnjë dëshmi historike që të vërtetojë se Shën Pali kaloi në këto vise. Po populli i beson gojëdhënave.

Nga gojëdhëna në histori

Dëshminë e parë historike për abacinë e Apostullit të Popujve e gjejmë në një nga relacionet e ipeshkvit të Sapës, Frangut të Bardhë i cili, më 1637, shkruan: “Abacia e ndërtueme në breg të Gominës, âsht e rrëxueme, vetem me nji hap mure në kambë për rreth. Ket Kishë e mata  permbrenda 13 hapa gjatësi e gjanësi ma pak se kater”; Bardhi shënon në relacion edhe se u bani thirrje banorëve katolikë e myslimanë për rindërtimin e Kishës e se ata nuk u kursyen: dhanë aspra e gjâ të gjallë (sidomos qé).

Më 6 nëntor të vitit 1671, gjatë vizitës së tij baritore në dioqezën e Sapës, Imzot Shtjefën Gaspri shkruan kështu: “Puka, dikur qytet fisnik e i lulëzuem, ishte kthye në katund. Kisha e Shën Palit “quondam Abbazia”; ka 19 katunde e rreth 225 shtëpi me 200 shpirtën...”. (v. i fq 242).

Të dhënat e mëvonshme mungojnë krejtësisht.

Në vitet ‘50 të shekullit XX u rindërtua çatia e kishës me lëndë të fortë dushku e rrasa të sjella nga Lëvrushku në Breg të Drinit. Në vitin 1967 ishte e rindërtuar çatia, dera e rrethimi. Pastaj, me kolektivizimin, lënda e çatisë u përdor për punishten e rakisë, e cila u ngrit pikërisht në trojet e kishës. Mbas shpërbërjes së kooperativës, u vu dorë mbi gjithçka, por rrënojat e kishës nuk u prekën. Mbet gërmadhë e vetmuar, mistike, e heshtur, në pritje që dikush të kujdeset për të, në sa bijtë e këtyre trojeve vijojnë të kalojnë pranë mureve të shkallmuara, në shtegtim drejt viseve të largëta të botës, emigrantë të shkulur me gjithë rrënjë nga trojet, ku gojëdhëna tregon se mbetën gjurmët e kalit të Shën Palit.

Dokumente

Dokumentet, që vërtetojnë lashtësinë e abacisë janë të pamjaftueshme. Të dhëna të pakta gjinden në veprën e Milan Shuflajt e ndër relacionet e ipeshkvijve gjatë shekullit XVII. Shuflai flet për ekzistencën e abacisë, duke nisur nga shekulli XIV, në rang ipeshkvije për gjithë Pultin e Epërm. “Përveç ipeshkvit të Sardës (Shurdhash), përmendet, në gjysën e të 14-tit qindvjet, vargu i ipeshkvijve të Pultit të Epërm, me qendër në abacinë benediktine të Shën Palit. Sipas një dokumenti Bizantin, Kisha ekziston që në vitin  870.2

Sipas Shuflajt, edhe në Mirditë ka pasur një katedrale kushtuar Shën Palit. Duhet të ketë qenë pikërisht në fshatin, që mban edhe sot emrin e Apostullit: Shpal. Ndërsa Shpali i Kabashit përmendet në studimet e Injac Zamputit.

Për pasuritë e Shpalit të Kabashit të Pukës njofton i pari argjipeshkvi i Tivarit, imzot Gjergj Bardhi, gjatë vizitës së tij baritore më 1634. Prelati pohon: “... ma parë ka kenë abaci e pasun, me të ardhuna të mëdha e prona, kopshtije e livadhe, pemë frytore e landë. Tash asht e zhdeshun prej çdo së mire”.

Frang Bardhi, në relacionin e vitit 1637, jep të dhëna të hollësishme për pasuritë e abacisë. ‘Kjo kishë e Shën Palit âsht abaciale dhe âsht kryet e ama e të gjitha kishave të tjera  të Pukës. Duket se motit ka kenë shumë e pasun”. Bardhi kujton edhe se pati pasuni artistike, ndërmjet të cilave, një kryq  të punuem mjeshtrisht me diamante sa një kokërr arre e një copë të bishtit të mitrës së abatit, me gjithfarë gurësh të çmueshëm. Nuk i munguen - gjithnjë simbas Bardhit -  shumë ara e male me landë të mëdha e të trasha.

Këtu besohet se Mesha kremtohej edhe shqip, duke përdorur mesharin e Buzukut. Dëshmia është e albanologut austriak, Teodor Ippen. Konsulli austro-hungarez i Shkodrës, në studimin e titulluar “Malësia e Drinit apo e Dukagjinit”, botuar në Vjenë, në vitin 1908, shkruan: ... “ u njoftova, gjithashtu, se hoxha muhamedan i këtij fshati (Flet) edhe sot (1908) i ruan zbukurimet e lterit dhe Librin e Meshës të kishës së dikurshme katolike”. Pra, ndryshe nga tradita gojore e popullit, Ippen nuk e quan Ungjill, por Meshar. Simbas gjasëve, kopja e Mesharit, që besohet të ishte ai i Buzukut e që u ruajt në familjen e hoxhës së Fletit, duhet të jetë nga abacia e Shën Palit. Ky Meshar mendohet se u dogj gjatë pushtimit të ushtrive serbe në vitin 1916, pasi u pagua me gjakun e pronarit, që e ruante prej treqind vjetësh.

Bazilika e Shën Palit në Tiranë

Më 26 janar 2002, Kryeqyteti i Shqipërisë, me një kremtim solemn liturgjik, në praninë e kardinalit Anxhelo Sodano, asokohe sekretar i Shtetit të Vatikanit, ia kushtonte katedralen e vet Shën Palit Apostull. Shtatë vjet më vonë, ky kushtim merr një rëndësi të veçantë, kuadruar në Vitin kushtuar dymijëvjetorit të ditëlindjes së Shën Palit, i pari nga Apostujt e Krishtit, që mendohet të ketë shkelur në trevat shqiptare për të mbjellur ndër to farën e mirë të Ungjillit të Krishtit, e cila u mbiu e u rrit e vaditur me gjak martirësh në shekujt e historisë gjithnjë të trazuar të këtyre trojeve, duke arritur një nga kulmet nën diktaturën komuniste.

Prandaj edhe i dërguari i Papës Gjon Pali II, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinalit Sodano, gjatë homelisë vuri theksin pikërisht mbi persekutimin e besimtarëve nën thundrën e kësaj diktature:

 “Nata e gjatë dhe e dhimbshme e persekutimit tashmë kaloi – tha Hirësia e Tij – e një ditë e ndritshme nisi të agojë në këtë skaj të Evropës, ku po lind një epokë e re në jetën e atdheut. Simbol i këtij kapitulli të ri në historinë kombëtare dëshiron të jetë katedralja e re e Tiranës, që u ngrit në zemër të kryeyqtetit, gati-gati si të donte t’u fliste të gjithë besimtarëve, t’i ftonte të kthehen e të venë në qendër të jetës individuale e shoqërore, kultin e Hyjit, krijuesit e Zotit tonë”.

Për ne të krishterët – shpjegoi në vijim kardinali Sodano – ky është Urdhërimi i parë, ndërmjet Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot: “Unë jam Zoti, Hyji yt. Nuk do të kesh Zot tjetër, përveç meje!”. E ky është mësimi që Zoti i ka dhënë e vijon t’i japë popullit të vet. “Unë jam Zoti, Hyji yt, që të nxori nga dheu i Egjiptit, nga skllavëria; nuk do të kesh zota të tjerë, përveç meje!”.

 Duke komentuar leximet e Meshës Shenjte me ritin e kushtimit, Kardinali Sodano e quajti tempullin e ri, ngritur në zemër të Tiranës “Një shkallë drejt qiellit”; (leximi i parë, cfr Zan 28, 11-18; 28,17); Tempull shpirtëror (Leximi II, nga Letrat e Shën Palit drejtuar Korintianëve). E iu drejtua besimtarëve shqiptarë me fjalët gjithnjë aktuale të Shën Palit:

 “Vëllezër, ju jeni ndërtesa e Zotit… A nuk e dini ju, se jeni tempulli i Hyjit e se Shpirti i Hyjit banon në ju?”.

Kjo britmë e Apostullit, të cilit iu kushtua shtatë vjet më parë Katedralja, kumbon ende e do të kumbojë në shekuj jo vetëm brenda mureve të saj. Britma përhapet në të katër anët e vendit, duke i bërë një thirrje të amshuar banorëve të këtyre trevave, si simbol mistik i pranisë së Krishtit në zemrat e të krishterëve.

Kardinali Sodano u la shqiptarëve një mesazh thellësisht aktual, në emër të Papës, duke u bërë thirrje: “Hyni në këtë Katedrale të re për të dashur Zotin, e dilni prej këndej për të dashur të afërmin”.

 Kështu, shtatë vjet më parë, në zemër të kryeqytetit të Shqipërisë, katolikët ia kushtuan katedralen e tyre kryesore Shën Palit Apostull. Po ngrehina kishtare, e rrethuar nga kompleksi i ndërtesave të tjera, që zbukurojë qendrën e Tiranës, nuk u përket vetëm katolikëve: në të janë të mirëpritur të gjithë, edhe pse, përveç misionit të saj kryesor, që është ai fetar, katedralja e Shën Palit në Tiranë është edhe qendër kulture e arti.

Është vetëm shtatëvjeçare, ndër më të voglat në moshë, përballë katedraleve madhështore të krishtërimit kushtuar Apostullit të Popujve, që lartohen në kryeqytetet e botës prej mijëra vjetësh e ku punuan artistë të pavdekshëm. Por gjithsesi as asaj nuk i mungojnë veprat e artit: madje, në këndvështrimin arkitektonik, ajo vetë është një vepër arti. E pastaj, sapo hyn në Katedrale, të bie menjëherë në sy një Kryq masiv, me Krishtin e kryqëzuar, që i pret me krahë hapur të gjithë ato që shkelin në Tempull. Ka edhe vetratat e shumta, realizuar nga një grup vetratistësh breshianë, me skena nga jeta e Shën Palit. U shtohet edhe një vetratë, që paraqet Nënë Terezën me ipeshkvin e parë të katedrales, imzot Mirditën, falë veprimtarisë së palodhshme të të cilit u ngrit ky tempull. E një tjetër përjetëson vizitën e Gjon Palit II, i pari Papë që shkeli në Shqipëri. Ai nuk e pa të kryer katedralen e Tiranës, por shuguroi ipeshkvin e saj të parë.

Ka pra edhe shumë vend për kryevepra të tjera, që mund e duhet të dalin nga duart e artistëve shqiptarë, të cilët e dinë mirë se Ungjilli është burim i pashterrshëm frymëzimi e se prej tij janë frymëzuar Da Vinçi, Buonaroti, Rafaeli… për të mos kujtuar artistë të tjerë të mëdhenj të të gjitha kohërave e kombeve.

Duhen kujtuar, pastaj, veprimtaritë e shumta kulturore, ndërmjet të cilave ato muzikore. Katedralja ka korin e saj tejet të përgatitur, të drejtuar nga muzikantë shumë të njohur shqiptarë, që shoqëron kremtimet fetare; ka instrumentistët e saj, jep koncerte e zhvillon veprimtari të tjera artistike e kulturore gjatë gjithë vitit.

Nuk mund të mos kujtojmë se kjo Katedrale është kryetempulli i dioqezës së lashtë të Durrës-Tiranës, që ekzistonte që në shekullin XIII e që më parë njihej si Metropoli e Epirus Novus. Burimi më i lashtë, që na flet për ekzistencën e krishterimit në këto vise që në shekulin IV, është vëllimi VII i veprës monumentale ‘Illyricum Sacrum” – “Iliria Kishtare”, e cila përshkruan pikërisht organizimin kishtar të trevave të Ilirisë.

 Që në vitin 95 pas K. Dioqeza kishte ipeshkvin e vet të parë, shenjt e martir: Çezarin. E shumë më vonë, një ipeshkëv tjetër, tepër të njohur martir: Imzot Viçenc Prennushin, shuguruar ipeshkëv më 1940, Martir më 1948, në dioqezën e tij.

E, pas një heshtjeje të gjatë, shkaktuar nga persekutimi, dioqeza e mbetur pa bari, pa të shkelte në një truall ku ende nuk ekzistonte katedralja e sotme, Ipeshkvin e vet të parë, imzot Rrok Mirditën, që u shugurua më 25 prill 1993 nga vetë Papa Gjon Pali II. Asokohe dioqeza quhej ende e Durrës-Tiranës, ndërsa më pas Papa Vojtila e ngriti në rangun e Kryedioqezës, duke ia ndryshuar edhe emrin në “Arkidioqeza Metropolitane e Tiranë-Durrësit”. Më 29 qershor 2005 imzot Rrok Mirdita merrte, në Romë, nga Papa Benedikti XVI, Palion e metropolitit. Katedralja ka vetëm shtatë vjet që i është kushtuar Shën Palit, por i ka rrënjët në një histori shumëshekullore: në historinë e krishtërimit ndër shqiptarë që, duke i bërë ballë shpatave e shekujve - hyri në mijëvjeçarin e tretë të krishterimit!

Kisha Katolike shqiptare kushtuar "Shën Palit" në Warrën, pranë Detroitit, në qytetin Rochecter Hills

 Kisha e Shën Palit në Warren ka një sipërfaqe prej 48 mijë "square feet”. Për ndërtimin e saj u shpenzuan mbi 10 milion dollarë amerikanë. Konsiderohet si një nga qendrat më të mëdha katolike shqiptare në Amerikë.  Mbledh rreth vetes shumë besimtarë: mijëra familje emigrantësh shqiptarë i gjen të bashkuar jo vetëm në ritet fetare të kësaj bashkësie katolike, por edhe në të gjitha aktivitetet kombëtare në këtë zonë të SHBA-s, të populluar mjaft kohët e fundit. Mendohet se në këtë zonë banojnë rreth 60 mijë shqiptarë.

Udhëheqës shpirtëror i kësaj Kishe është Dom Anton Kçira, i cili u zgjodh në krye të Kishës në vitin 1989.

 Kisha e parë në Warren, në qytetin Rochecter të Michinganit, me rritjen e   bashkësisë shqiptare në këtë zonë, tashmë ishte e vogël për të përmbushur kërkesat e famullisë dhe të besimtarëve. Dhe, kështu Dom Anton Kçirës i lindi ideja për ndërtmin e një kishe të re, që do të mund t’i plotësonte të gjitha kërkesat e besimtarëve shqiptarë në qytetin Rochecter Hills. Ideja e meshtarit u  përkrah nga të gjithë besimtarët e kësaj zone. Kisha u përurua, u bekua e u kushtua gjatë një kremtimi eukaristik, 1 shtator 2002.

Ajo ditë i ngjante një ditëfeste jo vetem fetare por edhe kombëtare, pasi nuk munguan ngjyrat  kuq e zi, muzika e veshjet karakteristike shqiptare.

Kompleksi kishtar i Shën Palit është ndërtuar në një sipërfaqe prej 48 mijë "square feet", sipas njësisë së matjes në Amerikë. Vetë kisha ka një sipërfaqe prej 19 mijë “square feet" e zë 1400 besimtarë. Kompleksi ka ka edhe 6 klasa për mësim, restorantin me 65 vende, sallën për bankete, që zë rreth 850 vetë, kuzhinën me të gjitha pajisjet e nevojshme, bibliotekën, katër zyra, sallën e shoqatës "At Gjergj Fishta", dhomën e tubimit, që zë njëmijë vetë e të tjera. Kisha ka dhe mjedisin sportiv, atë çlodhës, shumë funksional si dhe parkingun.

 Shtëpia e meshtarve u ngrit kryesisht me punën vullnetare të bashkatdhetarve. Në ndërtimin e Kishës, ndihmuan edhe besimtarët shqiptarë të fesë myslimane nga kjo zonë. Kisha Katolike Shqiptare e "Shën Palit" në Warrën afër Detroitit, në Qytetin Rochecter Hills, është sot jo vetëm qendër e edukimit fetar, por edhe e atij  kombëtar, ku ndjehet fort fryma atdhetare e ku besimtarët luten e flasin gjuhën mëmë.

1 Mark Tirta, “Gjurmë rrëfyese për Shën Palin e Kisha të herëshme”; “Hylli i Dritës”, 2008 (XXVIII), n. 2, fq. 107;

Xhemal Meçi, “Kabashi, Puka në lashtësi-2”, Tiranë, 2009, fq 52, 79, 82, 373, 380, 410.

Shih Ndue Dedaj, Toka e katedraleve, Tiranë, 1999, fq 76.

29 qershor 2020, 14:47