Kisha e Shën Marisë Goretti, në Nettuno Kisha e Shën Marisë Goretti, në Nettuno 

Shën Maria Goretti, një dëshmi feje e dashurie

Vijon t’i prekë të gjithë, dëshmia e fesë dhe e dashurisë për Krishtin e martires së vogël italiane, Shën Maria Goretti, therur kur ishte vetëm 12 vjeçe, për të shpëtuar nga dhunimi - e kanonizuar në qershor 1950 - ashtu si dëshmia e një Marie tjetër, shqiptare që, në rrethana shumë më tragjike, dha të njëjtën dëshmi, nga dashuria për Krishtin, e u lumnua më 5 nëntor 2016.

R. SH. - Vatikan

Mbetet gjithnjë e gjallë dëshmia e fesë dhe e dashurisë për Krishtin e martires së vogël, Maria Goretti (Corinaldo, 16 tetor 1890-Nettuno, 6 korrik 1902) vrarë kur ishte vetëm 12 vjeçe, për të ruajtur dinjitetin e saj njerëzor e të krishterë. Në një kohë kur gruaja trajtohej jo si njeri, por si send. Përmendur këto ditë, në 70-vjetorin e kanonizimit.

Na kujton menjëherë dëshminë e një Marie tjetër, së lumes shiptare, Maria Tuci.

Janë dy Mari - martire të pastrisë në kohët moderne. Lindur larg njëra-tjetrës, pa e njohur njëra-tjetrën. Që e flijuan jetën në lule të rinisë, për të mbrojtur ç’kishin më të çmuar: bardhësinë e moshës - njëra;  të moshës e të përkushtimit - tjetra.

Dy Maritë, në udhën e martirizmit, drejt lumnisë

Mbushen  70 vjet, nga qershori  i vitit 1950, kur Papa Piu XII e shentjëroi Maria Goretti-n, duke e bërë të njohur në mbarë botën shembullin e martires së vogël nga Latina, vashës së bardhë, që ra nën goditjen e thikës së një djaloshi fqinj, i cili deshi t’ia njolloste vashërinë e t’ia merrte nëpër këmbë dinjitetin.

Mbushen katër vjet, që kur Papa Françesku e lumnoi Marinë e bukur mirditore (5 nëntor 2016).

Ishte viti i tmerrshëm 1949, kur Maria shqiptare u ndodh para të njëjtit rrezik, si vasha e Latinës. E gjatë, shtat e mendje hollë, e hijshme, ajo kishte vendosur t’ia kushtonte gjithçka kishte Krishtit, duke veshur zhgunin françeskan të stigmatineve.

Marinë e Latinës  e lakmoi, dhe e  theri komshiu.

Marinë e Mirditës e lakmoi dhe e torturoi në mënyrën më mizore, që lexohet vetëm në përrallat e njëmijë e një netëve, kryetari  i asokohshëm i Degës së punëve të brendshme.

Maria e Latinës ndjeu si ia përshkoi tej e ndanë zemrën thika e fqinjit vrasës e u shua pas pak orësh në krahët e të vetëve…

Maria e Mirditës u mbyll në një thes me një maçok të tërbuar. Kur e nxorën nga thesi, nuk kishte vetëm një plagë në kraharor, po ishte shndërruar e tëra në plagë. Do t’i mbyllte sytë e lodhur nga jeta, në Shkodër, më 24 tetor 1950, me besim të plotë se po rilindej.

Maria Goretti do të shpallej Shenjte  në vitin 1950,  nga Papa Piu XII.

Maria Tuci, e Lume, në Shkodër, më 5 nëntor 2016, nga Papa Françesku. E vetmja Vashë - ndërmjet 38 martirëve shqiptarë të lumnuar njëheresh me të.

Nuk mund të mos kujtohet Maria jonë, kur kujtojmë Marinë e latinës

Kujtuam dy vasha të reja, që nuk e njihnin njëra-tjetrën - të martirizuara në dy kohë e në dy vende të ndryshme, duke dhënë të njëjtën dëshmi për Krishtin e duke vdekur me emrin e  tij në gojë.

Fundi i vrasësve

Duke kujtuar fundin e dy Marive, që nuk ishte fund, por fillim, nuk mund të mos kujtojmë edhe fundin e vrasësve. Aleksandër Serenelli, vrasësi i Maria Gorettit, pasi kreu dënimin e qe i pranishëm në shenjtërimin e Vashës, e kaloi pothuajse gjithë jetën në një kuvend murgjërish.

Ndërsa vrasësi i Marisë sonë tregoi sa e vërtetë është fjala e urtë popullore: “Kush me gjak e nis, do ta mbarojë ca më keq me gjak”. U mbyt nga të vetët me një plumb në zverk.  

“Kemi nevojë për të dashuruar me Zotin!”

Kemi nevojë për njerëz, si dy Maritë, që i bashkon zëmbaku i bardhë, simbol i pastrisë, e palma e martires, në emër të Krishtit.

Ndaj, sa herë kujtojmë Maria Gorettin - na vjen menjëherë në mendje Maria Tuci, Maria jonë, me zëmbakun e bardhë të virgjërave martire në dorë!

28 qershor 2020, 13:34