4-Incontro-del-clero-Albania-a-Scutari-18-giugno-2020.jpg

Dom Gjovalin Simoni: meshtarёt nё kohёn kovid-19

U mbajt sot në Shkodër pranё Seminarit Ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë” takimi i përvitshëm për ‘Ditёn e Shenjtërimit Meshtarak’ nё Shqipёri. Nё takimin me tema: “Meshtarёt e misioni tyre nё kohёn e koronavirusit”, morën pjesë ipeshkvijtë e Shqipërisë, meshtarët e rregulltarët. Sivjet takimi u mbajt pikёrisht nё vatrën e formimit të meshtarëve të rinj për trevat shqipfolëse.

R.SH. - Vatikan

Sot në Shkodër pranё Seminarit Ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë” u mbajt takimi përvitshëm për ‘Ditёn e Shenjtërimit Meshtarak’ nё Shqipёri. Tema e takimit “meshtarёt dhe misioni tyre nё kohёn e koronavirusit”, nё takim morën pjesë ipeshkvijtë e Shqipërisë, meshtarët dhe rregulltarët. Sivjet takimi u mbajt pikёrisht nё vatrën e formimit të meshtarëve të rinj për trevat shqipfolëse.

Ditë Dita për shenjtërimin e klerit mbahet nё pёrkim me festёn e Zemrёs sё Krishtit, qё bie nesёr, festë e cila në vetë bukurinë dhe domethënien e vet, e ndërthur dashurinë e Zemrës së Krishtit me modelin e përkushtimit të jetës meshtarake, e ёshtё rast për t’u lutur e për t’u bashkuar e, akoma më shumë, për të rizbuluar e për të rigjallëruar dhuratën e meshtarisë. Mё hollësisht mbi Ditën e shenjtërimit meshtarak qё u mbajt sot paradite nё Shkodёr, tё ndjekim njoftimin e meshtarit dom Gjovalin Simoni, famullitar i komunitetit kishtar tё Dajçit Bregut tё Bunës, krye dioqeza e Shkodër-Pultit…

Tё ndjekim njoftimin e meshtarit dom Gjovalin Simoni

Dom Gjovalin Simoni: Dita e shenjtërimit meshtarak

Është bërë traditë tashmë që Konferenca Ipeshkvnore Shqiptare të organizojë takimin e përvitshëm për shenjtërimin meshtarak. Quhet pikërisht Dita e shenjtërimit meshtarak. Komisioni për klerin në Konferencë Ipeshkvnore i drejtuar nga Mons. Giovanni Peragine, kishte menduar që këtë vit takimin ta drejtonte Imzot Gjergj Meta. Në takim morën pjesë Ipeshkvijtë e Shqipërisë, meshtarët dhe rregulltarët. Këtë vit takimi u mbajt në Seminarin Ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër, vatër e formimit të meshtarëve të rinj për trevat shqipfolëse.

 Gjatë fjalimit të tij, Imzot Meta, u ndalua gjatë mbi figurën e meshtarit, e mbi të gjitha mbi shërbimin meshtarak gjatë periudhës së pandemisë së Covid 19. Kjo kohë ka qenë për të gjithë botën edhe për Kishën një kohë reflektimi, një kohë në të cilën jemi të ftuar që të ndryshojmë rrënjësisht botën tonë të brendshme dhe bashkë me të edhe shumë mënyra të jashtme. Shumë meshtarë, nga ana tjetër, kanë shërbyer dhe shërbejnë në heshtje dhe me shumë sakrifica të mëdha ndaj të sëmurëve, duke rrezikuar shpesh herë edhe jetën e tyre, për të shpëtuar atë të besimtarëve. Janë pikërisht meshtarët që vazhdimisht, nën shembullin e Jezusit Bariut të Mirë, i cili jep jetën e vet për delet e tija, po kështu edhe ata dhurohen dita-ditës në shërbimin e palodhur për besimtarët që Zoti iu ka besuar.

Kjo ditë përkon edhe me vigjiljen e Festës së Zemrës së Krishtit, një festë e cila në vetë bukurinë dhe domethënien e vet, mbanë të ndërthurur dashurinë e Zemrës së Krishtit si dhe modelin e përkushtimit të jetës meshtarake. Zemra e Krishtit është gurrë e pashterrshme frymëzimi dhe tërheqjeje për çdo meshtarë. Aty gjendet streha dhe caku i çdo shenjtërie meshtarake. Kjo Zemër, ka vend për të gjithë sepse është një zemër mëshire, falje dhe dashurie e pamasë. Çdo meshtarë është një mëkatarë si të tjerët, por i falur dhe i dashur nga kjo Zemër, është i thirrur që t’i udhëheqë të tjerët drejtë burimit të kësaj dashurie, pra drejt Zemrës së Krishtit, për të sprovuar se sa i mirë është Zoti.

Le të lutemi për meshtarët, që dita- ditës t’i përngjajnë kësaj Zemre, ashtu siç na mëson urata e vjetër: “O i Lumi Jezu Krisht, zemër butë e i përvujtë, ban që zemra ime t’i përngjajë Zemrës Sate”; kështu që edhe meshtarët të bëhen të butë e të përvujtë si vetë Zemra e Krishtit. Nga meshtarët presim dhe kërkojmë vazhdimisht, por në këtë ditë duhet të jemi bujarë me to; pra të lutemi për ata, që të jenë të shenjtë në përngjasimin e Krishtit Bariut të Mirë.

18 qershor 2020, 11:44