taizé portoAEM.jpg

Doracakët e Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve 2021

Tema e tekstet e vitit të ardhshëm janë zgjedhur e përgatitur nga Bashkësia Grandchamp e Zvicrës, bashkësi murgare, ku bëjnë pjesë murgesha të Kishave të ndryshme të krishtera, nga disa vende të botës. Tema e zgjedhur është “Qëndroni në dashurinë time e do të jepni shumë fryte”.

R.SH. - Vatikan

Në faqen e internetit të Këshillit Papnor për nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve botohen Doracakët e Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve 2021. Vihen në dispozicion, ndërsa përfundoi Java e këtij viti në të gjitha ato vende, që e kremtojnë duke filluar nga Rrëshajët, si për shembull, në Britaninë e Madhe.

Tema e tekstet e vitit të ardhshëm janë zgjedhur e përgatitur nga Bashkësia Grandchamp e Zvicrës, bashkësi murgare, ku bëjnë pjesë murgesha të Kishave të ndryshme të krishtera, nga disa vende të botës. Bashkësia është themeluar në gjysmën e parë të shekullit XX e, që nga fillimet e saj, ka krijuar lidhje të ngushta me Bashkësinë ekumenike të Taizé-së dhe me atë që njihet si Abbé Paul Couturier, prift francez, figurë bazë në historinë e Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve. Aktualisht, në këtë Bashkësi, bëjnë pjesë rreth 50 murgesha, të impenjuara në kërkimin e udhës së pajtimit ndërmjet të krishterëve në të gjithë familjen njerëzore e në respekt të Gjithësisë së krijuar nga Zoti.

Tema e zgjedhur është “Qëndroni në dashurinë time e do të jepni shumë fryte” (shih Gjn 15,5-9). Murgeshat kanë kështu mundësinë të ndajnë me të tjerët përvojën e jetës së tyre kundruese: duke mbetur në dashurinë e Zotit dhe duke e lënë Hyjin, vreshtarin, të bëjë me to siç bën vreshtari me shermendet e hardhisë, japin gjithnjë e më shumë fryte shpirtërore. Motrat frymëzohen nga murgu palestinez i shekullit VI, Dorotheus nga Gaza. I ftojnë të gjithë të krishterët të kuptojnë se kur i afrohen Zotit me jetën e tyre shpirtërore, u afrohen edhe vëllezërve e motrave në Krishtin, në një solidaritet gjithnjë e më të madh me të gjitha krijesat e tjera të Hyjit. Besnikëria ndaj Krishtit dhe ndaj thirrjes së tij për shenjtëri do të çojnë drejt një bashkimi më të fuqishëm. Në faqen e tij të internetit, Këshilli Papnor për nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve uron që këta doracakë të sjellin fryte, duke i ndihmuar të krishterët t’i afrohen edhe më njëri-tjetrit.

16 qershor 2020, 13:10