Feminizmi dhe identiteti katolik në shekullin XXI
R. SH. - Vatikan
“Gratë në jetën publike: feminizimi dhe identiteti katolik në shekullin XXI”: kjo është tema e Diplomës VI ndërkombëtare në Doktrinën shoqërore të Kishës, organizuar nga Akademia latinoamerikane e liderëve katolikë, nga 11 deri më 25 korriku i ardhshëm. Ngjarja, në të cilën do të marrin pjesë 25 liderë katolikë nga Evropa e Amerikat, do të mbahet on line, për shkak të pandemisë së coronavirusit e, me ftesën e Papës Françesku, do të përpiqet të reflektojë mbi feminizmin e vërtetë, që ia hap plotësisht rrugën gruas në jetën publike.
Ndërmjet profesorëve të kursit do të jenë Flaminia Giovanelli, gruaja e parë në historinë e Vatikanit, që kryen detyrën e zëvendës-sekretares së një Dikasteri; Marta Rodriguez, ish-kryetare e Seksionit të Gruas pranë Dikasterit për Laikët, Familjen e Jetën; kardinali Carlos Aguiar Retes, kryeipeshkëv, primat i Meksikës; Paola Binetti, senatore e neuropsikiatre italiane e specializuar në biopolitikë; Austeen Ivereigh, themeluese e Catholic Voices në Mbretërinë e Bashkuar; imzot Thomas Wenski, kryeipeshkëv i Miami; Soledad Alvear, ish-ministre e Punëve të jashtme në Kili; Isabel Capeloa, rektore e Universitetit katolik të Portugalisë dhe gruaja e parë, që kryeson rektorët e Universiteteve Katolike të mbarë botës; Alexandra Pelaez, sekretare e Shtetit për Edukimin në Kolumbi dhe teologu Mario Angel Flores, anëtar i Komisionit teologjik ndërkombëtar.
Objektivi i diplomës është të analizohet, duke nisur nga antropologjia filozofike e grave dhe nga rrënjët filozofike të gjinisë e të historisë së feminizmit, këndvështrimi i mendimit shoqëror të Kishës mbi gratë, për të paraqitur propozimin e identitetit të qartë kristian mbi feminizmin e ri, që e pranon kontributin femëror në Kishë e në jetën publike.
Sesioni përurues i kursit do të mbahet nga atë Alexandre Awi Mello, sekretar i Dikasterit për Laikët, Familjen, Jetën, që do të paraqesë tezën e tij të doktoratit kushtuar Virgjërës Mari, ikonë e gruas në Kishë, duke u nisur nga mendimi i Papës Françesku.
Diploma, që do të lëshohet nga Akademia Latinoamerikane e liderëve katolikë dhe nga katër Universitete katolike latinoamerikane: Universiteti Papnor i Meksikës; Universiteti Katolik i Costa Ricas; Universiteti Katolik i Tachira-s, në Venezuelë dhe Finis Terrae University, në Kili, do të ketë vlerë ndërkombëtare.
Ekipi akademik i diplomës përbëhet, ndërmjet tjerash, nga braziliania Cristiane Kaitel, doktore në jurisprudencë pranë Universitetit Federal të Minas Gerais; Adriana Sirito, koordinatore e formacionit pas-laures pranë l'UCA në Argjentinë e historiania meksikane, María Luisa Aspe Armella, një nga përfaqësueset kryesore të leadership-it femëror në Amerikën Latine, e cila ka kryesuar edhe departamentin e Historisë së Universidad Iberoaméricana si dhe IMDOSOC (Institutin meksikan të Doktrinës shoqërore të krishterë).
“Çështja e feminizmit të ri - nënvizojnë pedagogët - ka vlerë të veçantë në rrethanat aktuale, në të cilat lëvizjet feministe kanë hyrë tashmë me vrull të pandalshëm në jetën publike - ashtu si dhe kërkimi i hapësirave më të mëdha për lidershipin e grave dhe denoncimi i situatave të rënda të pabarazisë e të shpërdorimit të grave në gjirin e shoqërisë.
Këto tema do të përballohen në një perspektivë ungjillore, në mënyrë që të vihet theksi mbi aspektet pozitive e negative të feminizmave të ndryshme, për t’i bërë ballë rrezikut të manipulimit idelogjik, që nuk mungon të duket herë pas here. Synohet të propozohet një feminizëm i ri, “në shërbim të ndryshimeve të epokës e në kohë krize”.
Kursi do të mbahet on line, në orare të përshtatshme për pjesëmarrësit nga
Evropa dhe Amerika. Afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave është e hëna, 29 qershor! http://www.liderescatolicos.net/diplomado2020/ për informacione të mëtejshme.