Beata Marie Tuci, martire albanese Beata Marie Tuci, martire albanese  

Don Pal Tunaj: Marie Tuci dëshmoi e dashurinё dhe fuqinë e fesë së krishterë

Marie Tucit, nga Mirdita, dëshmitare e fesë së krishterë dhe e shpirtit fisnik shqiptar, siç dëshmon jeta, vepra e martirizimi saj. Vdiq më 24 tetor të vitit 1950 në Shkodër. Në jetën e saj të shkurtër, Marie Tuci dëshmoi dhe transmetoi fuqinë e fesë së krishterë, shndriti ndërgjegjen e tjerëve me dashurinë dhe besimin e patundur në Krishtin.

R.SH. - Vatikan

Me dom Pal Tunaj flasim mbi figurёn dhe dёshminё e martires Marie Tuci

Me meshtarin dom Pal Tunaj, nga dioqeza Prizren-Prishtinё, flasim mbi figurën e jashtëzakonshme tё martires sё Kishёs e kombit shqiptar, tё Lumen Marie Tuci.  Dom Pali na ofron njё pёrsiatje tё martirizimit e dёshmisё sё Marie Tucit nё aspektin shpirtёror, teologjik e shoqёror.

Marie Tuci qe dhe ёshtё gjigante e dëshmisë sё fesё nё Jezu Krishtin, mbrojtëse e paepur e dinjitetit njerëzor, kroni i kullueshёm i bukurisё sё jetёs, simbol i qëndresës dhe rrënjosjes nё vlerat e panegociueshme e tё pacenueshme tё jetёs, fesё dhe atdheut.

1. Sipas jush, dom Pal Tunaj, si duhet lexuar e kuptuar martirizimi i sё Lumes Marie Tuci nё dritёn e vështrimit teologjik?

2. Cila ёshtё thesari i martirizimit tё Marie Tucit pёr Kishёn ndёr shqiptarё?

3. Persekutimi i Kishёs nё periudhën e diktaturës ateiste dhe vlerat e dёshmisё sё martires Marie Tucit pёr besimtarёt e qytetarёt shqiptarё sot?

4. Pёr ju si meshtar shqiptar, çfarё pёrfaqёson figura e martires Marie Tuci?

 

Don Pal TunajMarije Tuci: virgjëra që i skuqi buzët e veta me gjakun e Qengjit

Me virtyt të pastër mposhti

vesin e lig të trupit,

përçmoi joshjet e botës,

gjurmët e Krishtit ndoqi”[1]

“Kur shlyhet fytyra, shlyhet edhe kujtesa”

Marie Tucit, rishtarja stigmatine, lindi në Rrëshen-Mirditë, 12. 03.1928. Pra, kjo dëshmitare e fesë së krishterë, e shpirtit fisnik shqiptar, siç dëshmon jeta, vepra dhe martirizimi i postullantes së Motrave Stigmatine, vdiq më 24 tetor të vitit 1950 në Shkodër.

Në jetën e saj të shkurtër, Marie Tuci dëshmoi dhe transmetoi fuqinë e fesë së krishterë, shndriti ndërgjegjen e tjerëve me besimin e patundur në Krishtin. Kujtojmë se Marie Tuci, mirditore, është e vetmja femër që gjendet deri më tani, në listën e 38 martirëve shqiptarë të cilët, më 5 nëntor 2016 në Shkodër u shpallën të Lumtur. 

“Të drejtohem ty, që vjen prej popullit, prej njerëzve të thjeshtë, por që i përket radhës së Virgjëreshave. Në ty shkëlqimi i shpirtit ndriçon përmbi bukurinë e jashtme të personit. Për këtë arsye ti je një shëmbëllesë besnike e Kishës”[2].

Kur e lexojmë biografinë e saj, e para që bie në sy është mosha e re dhe besnikëria e saj ndaj Jezu Krishtit; fotografia e një vajze më flokë bishtaleca, e cila i vuajti torturat më çnjerëzore që janë kryer mbi trupin e saj. Qëllimi i persekutorëve ishte që ta shpërfytyrojnë fytyrën që shndriste pamjen e Krishtit. Fytyrë cilën duhet shpërfytyruar; vetë hetuesit që e torturonin, i kishin bërë një premtim: “Do të të shpërfytyroj deri në atë pikë, sa as familja jote nuk do të të njohë”,[3] sepse “fytyra është kujtesa e njeriut, që e gjurmon fytyrën dhe mbahet gjallë përmes saj. Kur shlyhet fytyra, shlyhet edhe kujtesa. Fytyra e mban gjallë kujtesën e njeriut. Kur njeriu kujton fytyrën e tjetrit, bëhet i gjallë. Të kujtosh, domethënë, të jetosh”[4].

Torturuesit në emër të urrejtjes ndaj fesë dëshirojnë të shpërfytyrojnë jo vetëm fytyrën e personit, por edhe fytyrën e fesë, kujtesën, sepse njeriu është shëmbëllesa e Hyjit (Zan 1,26). Veronika, duke ia fshirë fytyrën Jezusit, ajo dëshiron ta ruajë kujtimin e fytyrës së Jezusit: “Fytyra është mahnitja e parë dhe më e thellë e njeriut (...) vetëm njeriu di t’i mahnitet fytyrës. Fytyra është mahnitje e pambarueshme e njeriut, meqë dhe vetë fytyra e njeriut është e pambarueshme (...) fytyra është vatra e parë e bashkësisë njerëzore. Përmes saj krijohet bashkësia. Bashkësia është tërheqje e njeriut ndaj fytyrës së tjetrit. Kjo tërheqje krijon vatrën e vërtetë të bashkësisë mes njerëzve”[5]. Kjo bashkësi që krijohet nëpërmjet fytyrës është pengesa dhe lufta më e madhe e sistemit komunist-ateist, sepse nuk dëshirojnë që nëpërmjet fytyrës si fytyra e Hyjit të ruhet bashkësia, të njihet njeriu me tjetrin dhe “gjithë ligësia dhe brishtësia e një ideologjie hetohet sidomos përmes shtypjes që bën ndaj një bashkësie tjetër. Sa më i rreptë të jetë nënshtrimi që i bëhet një bashkësie (pse të mos themi edhe vetë personit), aq më tepër shfaqet ligështia e saj. Ideologjitë, së pariligështohen përmes ushtrimit të nënshtrimit dhe shpenzohen pikërisht nga ky nënshtrim. Ditët e tyre mbarojnë me po atë shpejtësi, që nguten për të nënshtruar bashkësinë ose personin nën kthetrat e ideologjisë së tyre”[6].

Torturat më poshtëruese duke e shpërfytyruar, e nxjerrin më shumë qëndresën, butësinë, durimin, sepse: “Është dita e lindjes së një virgjre për qiellin: ta ndjekim paprekshmërinë e saj. Është dita e lindjes së një martireje: ta ofrojmë porsi ajo flinë tonë. (...) Një lloj i ri i martirizimit! Nuk ishte ende e aftë të pësonte mundime, e pra ishte e pjekur për fitore. Lufta ishte e ashpër, por kurora e lehtë. Mosha e re dha një mësim të përsosur të forcës. Një nuse e re nuk shkon me aq shpejtësi në dasmë si shkoi kjo virgjër në vendin e martirizimit të saj: e hareshme, e shpejtë, me kokë të mbushur jo më kurora, por më Krishtin, jo me lule, por me virtyte. (...) Me çfarë kërcënimesh nuk iu kërcënua magjistrati për ta frikësuar, dhe më çfarë joshjesh nuk iu drejtua për ta bindur, dhe për sa kërkues të dorës së saj nuk i foli ai për ta larguar nga vendimi i saj! Por ajo: “është fyerje për Dhëndrin të presësh një dashnor. Mua do të më ketë ai që më kërkoi i pari. O vrastar, përse ngurron? Le të vdesë ky trup: të cilin mund ta duajë dhe ta lakmojë ai që unë nuk e dua. (...) në të njëjtin person, pra, e keni një martirizim të dyfishtë: të pastërtisë dhe të fesë. Mbeti virgjër dhe e fitoi palmën e martirizimit”[7]. Kjo përgatitje për martirizim buron nga dëshmia e martirëve që ishin vrarë dhe ndaj të cilëve ajo nuk qëndronte pa nxjerr frytin e gjakut të tyre si forcë për të dhënë edhe ajo dëshmi. Edhe pse vajzë e re, Marije Tucin hetuesit e munduan, tentuan ta joshnin në të gjitha mënyrat, mbi të e shkarkonin tërë hidhërimin me tortura, në shpërfytyrimin e saj shkëlqente pastërtia: “Në ty shkëlqimi i shpirtit ndriçon përmbi bukurinë e jashtme të personit. Për këtë arsye ti je shëmbëllesë besnike e Kishës”[8].

Kapitulli më i dhimbshëm që përfshin periudhën e gjysmës se dytë të shk. XX në Shqipëri mbetet tortura mbi gratë dhe vajzat e reja, që është një kapitull i pahapur: “Shumë prej këtyre historive, si skelete qëndrojnë të mbyllura hermetikisht, ende të shpërfillura apo të panjohura, në raftet e Sigurimit”[9], por martirja e re dha shembullin e përcaktimit të saj që i përket Krishtit: “Është virgjëra që i skuqi buzët e veta me gjakun e Qengjit dhe e ushqeu shpirtin e vet me meditimin mbi vdekjen e të dashurit të vet hyjnor”[10].

Dhuna ndaj saj ishte tepër barbare, qëllimi i torturuesve ishte për ta çnjerëzuar, “një grua aq e madhërishme, të cilën shpirti i ndytë e kishte frikë, nuk mund të vdiste ndryshe, në mos ta kishte dashur ajo vetë”[11]. Palëkundshmëria e saj ishte e pamohueshme në shkollën e Jezusit. Ajo për Kishën tonë u bë “lulja që ka çelur në pemën e Kishës, janë xhevahir dhe margaritar hiri, gëzimi i jetës, objekt lavdërimi dhe nderi, dhuratë e plotë dhe e pandërrueshme e Hyjit, shkëlqim i shenjtërisë së Zotit, pjesa e zgjedhur e grigjës së Krishtit. Kisha nënë ndien gëzim të gjallë për (të) dhe në (të) shpreh frytshmërinë e saj shpirtërore”[12].

Le të mësojë fëmijëria e mendjelehtë, dhe rinia e guximshme

Porosia e jetës, që martirja Marije Tuci na dhuron si trashëgimi për të rinjtë dhe mbarë të krishterët, është më së miri e përmbledhur në fjalët e Papa Piut XII, në kanonizimin e Maria Gorettit. Papa me dëlirësinë dhe fenë e kësaj martire porosit: “Të mësojnë nënat dhe etërit si duhet edukuar në mënyrë të drejtë, të shenjtë dhe shumë të fortë fëmijët, që Hyji ua ka besuar atyre, dhe si duhet t’ua mësojnë urdhërimet e besimit katolik, në mënyrë që, kur virtyti i tyre të gjendet në vështirësi, të ndihmuar nga hiri i Zotit, të mund të dalin ngadhënjyes, të paprekur dhe të panjollë. Le të mësojë fëmijëria e mendjelehtë, dhe rinia e guximshme të mos shkojnë drejt kënaqësive kalimtare të shqisave të tyre, pas ngashënjimit joshës të veseve, por të mësojnë të prihen, edhe mes vështirësive, drejt asaj përsosmërie të krishterë, të cilën të gjithë ne mund ta arrijmë me një vullnet të vendosur, të mbështetur nga hiri mbinatyror, me përpjekje dhe me lutje.

Me siguri nuk jemi të thirrur të gjithë të vuajmë martirizimin, por të gjithë jemi të thirrur të arrijmë virtytin e krishterë. Virtyti kërkon forcë, që, nëse nuk arrin në shkallën heroike të kësaj vajze, s’do të thotë se kërkon kujdes më të vogël çdo ditë, të zellshëm sa të mos lihet pas dore kurrë deri në fund të jetës. Për këtë arsye mund të quhet gati një martirizim i ngadalshëm dhe i vazhdueshëm, të cilin fjala hyjnore e Jezu Krishtit na fton ta jetojmë: “Mbretëria e qiellit po depërton më vështirësi, e vetëm të fortët e shtijnë në dorë” (Mt 11,12)”[13].

Feja e Maria Tucit ishte e madhe. Një e mbijetuar dhe bashkëvuajtëse më të, dëshmon se: “Marija ishte inteligjente, guximtare, me një fe të madhe, lutej shumë në burg”[14], dhe “e mbyllur në dhomën tënde mbaje gjithmonë mendjen të ngulur në Krishtin, edhe gjatë natës. Madje çdo çast rri në pritje të ardhjes së tij. Këtë ai e dëshiron prej teje, për këtë të ka zgjedhur”[15], sepse “kështu feja në Kryqin – feja e gjallë, e shoqëruar nga kushtimi i dashur – është për ne dera e hyrjes në jetë dhe fillimi i lavdisë së ardhshme. Kryqi është përparësia jonë e vetme: “Sa për mua, mos e thëntë Zoti të mburrem me tjetër send, përveç me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, nëpër të cilin për mua bota është e kryqëzuar dhe unë për botën” (Gal 6,14). Ai që është vënë në anën e Krishtit është i vdekur për botën, ashtu siç është e vdekur edhe bota për të. Ai i bart në trupin e tij shenjat e Zotit (krh. Gal 6,17); është i dobët dhe i përçmuar në rrethet e njerëzve, por pikërisht për këtë është i fortë në realitet, sepse në dobësi tregohet plotësisht fuqia e Hyjit (krh. 2Kor 12,9)”[16].

Ajo i është premtuar Jezu Krishtit

Për Marijen, “Kryqi nuk është qëllim në vetvete. Ai spikat në lartësi dhe është grishje drejt lartësisë. Pra, nuk është vetëm një simbol – por është edhe një armë fitimprurëse e Krishtit, vishkulli i bariut, me të cilin Davidi hyjnor i del përballë Goliatit të ferrit, simboli ngadhënjyes me të cilin ai troket në derën e qiellit dhe e hap atë. Atëherë vërshon ngulfi i dritës hyjnore, duke i përmbytur të gjithë ata që marshojnë në ndjekje të Kryqit”[17].

Dëshmitë mbi jetën e saj janë rrëqethëse, trishtojnë shpirtin edhe për t’i dëgjuar, ne mes torturave është ajo kur e mbyllnin në një thes me një mace të tërbuar, që rrihej më shkop që ta gërvishte e ta kafshonte edhe më shumë dhe si pasojë ta bënin të dilte nga thesi krejt të gjakosur dhe të shpërfytyruar, dhe duke e bërë propozime dhe joshje për ta përvetësuar dhe larguar nga dashuria për Krishtin dhe Kishën. E sfilitur ajo në vetvete meditonte më dhimbje, “cilat, pra janë mjetet për ta mbajtur Krishtin? Jo dhuna e zinxhirëve, jo shtrëngesat e litarit, por lidhjet e dashurisë, marrëdhëniet e shpirtit. E mban dashuria e shpirtit”[18].

Pyetjes: “Po ç’të paskan bërë kështu?” M’u përgjigj: “Më kanë bërë shumë gjilpëra”[19], ajo e cila nuk arriti të mbartë mbi kokën e vet kurorën e kushtimit në jetën e rregulltarisë, iu rezervua një kurorë tjetër e përngjashme më atë të Krishtit, jo një kurorë të bardhë e me lule, por një kurorë si mësuesi dhe dhëndri i saj Jezu Krishti, gjembat e asaj kurore të Krishtit të cilat vazhdojnë t’ia shporojnë edhe trupin e Martires.

Dashuria ndaj Virgjërës Mari ishte e madhe, kjo madhështi e dashurisë për të na vjen nga faktet: “Ndjeu fort afër vetes praninë e Nënës se Krishtit, emrin e të cilës e mbante me nder. Me të, qysh e vogël, qe lidhur fort nga devocioni i thjeshtë dhe i thellë, nëpërmjet Rruzares, që as ajo vetë s’e mbante mend kur kishte mësuar ta thoshte. Për këtë dëshmojnë edhe ato 24 kokrra të verdha, mbetje të Rruzares që i është gjetur mes gishtave kur e nxorën kufomën”[20]. Rruzarja është ungjilli i të krishterit, të cilin ungjill e mbart në vetvete, të cilën mund të recitosh në heshtjen e zemrës, pavarësisht vendndodhjes, punës, ashtu siç na dëshmon edhe Marija që mund ta mbartësh më vete edhe në burgime e salvime. Emri i saj si i Virgjërës Mari e nxit edhe më shumë në përngjasim të fesë, vullnetit të Zotit, dhimbjes së saj. Përngjasimi i saj më Virgjërën Mari dhe gjendja e persekutimit dhe dhunës që ushtrohet në trupin e saj, na dërgon drejt atij konfrontimi zanafillor më figurën e Evës, e cila ishte mashtruar dhe e nënshtruar duke u bërë e padëgjueshme ndaj fjalës hyjnore dhe u largua nga dashuria e Hyjit.

Devocioni ndaj Virgjeres Mari: “Maria është nëna e përmirësimit të botes”

Martirja dëshiron një nënshtrim tjetër, ndaj vullnetit të Zotit, sipas shkollës së Nënës së Hyjit. Ajo i është premtuar Jezu Krishtit, sipas shembullit të Virgjërës, Nënës së Kishës: “Ashtu sikur Kryet dhe gjymtyrët janë së bashku një bir i vetëm dhe shumë bij, ashtu edhe Maria dhe Kisha janë një nënë dhe shumë nëna, një virgjër dhe shumë virgjëra, të dyja mbesin shtatzëna për virtyt të Shpirtit Shenjt pa lakmi dhe epshe, të dyja i japin Atit bij pa mëkat. Maria pa kurrfarë mëkati i lindi trupit Kokën, ndërsa Kisha në faljen e të gjitha mëkateve i ka lindur Kokës trupin. Të dyja janë nëna të Krishtit, porse asnjëra prej tyre nuk lind tërësinë pa tjetrën”.[21] Në këtë lidhje të fortë ka hyrë edhe martirja jonë më përkushtimin e saj, më devotshmërinë ndaj Virgjërës Mari, dhe lutja e Rruzares është shprehja më e lartë e dashurisë dhe devotshmërisë ndaj saj. Në gjitha misteret rrumbullakohet e tërë historia e Shëlbimit, drejtë atij shëlbim që ajo shpejt do të niset, më një fe të cilën nuk e mohoi, por si Shën Shtjefni lutej për keqbërësit: “O Zot, mos ua merr këtë për mëkat” (Vap 7,60) .

Dashuria dhe përkushtimi ndaj Nënës së Hyjit janë të rrënjosur në Kishën tonë, në këto rrënjë qëndron edhe lidhja e saj me të, sepse, “edhe një shpirt besnik mund ta konsiderojë veten si Nuse e Fjalës së Hyjit, nënë, bir dhe motër e Krishtit, virgjër e frytshme”[22]. Dashuria ndaj Virgjërës Mari, është dashuri ndaj asaj dashurie e cila vjen nga Hyji, i cili nuk na la të jemi vetëm bij të Eves. Dashuria jonë ndaj Virgjërës Mari domethënë të lejosh që Hyji të veprojë edhe në ne: “Hyji, pra, është Ati i gjërave të krijuara, ndërsa Maria nëna e gjërave të rikrijuara. Hyji është Ati i themelimit të botës, Maria është nëna e përmirësimit të asaj bote”[23], në këtë lidhje të stabilizuar nëpërmjet Marisë, martirja dëshiron të ripërtërijë përmirësimin e botës, atë përmirësim me dëshmi deri në derdhjen e gjakut të saj. Është një lidhje e fortë, të cilën pa syrin e fesë ajo mund të na zhduket, apo mund ta zhveshim dëshminë e fesë së saj që e vulosi deri në vdekje. Jemi të porositur nga feja e saj të hyjmë në thellësinë e besimit, që as mizoria e dhunës nuk e shkëputi nga ajo dashuri për Krishtin: “Nëse ke dëshirë që edhe ti të kesh Krishtin, kërkoje pa pushim dhe mos iu frikëso vuajtjes. Është shumë më lehtë ndonjëherë ta gjesh mes mundimeve të trupit, në duar e dhunuesve. Vërtet një herë e lirë prej duarve të dhunuesve dhe fitimtare mbi pushtetin e së keqes, menjëherë në atë çast do të vijë në takim Krishti, i cili nuk do të lejojë që provat e tua të zgjasin”[24].

Momentet e fundit të jetës i kalon në liri, në spital dhe çdo herë e mbikëqyrur. Nga kjo liri nga duart e dhunuesve, tha: “Falënderoj Zotin që ditët e fundit të jetës po i kaloj në liri”[25].Kjo e dërgon në lirinë e Mbretërisë qiellore me dritëzën e ndezur të fesë, e cila niset drejt Dhëndrit të Amshuar, e lumtur se“luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta. Qysh tash më pret gati kurora e drejtësisë” (2Tim 4,7-8).

“Kush është në gjendje t’u përngjajë martirëve?”

Ajo di se si të vdesë, këtë përgatitje e bëri nga martirët që i paraprinë në amshim. Shpërfytyrimin që e përjetoi, amshimi do t’ia ripërtërijë, sepse ajo nuk hoqi dorë nga Amshimi, nuk u nënshtrua, nuk u zmbraps, sepse “kur njeriu heq dorë nga amshimi, fytyra e tjetrit fillon të shpërfytyrohet, fillon mohimi i saj”[26]. Errësira e burgut është vendi ku për së afërmi jemi në takim me vdekjen. Sikurse qelia e burgut është e kufizuar më hapësirën e vet, ashtu fillon duke u ngushtuar ngadalë drejt një qelie tjetër që është varri. Të gjithë martirët e bëjnë këtë sprovë feje, në errësirën e burgut, e herë-herë edhe në trishtimin që e kaplon edhe trupin. “Ati im, nëse është e mundur, largoje prej meje këtë kelk mundimesh! Megjithatë, le të bëhet, jo si dua unë, por si do ti! Shpirti, vërtetë, është i gatshëm, por trupi është i ligshtë” (Mt 26, 39.41). Marije Tuci na lë një trashëgimi të pasur feje, mësim të madh dëshmie, ajo e sfidon sot jetën e të krishterit: “Cili moment është më i volitshëm se sa momenti në të cilin, për shkak të dashurisë tonë ndaj Hyjit në Krishtin, vihemi në pranga nëpërmjet kotësive dhe madhështisë së botës dhe bëhemi ngadhënjyes e jo të mposhtur?”[27]

Martirizimi si fenomen nuk i përket vetëm një periudhe kohore, por kjo fisnikëri më e lartë njerëzore ka qenë dhe mbetet vlerë e qëndrueshme në kohëra dhe rrethana të ndryshme. Dëshirojmë t’i japim një fytyrë martirizimit në kohën tonë, ne kemi nevojë për ta, sepse na zgjojnë ndërgjegjen e fjetur, për ta zgjuar vetëdijen e të krishterit, për ta rindezur fenë, sepse martirizimi na paraqitet në shumëllojshmëri të jetës. Martirët e shenjtë u munduan të duan edhe armiqtë: si mund të jenë pjesëtarë të tyre ata, që nganjëherë nuk dëshirojnë t’u kthejnë dashurinë as miqve të tyre?!

Pra, mos të jemi përtacë, vëllezër të dashur, për t’ingjasuar martirëve të shenjtë aq sa mundemi, kështu që në saje të meritave dhe të lutjeve të tyre të meritojmë të lirohemi ngatë gjitha mëkatet.

Ndokush mund edhe të bëjë vërejtje: “Kush është në gjendje t’u përngjajë martirëve?” Edhe pse jo në gjithçka, megjithatë në shumë gjëra, me ndihmën e Zotit, mundemi dhe duhet t’u përngjajmë. (...)

Edhe paqja ka martirët e saj. Vërtet, të mposhtësh inatin, të largosh lakminë si helmin e gjarpërinjve, të kontrollosh krenarinë, të largosh urrejtjen nga zemra jote, të ndalosh orekset e tepërta të fytit, të mos jepesh pas pijes, e gjithë është një pjesë e madhe e martirizimit. (...) E, meqë martir do të thotë “dëshmitar”, ai që do t’i bëjë dëshmi të vërtetës, pa dyshim se do të jetë një martir i Krishtit, i cili është e vërteta”[28]. Kjo mënyrë e të jetuarit si të krishterë, na përfshin me tërë universalitetin e saj ungjillor, e cila duhet të shtrihet në gjitha sferat e saj të dëshmisë, e cila na përfshin në ekzistencën e përditshme. Kjo përfshirje e ungjillit që e jetoi Marije Tuci në gjithë formimin e saj si e krishterë edhe përpara persekutimit, nuk bëri asgjë të veçantë, përveç se i qëndroi besnike Jezu Krishtit, dhe kjo thjeshtësi ungjillore e ngriti në altarin e shenjtërimit: “E dashura bashkësi katolike e Shqipërisë, ki besim dhe shiko me optimizëm të ardhmen tënde! Ashtu si në të kaluarën ke ditur t’i mbetesh besnike të vetmit Zot, Jezu Krishtit, qoftë duke sakrifikuar edhe jetën tënde;ji tani e gatshme të marrësh menjëherë Ungjillin e dashurisë hyjnore dhe të dëshmosh me guxim të gjitha kërkesat e tija. Jep shembullin e një dashurie pa kushte, të një dashurie që është më e madhe se ofendimet që t’u bënë e që duke i harruar, është gati të falë persekutorët e vet”[29]. Testamenti i saj i fesë për ne është mision dhe detyrë ta mbajmë të gjallë dëshminë e saj, duke i përngjarë asaj në imitimin e Krishtit.

E lumtura Marije Tuci: lutu për ne!

[1]Himni, Për një virgjëreshë, në Liturgjinë e Orëve, I, fq.1233.

[2]Shën Ambrozi, ipeshkëv, Mbi virgjërinë, në Liturgjia e Orëve, I, fq. 1021.

[3]Atë Leonardo Di Pinto o.f.m., Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, v. II, fq. 418.

[4]Don Robert Kola, Shpalime Teologjike, Njeriu ikonë e Hyjit, fq. 87-88.

[5]Don Robert Kola, Njeriu ikonë e Hyjit, fq. 84.

[6]Don Robert Kola, Njeriu ikonë e Hyjit, fq. 86.

[7]Shën Augustini, ipeshkëv, Mbi virgjërinë, në Liturgjia e orëve, III, fq. 1164.

[8]Shën Augustini, ipeshkëv, Mbi virgjërinë, në Liturgjia e orëve, I, fq. 1021.

[9]Di Pinto o.f.m., Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, fq. 418.

[10]Shën Metodi Sikul, ipeshkëv, Ligjërata mbi shën Agatën, në Liturgjia e orëve, II, fq.1363.

[11]Shën Metodi Sikul, Ligjërata mbi shën Agatën, fq. 1409.

[12]Shën Çipriani, ipeshkëv dhe martir, Mbi sjelljen e virgjërave, në Liturgjia e orëve, III, fq. 1451-52.

[13]Piu XII, Papë, Fjalimi për kanonizimin e shën Marija Goretit, në Liturgjia e orëve, III, fq. 1403.

[14]Di Pinto o.f.m., Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, v. II, fq. 417.

[15]Shën Metodi Sikul, ipeshkëv, Ligjërata mbi shën Agatën, në Liturgjia e orëve, I fq.1022.

[16]Shën Tereza Benedikta e Kryqit, virgjër dhe martire, Scientia Crucis, në Liturgjia e orëve, III, fq. 1139.

[17]Shën Tereza Benedikta e Kryqit, virgjër dhe martire, Scientia Crucis, fq. 1140.

[18]Shën Metodi Sikul, ipeshkëv, Ligjërata mbi shën Agatën, në Liturgjia e orëve, I, fq.1022.

[19]Di Pinto o.f.m., Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, v. II, fq. 417.

[20]Vep. e cit. fq. 421.

[21]Isaku nga Stela, abat, Ligjëratat, në Liturgjia e Orëve, I, fq. 214.

[22]Vep. e cit. fq. 215.

[23]Shën Anselmi, Fjalimet, në Liturgjia e Orëve, I, fq. 1010

[24]Shën Ambrozi, ipeshkëv, Mbi virgjërinë, në Liturgjia e Orëve, I, fq. 1022-23.

[25]Di Pinto o.f.m., Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, v. II, fq. 421.

[26]Don Robert Kola, Njeriu ikonë e Hyjit, fq. 89.

[27]Origjeni, Nxitjet për martirizim, në Liturgjia e Orëve, III, fq.1322.

[28]Shën Çezari Arles, ipeshkëv, Fjalimet, në Liturgjia e Orëve, II, fq. 1569-70.

[29]Gjon Pali II, Predikimi gjatë Meshës në Katedralen e Shkodrës, Papa në Shqipëri, Don David Xhuxha, fq, 32.

16 qershor 2020, 12:38